AlbTimes
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
Home Kosovë

“Gogoli” që mund t’ia hapë Kosovës dyert e Evropës

by SHT Media
15/11/2026
in Kosovë
6
0
“Gogoli” që mund t’ia hapë Kosovës dyert e Evropës

Foto: Kosovë

6
SHARES
301
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Kur Kosova dhe Serbia u pajtuan për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në vitin 2013, Bashkimi Evropian e cilësoi marrëveshjen si një hap që i afronte të dyja vendet me Evropën.

Trembëdhjetë vjet më vonë, Asociacioni nuk është themeluar, Kosova vazhdon të presë përparim në integrimin evropian, ndërsa BE-ja këmbëngul në përmbushjen e këtij detyrimi.

Ndryshimi i pushtetit në Serbi ka rikthyer diskutimet për mundësinë e një qasjeje të re ndaj Asociacionit. Për Kosovën, megjithatë, shtrohet edhe një çështje tjetër: nëse mund të ndërmarrë hapa pa pritur Beogradin dhe t’i shfrytëzojë ata për të avancuar në proceset e integrimit ndërkombëtar.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë të gjitha detyrimet e marra në kuadër të dialogut, pa vonesa të mëtejshme dhe pa parakushte, nëse duan të përparojnë në rrugën e tyre evropiane.

Kjo përfshin edhe sigurimin e “një niveli të përshtatshëm vetëmenaxhimi” për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me Marrëveshjen Bazike të vitit 2023.

Kërkesa e BE-së e ka zanafillën te Marrëveshja e Brukselit e prillit 2013, kur Kosova dhe Serbia ranë dakord për krijimin e një mekanizmi bashkëpunimi mes komunave me shumicë serbe, me rol në zhvillimin ekonomik lokal, arsim, shëndetësi dhe planifikim urban e rural.

Catherine Ashton, atëherë shefe e diplomacisë evropiane dhe ndërmjetësuese e marrëveshjes, e përshkroi atë si një hap më afër Evropës për të dyja vendet.

Në Prishtinë, marrëveshja nxiti kundërshtime të forta nga Lëvizja Vetëvendosje. Udhëheqësi i saj, Albin Kurti, atëherë në opozitë, paralajmëronte se Asociacioni mund të rrezikonte funksionimin e shtetit. Në një seancë parlamentare, ai shfaqi edhe një hartë të Kosovës pa veriun, për të ilustruar atë që e shihte si rrezik të ndarjes së vendit.

Kurti më vonë mori drejtimin e Qeverisë, por nuk ndryshoi qëndrimin në thelb.

Ai vazhdoi ta kundërshtonte krijimin e një mekanizmi njëetnik me kompetenca ekzekutive dhe ta kushtëzonte përparimin me veprime nga Serbia.

Pas fitores së Listës Studentore në zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, la të kuptohej se Qeveria e Kosovës ishte më e gatshme për themelimin e Asociacionit.

Vetëvendosje e mohoi ndryshimin e qëndrimit, ndërsa Qeveria, në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, përsëriti kërkesat e saj ndaj Beogradit.

Ajo kërkon që Serbia ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazike të vitit 2023 si garanci për zbatimin e saj, ta dorëzojë Millan Radoiçiqin, të akuzuar në Kosovë për sulmin e armatosur në Banjskë, dhe ta tërheqë letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiç, përmes së cilës Beogradi shprehu rezerva ndaj disa detyrimeve të marrëveshjes.

Këto kushte vazhdojnë ta pengojnë përparimin, ndonëse vetë përmbajtja e Asociacionit dhe rrethanat në të cilat ai do të funksiononte kanë ndryshuar gjatë viteve.

Nga marrëveshjet te realiteti në terren

Në vitin 2015, Kosova dhe Serbia u pajtuan edhe për parimet e funksionimit të Asociacionit, përfshirë strukturën, kompetencat dhe financimin e tij.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se disa prej tyre nuk ishin në përputhje me standardet kushtetuese dhe kërkoi harmonizimin e tyre. Vendimi nuk e përjashtoi themelimin e Asociacionit, por përcaktoi kufijtë brenda të cilëve ai mund të funksiononte.

Çështja u rikthye në Marrëveshjen Bazike të vitit 2023, përmes formulimit për “një nivel të përshtatshëm vetëmenaxhimi për komunitetin serb”.

Po atë vit, partnerët evropianë paraqitën edhe një draftstatut, i cili nuk u zbatua.

Në mungesë të përparimit politik, autoritetet e Kosovës ndërmorën hapa për mbylljen e një vargu institucionesh të mbështetura nga Beogradi, përfshirë struktura administrative, financiare dhe qendra për punë sociale.

