AlbTimes
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
Home Opinion

Beqir Balluku, një tavolinë dhe pesëdhjetë vjet frikë

by Alb Times
13/11/2026
in Opinion
6
0
Beqir Balluku, një tavolinë dhe pesëdhjetë vjet frikë

Foto: Opinion

6
SHARES
311
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Për më shumë se gjysmë shekulli, tavolina e Beqir Ballukut qëndroi larg zyrës së ministrit të Mbrojtjes. Diktatura kishte rënë, por frika që e kishte larguar tavolinën kishte mbijetuar. Derisa Ermal Nufi e gjeti në një korridor.

Nga Albatros Rexhaj

Në një korridor të Ministrisë së Mbrojtjes, mes sendeve që kishin humbur prej kohësh vlerën në sytë e atyre që vendosnin për fatin e tyre, ndodhej një tavolinë e madhe prej druri të errët. Me këmbë të gdhendura, zbukurime të punuara me dorë dhe një shqiponjë dykrenore në ballë. Një mobilie që, edhe pa ia njohur historinë, e kuptoje se nuk ishte bërë për ndonjë zyrë të zakonshme.

Ishte lënë aty për t’u hedhur.

Ermal Nufi, ministri i Mbrojtjes, e pa rastësisht. I tërhoqi vëmendjen punimi, materiali, përmasat. Pyeti për të.

Mbi të kishin punuar dikur ministrat shqiptarë të Mbrojtjes. I fundit që e kishte përdorur ishte Beqir Balluku. Pas arrestimit dhe ekzekutimit të tij, tavolina ishte larguar nga zyra. Për dekada të tëra kishte mbetur nëpër ambiente të tjera të Ministrisë, derisa përfundoi në atë korridor.

Arsyeja e largimit, siç ma tregoi vetë ministri pas një interviste që bëra me të, kishte qenë supersticioni. Ministrat që erdhën pas Ballukut nuk donin të uleshin në tavolinën e një njeriu që kishte përfunduar përpara skuadrës së pushkatimit.

Duket si histori folklorike, nga ato që qarkullojnë nëpër institucione dhe që njerëzit i përcjellin me buzëqeshje. Deri kur pyet kush ishte Beqir Balluku.

Kishte qenë ministër i Mbrojtjes për më shumë se dy dekada. Ishte një nga njerëzit më të fuqishëm të regjimit komunist, pjesë e sistemit që kishte ndihmuar të ndërtohej dhe e mekanizmave të tij të dhunës. Nuk ishte një i pafajshëm i humbur rastësisht në oborrin e diktaturës.

Balluku gëzonte respekt në ushtri. Autoriteti i tij mbështetej edhe te marrëdhënia me oficerët, te përvoja dhe njohja e strukturave ushtarake.

Në fillim të viteve shtatëdhjetë, drejtues të ushtrisë shqiptare u përfshinë në hartimin e një koncepti mbrojtës që i jepte më shumë rëndësi manovrës dhe lëvizshmërisë, në vend të mbështetjes së ngurtë te pozicionet mbrojtëse. Ishte një përpjekje për të futur mendim profesional në një doktrinë që përcaktohej, para së gjithash, nga vullneti politik i Enver Hoxhës.

Dokumentet hynë në histori me emrin Tezat e Zeza.

Unë besoj se këtu duhet kërkuar një pjesë e shpjegimit për fatin e Ballukut.

Një ushtri që modernizohet ia rrit prestigjin atij që e drejton. Dhe prestigji që lind nga respekti i ushtarakëve është një lloj autoriteti që diktatori nuk e kontrollon dot plotësisht. Mund të emërosh një ministër, mund ta shkarkosh, por nuk mund t’i urdhërosh njerëzit se kë duhet të respektojnë.

Për Enver Hoxhën, një ministër i tillë mund të kthehej në kërcënim edhe pa pasur asnjë plan për ta rrëzuar.

Në verën e vitit 1974 Balluku u godit politikisht. Në dhjetor u arrestua. Më 5 nëntor 1975 u ekzekutua bashkë me Petrit Dumen dhe Hito Çakon, të akuzuar për një komplot ushtarak për të cilin nuk janë paraqitur prova bindëse.

Pastaj erdhi radha e kujtimit të tyre.

Diktaturat kanë një marrëdhënie të veçantë me kujtesën. Pasi e largojnë njeriun, duan ta largojnë edhe nga historia, nga fotografitë, nga muret, nga bisedat. E, ndonjëherë, edhe nga sendet që ka përdorur.

Tavolina e Ballukut mbeti pa të zot.

Largimi i saj nuk e ndryshoi fatin e njerëzve që trashëguan postin.

Mehmet Shehu, që mori Ministrinë e Mbrojtjes pas Ballukut, u gjet i vdekur në dhjetor 1981 dhe u shpall armik i partisë. Kadri Hazbiu, që e pasoi Shehun në atë ministri, u arrestua dhe u pushkatua në shtator 1983.

