Nga Ardit Rada
Ka një ëndërr që duket se po ua prish gjumin këto ditë kundërshtarëve të Edi Ramës: që kryeministri të zgjohet një mëngjes dhe të zbulojë se Belinda Balluku i ka marrë partinë peng. Ose, të paktën, një pjesë aq të madhe të saj, sa për t’ia kthyer Asamblenë Kombëtare të socialistëve në një arenë gladiatorësh.
Me afrimin e së shtunës, kur Partia Socialiste do të mbledhë Asamblenë Kombëtare, mediat pranë opozitës kanë nisur një garë entuziazmi për të paralajmëruar një tërmet politik. Sipas tyre, marrëdhënia mes Ramës dhe Ballukut nuk është thjesht krisur. Ajo qenka shndërruar në një luftë të hapur pushteti, ku ish-zëvendëskryeministrja, e armatosur me një ushtri deputetësh besnikë, nuk pranon më t’i bindet njeriut që e promovoi politikisht.
Burimi i këtij skenari që premton të tronditë themelet e mazhorancës? Një status në rrjetet sociale i një gazetari, ish-kandidat për deputet i Sali Berishës. Në ditët pasuese, ekranet janë mbushur me analistë që dinë me ekzaktësi së ç’është thënë në takime kokë më kokë mes Ramës dhe Ballukut. Në ndonjë rast imitojnë edhe tonalitetin e zërit me të cilin kane folur. Ndërkohë që asnjëri prej të dyve nuk duken të afërt me ndonjë prej këtyre analistëve saqë t’u rrëfehen nëse takime të tilla kanë ndodhur. Apo aq më tepër t’u tregojnë edhe se çfarë kanë thënë.
Por kjo është vetëm hyrja e komedisë. Pjesa më interesante e kësaj historie nuk është sherri i supozuar Rama–Balluku. Për të nuk dimë saktësisht se kur ka ndodhur, aq më tepër kur kryeministri e ka kaluar një pjesë të mirë të javës në udhëtime jashtë vendit. Jo. Kryevepra e vërtetë është pretendimi se Belinda Balluku komandon plot 44 deputetë socialistë. Dyzet e katër! Një shifër që, po të ishte e vërtetë, do ta kthente Ballukun jo thjesht në një politikane me ndikim, por në drejtuesen e një partie brenda partisë. Në një qendër alternative pushteti, me një peshë parlamentare që do të sfidonte drejtpërdrejt autoritetin e Edi Ramës.
Dhe këtu qëndron paradoksi më zbavitës i gjithë kësaj historie: në përpjekjen për të shpallur fundin politik të Ballukut dhe fillimin e një lufte të brendshme në PS, mediat opozitare po i bëjnë asaj një reklamë politike që vështirë se do t’ia kishte bërë edhe zyra më e zellshme e propagandës. Po e portretizojnë si një lidere me ushtri deputetësh, me strukturë të konsoliduar, me pushtet të pavarur dhe me aftësinë për t’i thënë “jo” kryeministrit. Me pak fjalë, duke dashur ta rrëzojnë, po e shpallin më të fuqishme se kurrë.
Sigurisht, nëse Balluku do të kishte realisht 44 deputetë që i përgjigjeshin asaj dhe jo kryetarit të partisë, kjo nuk do të ishte më një thashethem korridoreve. Do të ishte një zhvillim politik me pasoja serioze për ekuilibrat e pushtetit në Shqipëri. Por problemi i këtij skenari është se ai përplaset me një realitet që e njohin mirë të gjithë ata që kanë ndjekur historinë e Partisë Socialiste gjatë dy dekadave të fundit.
Belinda Balluku mund të akuzohet për shumë gjëra, mund të kritikohet për mënyrën si ka ushtruar pushtetin dhe mund të jetë objekt i debatit më të ashpër politik e publik. Por një gjë është e vështirë t’i faturohet: rebelimi ndaj Edi Ramës.
Përkundrazi. Në gjithë karrierën e saj politike, Balluku ka qenë ndër bashkëpunëtoret më besnike të kryeministrit. Jo vetëm nuk ka shfaqur ambicie për t’u përballur me të, por ka qenë ndër njerëzit që kanë zbatuar me më shumë përpikëri detyrat dhe përgjegjësitë që ai u ka besuar. Dhe pikërisht kjo marrëdhënie besimi shpjegon edhe fuqinë që Balluku fitoi në qeveri.
Rama i dha asaj një hapësirë kompetencash që rrallëherë e kanë pasur paraardhësit e saj në postin e numrit dy të ekzekutivit. Një përqendrim i tillë përgjegjësish nuk ishte produkt i ndonjë kryengritjeje të brendshme, por rezultat i një vendimi politik të vetë kryeministrit.
Madje, edhe kur Balluku u përball me kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e saj, Rama mbajti një qëndrim mbrojtës që shumëkush e interpretoi si një përjashtim nga praktika që ai kishte ndjekur me zyrtarë të tjerë socialistë. Ky qëndrim tregoi se raporti politik mes tyre nuk mund të përshkruhej aq lehtë si një marrëdhënie e shkatërruar nga mosbesimi.
Atëherë, nga buron gjithë ky pasion për të zbuluar një luftë që askush nuk arrin ta provojë?
Përgjigjja mund të jetë më interesante sesa vetë thashethemi. Në kushtet kur opozita nuk po arrin ta sfidojë politikisht Ramën, duket se ka zgjedhur të shpresojë se këtë punë do t’ia bëjë dikush tjetër. Mundësisht, dikush nga brenda Partisë Socialiste. Dhe meqenëse një përballje e tillë nuk po shfaqet në realitet, ajo mund të ndërtohet në tituj portalesh, në statuse rrjetesh sociale dhe në rrëfime me burime që, për arsye të kuptueshme, mbeten gjithmonë anonime…
Por nuk përjashtohet që kjo histori të ketë edhe një dimension tjetër. Zëra të caktuar brenda vetë Partisë Socialiste, të cilët nuk kanë as peshën dhe as guximin për ta sfiduar drejtpërdrejt Ramën në forumet partiake, mund të kenë interes të ushqejnë perceptimin e një përçarjeje mes tij dhe Ballukut.
Në fund të fundit, është shumë më e lehtë të organizosh një rebelim në faqet e një portali sesa në sallën e mbledhjeve të grupit parlamentar socialist. Dhe për këtë punë, mediat pranë PD-së ofrojnë terrenin ideal.
Kjo histori tregon më shumë për gjendjen e opozitës sesa për marrëdhënien mes Ramës dhe Ballukut. Një opozitë që nuk arrin të prodhojë një alternativë bindëse, fillon të kërkojë shpëtim te përçarja e kundërshtarit. Dhe kur përçarja nuk duket, përpiqet ta shpikë.
Ndërsa lidhjet e shkurtra mes “burimeve konfidenciale” të mazhorancës dhe portaleve opozitare vazhdojnë të prodhojnë spektakël për publikun, fallxhorët mediatikë presin me padurim Asamblenë e së shtunës. Ndoshta këtë herë do të dalë parashikimi. Ndoshta Rama do të humbasë kontrollin e partisë. Ndoshta Balluku do të shfaqet me 44 deputetët e saj dhe do të kërkojë çelësat e selisë rozë. Por deri atëherë, një gjë është e sigurt: Kur nuk ke fuqi ta mundësh kundërshtarin, fillon të ëndërrosh se do të mundet vetë. Dhe kur as ëndrra nuk mjafton, e boton si lajm.