Arsimi dhe shëndetësia, megjithatë, vazhdojnë të funksionojnë kryesisht në kuadër të sistemit të Serbisë, duke e bërë integrimin e tyre një nga sfidat kryesore për institucionet e Kosovës.

Agon Maliqi, bashkëpunëtor jorezident i Këshillit Atlantik, vlerëson se Asociacioni mund të shërbejë pikërisht për këtë qëllim.

“Shëndetësia dhe arsimi vazhdojnë të operojnë në Kosovë me sistem të Serbisë. Asociacioni mund të jetë instrumenti që e zgjidh këtë anomali në shërbim të serbëve të Kosovës, por, në të njëjtën kohë, edhe Kosovës i ofron mundësi për t’i integruar këto shërbime brenda rendit të vet juridik”, thotë Maliqi për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Integrimi i shkollave dhe spitaleve do të kërkonte zgjidhje edhe për financimin e tyre, statusin e punonjësve dhe vazhdimësinë e shërbimeve.

Millosh Pavkoviç, nga Qendra për Politika Evropiane në Beograd, paralajmëron se një proces i njëanshëm mund ta thellojë mosbesimin e komunitetit serb ndaj institucioneve të Kosovës.

Sipas tij, Asociacioni do të ishte mënyra më e përshtatshme për ta menaxhuar këtë proces.

“Nëse bëhet duke dërguar policinë në spitale dhe shkolla, do të shkaktonte kundërshtime nga komuniteti serb”, thotë ai për Exposenë.

Edhe Bashkimi Evropian ka kërkuar që trajtimi i institucioneve dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia të bëhet në mënyrë të koordinuar dhe në konsultim me komunitetin serb.

Për këtë arsye, debati për Asociacionin nuk kufizohet më vetëm te kompetencat e tij.

Ai lidhet edhe me mënyrën se si Kosova mund t’i integrojë shërbimet që ende funksionojnë në sistemin e Serbisë, pa ndërprerë ofrimin e tyre për qytetarët.

Një proces i tillë do të kërkonte bashkëpunim mes Prishtinës dhe Beogradit, perspektivat e të cilit mbeten të paqarta edhe pas ndryshimit politik në Serbi.

Çfarë pritet nga pushteti i ri në Beograd?

Fitorja e Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit i dha fund sundimit 14-vjeçar të Aleaksandar Vuçiçit në Serbi, por fituesit ende nuk kanë treguar se çfarë qasjeje do të ndjekin ndaj Kosovës.

Në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, përfaqësuesit e Listës Studentore thanë se për Asociacionin dhe çështjet e tjera të dialogut do të deklarohen vetëm pasi të formohet Qeveria e re dhe të shqyrtohen dokumentet dhe gjendja e deritanishme.

Robert English, profesor në Universitetin e Kalifornisë Jugore, është skeptik se ndryshimi i pushtetit do të sjellë përparim të shpejtë.

Ai kujton se përfaqësues të lëvizjes studentore kanë mbajtur qëndrime të ashpra ndaj Kosovës edhe kur kundërshtonin Vuçiqin, duke e akuzuar atë se nuk i kishte mbrojtur mjaftueshëm interesat e serbëve.

“Kemi parë se të njëjtët studentë që kanë udhëhequr lëvizjen demokratike, kanë mbajtur qëndrime të ashpra për çështjet që lidhen me Kosovën edhe para zgjedhjeve – në disa raste madje më të ashpra se presidenti i deritashëm, Aleksandar Vuçiç”, thotë English për Exposenë.

Sipas tij, Qeveria e re do të ketë përparësi të tjera, ndërsa përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën mund të kërkojë vite dhe të varet nga zhvillimet demokratike dhe orientimi ndërkombëtar i Serbisë.

Pavkoviç sheh më shumë mundësi për përparim, nëse Qeveria e ardhshme e Serbisë synon të përshpejtojë integrimin evropian.

Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është pjesë e Kapitullit 35 të negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE, ndërsa fondet evropiane mund të shërbejnë si nxitje shtesë.

“Ka shumë fonde të bllokuara në kuadër të Planit të Rritjes dhe Reformave, si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën. Këto fonde mund të shërbejnë si një nxitje e fortë për të dyja palët që të angazhohen në mënyrë më konstruktive në dialog”, thotë Pavkoviç.

Nëse Qeveria e re serbe do ta shfrytëzojë këtë mundësi, mbetet të shihet.

Për Kosovën, ndërkaq, pritja e një ndryshimi në Beograd mund të nënkuptojë edhe shtyrje të mëtejshme të detyrimeve të saj.

A mund të veprojë Kosova pa pritur Serbinë?

