Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka komentuar takimin e kryeministrit Edi Rama me një grup studentësh, duke e konsideruar si imitimi më i turpshëm i atij të Ramiz Alisë me studentët e dhjetorit 1990. Berisha tha se Rama priti “studentë klandestinë” ndërsa u mbetet të rinjve për ta gjykuar si tryezë.
“Duhet të pranojmë, diktatori Ramiz Alia me datën 11 dhjetor priti në pallatin presidencial përfaqësinë e studentëve. Por e vërteta është që ai i priti atë përfaqësi që u zgjodh nga studentët. Priti ata studentë dhe pedagogë që zgjodhën vetë studentët haptas, publikisht para shqiptarëve. Nuk priti studentë klandestinë siç bën ky shpirt-katran.
Takimin me studentët, dhe ai ishte një moment historik s’mund ta mohoj, e bëri me mediat dhe shqiptarët mësuan çdo fjalë që u tha në atë takim. Kurse ky imiton në mënyrë të turpshme, por cili është dallimi, të vjen shumë, shumë, shumë keq. Ramiz Alia ishte njeri me duart me gjak, pa diskutim. Kishte firmën në shumë akte të paimagjinueshme, por prapë në fund kishte kurajë, zgjodhi burgun para skenarit të Çausheskut. Priti në mënyrë transparente studentët, kurse ky i merr fshehtas.
U takon studentëve ta vlerësojnë, gjykojnë, nuk dua të hyj fare në se kush ishte e kush s’ishte, atë do ta gjejnë studentët, por të presësh studentët, që bënë protestat më të fuqishme në historinë e vendit, si grup klandestin, është fyerja më e rëndë që u bën atyre dhe çdo shqiptari. Ky është Edi Rama”, tha Berisha.
Berisha shprehu besim se të gjitha partitë opozitare do të bashkohen në një front të përbashkët për zgjedhjet lokale të 9 majit 2027, pavarësisht kundërshtive që ekzistojnë. Kreu i demokratëve u shpreh se kryeministri Rama nuk ka shpëtim dhe se fitorja i përket demokratëve.
“Edhe kjo ka mundësi, por e vërteta është që as asambleja dhe asgjë nuk e shpëton dot më Edi Ramën. Fronti opozitar i bashkuar që do krijohet, dhe unë kam besim, pavarësisht nga kundërshtitë që ekzistojnë, se arsyeja do të dominojë, se në fund të fundit përgjegjësia para vendit, përballë këtij rreziku ekzistencial, do të do të shërbejë si një kushtrim bashkimi për të gjitha forcat, për të gjithë forcat politike dhe jo politike.
Edhe aktivistët, të cilët protestuan pesë muaj rresht, investuan në protestë dhe dhanë kontribut të çmuar, të gjithë duhet të bashkohemi sot, t’i japim shtytjen përfundimtare këtij regjimi dhe të shkojmë drejt votës së lirë”, tha Berisha.
Ndër të tjera, Berisha tha se Erion Veliaj mund të kontribuojë në rrëzimin e Ramës duke i treguar publikisht shqiptarëve krimet e tij.
“Erion Veliaj nëse do të kontribuojë, le t’u thotë shqiptarëve gjithçka di për Edi Ramën, sepse sado që të ketë bërë vetë, krimet e Edi Ramës janë të pakrahasueshme me të asnjë tjetri dhe unë nuk mund të them se Erion Veliaj sot në qeli është rrezik ekzistencial për Shqipërinë.
Ne kemi protestuar dhe kemi bërë gjithçka që ai të shkojë para drejtësisë. Ky është qëndrimi im ndaj cilido që do të kontribuojë për të larguar nga pushteti dyshen më famëkeqe Rama-Balluku apo Balluku-Rama”, tha Berisha.