Dy njerëz të tjerë, me pushtet të jashtëzakonshëm, të përpirë nga i njëjti sistem të cilit i kishin shërbyer.

Fati nuk ishte i fshehur në dru.

Enver Hoxha vdiq. Diktatura ra. Shqipëria u bë republikë pluraliste, ndryshoi aleancat dhe hyri në NATO. Në zyrën e ministrit të Mbrojtjes u ulën njerëz të tjerë, të ardhur nga parti dhe breza të ndryshëm.

Tavolina vazhdoi të mbetej jashtë.

Nuk e dimë nëse secili prej tyre e njihte historinë, as sa prej tyre besonin vërtet në tersin e saj. Por një vendim i lindur në atmosferën e frikës së diktaturës kishte mbijetuar pa pasur më nevojë për diktatorin.

Kështu trashëgohet frika, në heshtje. Pushon së kërkuari shpjegime dhe kthehet në zakon. Njerëzit vazhdojnë të bëjnë diçka sepse kështu e kanë gjetur, derisa një ditë askush nuk e mban mend përse.

Kur dëgjoi historinë e tavolinës, Ermal Nufi e ndaloi hedhjen e saj. Kërkoi vetëm ta pastronin, pa restaurime që do t’ia fshinin shenjat e kohës, dhe ta kthenin në zyrën e ministrit.

Bashkë me zyrën, një ministër trashëgon edhe historinë e institucionit, me arritjet, gabimet, padrejtësitë dhe krimet që kanë ndodhur në emër të tij. Nuk ka detyrimin t’i mbrojë paraardhësit. Ka detyrimin të mos i fshijë nga historia.

Beqir Balluku mbetet me përgjegjësitë që kishte si pjesë e regjimit. Tavolina e kthyer thotë vetëm se ai ka qenë aty, dhe se fundi i tij ka pushuar së qeni arsye për ta fshehur.

Sot tavolina është përsëri në zyrën e ministrit të Mbrojtjes.

Mbi të ka kompjuterë, telefona, dokumente dhe sende të zakonshme pune. Në njërën anë qëndrojnë flamuri shqiptar, ai i NATO-s dhe flamuri i Bashkimit Evropian.

Në ballë ka të njëjtën shqiponjë dykrenore që kishte edhe kur mbi të punonte Beqir Balluku.

Tags: KryesoretOpinion
SendShare2Tweet2

Lajmet e fundit

Reforma Zgjedhore, Berisha ftesë partive opozitare: Të bashkohemi kundër Ramës! Lista plotësisht të hapura dhe një zonë e vetme kombëtare

13/11/2026

Zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, KQZ zbulon kur publikohet lista e parë e zgjedhësve

13/11/2026

Shiste drogë në Qerret, arrestohet 35-vjeçari i dyshuar!

13/11/2026

Balla prezanton ndryshimet në ligjin për strehimin social: 30% e banesave për familjet në nevojë

13/11/2026

Kush është ish-inxhinierja e helikopterëve, kandidatja që pritet të bëhet presidentja e parë grua e Gjermanisë?

13/11/2026

Ah, sikur të bjerë shi në ditën e Evropës

13/11/2026

Pagat e gjyqtarëve / SPAK merr në pyetje sekretarin e Përgjithshëm të Financave!

13/11/2026

Lëvizte me taksi i armatosur me pistoletë, arrestohet 30-vjeçari në Tiranë, në pranga edhe pasagjeri tjetër

13/11/2026

Rritet me 80% financimi për trashëgiminë kulturore, ministri zbulon planet për vitin 2027

13/11/2026

Dubai, streha e të kërkuarve për trafik kokaine! Nga “Napoleoni” te bosët e klaneve shqiptare

13/11/2026

Tjetërsuan 44 mijë metra katror tokë shtetërore në Fier, në burg 3 ish-zyrtarë të Kadastrës dhe një notere

13/11/2026

Opozita e pashpresë, që fle me ëndrrën e sherrit Rama–Balluku

13/11/2026

Shqiptari vret gruan me 3 plumba dhe 40 goditje me kaçavidë, besonte se ajo ishte shtrigë

13/11/2026

Sikur Rama të merrej me kazanin?

13/11/2026

Ligji për gjykatën speciale në Hagë drejt rivotimit, PDK kërkon kalimin e legjislacionit të pandryshuar, më pas amendimin e tij

13/11/2026
Facebook Twitter Instagram LinkedIn
AlbTimes

Të fundit

  • Reforma Zgjedhore, Berisha ftesë partive opozitare: Të bashkohemi kundër Ramës! Lista plotësisht të hapura dhe një zonë e vetme kombëtare
  • Zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, KQZ zbulon kur publikohet lista e parë e zgjedhësve

Shfletoni

  • Botë
  • Dossier
  • Editorial
  • Jetë
  • Kosovë
  • Kronikë
  • Kryesore
  • Kuriozitete
  • Opinion
  • Politikë
  • Sociale

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
SAVED POSTS

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.