Maliqi vlerëson se Kosova ka hapësirë për të ndërmarrë hapa në bashkëpunim me partnerët perëndimorë, por se kundërshtimi i gjatë politik ndaj Asociacionit ia ka vështirësuar këtë mundësi.

“Kjo është bërë tashmë një temë tabu në politikën e Kosovës, kryesisht për shkak të kundërshtimit të Asociacionit nga Albin Kurti sa ishte në opozitë. Në këtë mënyrë, Kosova ia ka kufizuar vetes hapësirën e manovrimit, duke e shndërruar Asociacionin, sipas meje, në një gogol më të madh sesa është në të vërtetë”, thotë ai.

Sipas Maliqit, një mënyrë për të ndryshuar këtë qasje do të ishte që Kosova t’i lidhte hapat drejt themelimit të Asociacionit me përparimin në integrimin ndërkombëtar, përmes një marrëveshjeje me aleatët perëndimorë.

“Tashmë është folur, për shembull, për mundësinë që Kosovës t’i jepet statusi i kandidatit në BE me ndonjë hap rreth Asociacionit, por edhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Që Kosova dhe Perëndimi të ecin në një drejtim vetë, pa pritur shumë angazhim prej Qeverisë së re në Beograd”, thotë ai.

Kjo mundësi lidhet me dy procese në të cilat Kosova nuk ka shënuar përparimin e synuar.

Ajo aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022, por mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa statusin e kandidatit.

Edhe përpjekja për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës ngeci në vitin 2024, pasi disa vende anëtare kërkuan hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit.

Në të dyja rastet, përparimi varet nga vendimet e partnerëve evropianë dhe nuk mund të garantohet vetëm përmes veprimeve të Kosovës.

E, në një kohë kur krizat dhe sfidat e sigurisë po marrin pjesën më të madhe të vëmendjes evropiane, për Kosovën bëhet gjithnjë e më e rëndësishme të gjejë mënyra për ta mbajtur çështjen e integrimit të saj në agjendën e Brukselit./REL

Tags: KosovaKryesoret
SendShare2Tweet2

Lajmet e fundit

Zelensky i kërkon SHBA-së dhe Musk të heqin kufizimet e Starlink dhe të jenë në anën e duhur të historisë

15/11/2026

Negociatat për Ukrainën, burimet evropiane: Formati “E5” në Dublin, një hap drejt politikës së jashtme të përbashkët të BE-së

15/11/2026

Prapaskenat e Asamblesë / Xhafaj tha se përjashtimet duhet të ndodhnin më parë! Majko kritika për Veliajn, Braçe flet për garë…

15/11/2026

Zbulohen dy tentativa kontrabande në Kapshticë, sekuestrohen cigare dhe mallra të padeklaruara në dy autobusë

15/11/2026

Rekord emigrantësh në Ishujt Kanarie, rreth 1500 persona mbërrijnë brenda një dite në Spanjë

15/11/2026

Trump, Putin dhe Xi në një pikturë, detaji që rikthen në vëmendje Jaltën e vitit 1945

15/11/2026

Abdylaqimët e djegies së 28 nëntorit

15/11/2026

Miratohen tre projektligjet kyçe për kriptoasetet, sigurinë detare dhe strehimin social

15/11/2026

Dhomat e Specializuara, të martën shpallet aktgjykimi në rastin e pengimit të drejtësisë për Hashim Thaçin dhe katër të akuzuarit e tjerë

15/11/2026

Të përjashtuara nga talibanët, vajzat dhe gratë afgane po mbeten pa shkollim edhe në Iran e Pakistan

15/11/2026

Estonia do të mbyllë kufirin me Rusinë: Urdhëruan sulm ndaj kompanisë së dronëve

15/11/2026

Avantazhi që Shqipëria nuk e reklamon

15/11/2026

Pse beteja politike e Veliajt nuk e ndihmon betejën e tij me drejtësinë

15/11/2026

Gjekmarkaj: Kronikë nga asambleja e “shpirtrave të vdekur”!

15/11/2026

Përplasje në Filipine për vizitën e Trump, qytetarët dalin në rrugë kundër presidentit amerikan!

15/11/2026
Facebook Twitter Instagram LinkedIn
AlbTimes

Të fundit

  • Zelensky i kërkon SHBA-së dhe Musk të heqin kufizimet e Starlink dhe të jenë në anën e duhur të historisë
  • Negociatat për Ukrainën, burimet evropiane: Formati “E5” në Dublin, një hap drejt politikës së jashtme të përbashkët të BE-së

Shfletoni

  • Botë
  • Dossier
  • Editorial
  • Jetë
  • Kosovë
  • Kronikë
  • Kryesore
  • Kuriozitete
  • Opinion
  • Politikë
  • Sociale

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
SAVED POSTS

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.