Nga Eduard Zaloshnja
Në prill drejtova një vrojtim statistikor kombëtar për fondacionin gjerman Konrad-Adenauer-Stiftung. U anketuan ballë për ballë 1111 banorë të rritur nga Vermoshi në Konispol, me shpërndarje proporcionale mes zonave urbane e rurale, gjinisë, dhe grupmoshave. Ndër shumë pyetje, të anketuarve iu bë edhe kjo pyetje “Sa janë të ardhurat mujore të familjes suaj?”
Mbi gjysma e të anketuarve u përgjigjën nga 1 deri në 750 euro (4.9% 1-300 euro; 20% 300-500 euro; 25.6% 500-750 euro në muaj).
Po si e përballon jetësën kjo gjysma e familjeve shqiptare me të ardhura mujore nga 1-750 euro në muaj?
Shumica dërrmuese e tyre (95.5%) banonin në shtëpitë e tyre (sipas përgjigjeve që dhanë në anketim). Domethënë, nuk paguajnë qira për banim. Sidoqoftë, shpenzimet e tjera janë të papërballueshme për to, po të mbahet parasysh që shpenzimet mesatare të familjeve shqiptare janë 1000 euro në muaj (sipas INSTAT-it).
Dhe këtu na vjen në ndihmë një pyetje tjetër për të anketuarit në vrojtimin statistikor të sipërpërmendur “A ju ndihmojnë shpesh të afërm në emigracion me dërgesa në valutë?”
Mbi 9 ndër 10 të anketuar me të ardhura familjare mujore nga 1 deri në 750 euro u përgjigjën “shpesh” ose “rrallë”. Domethënë, shumica dërrmuese e tyre mbijetojnë falë ndihmave të të afërmve në emigracion.
Dhe në fakt, sipas Bankës së Shqipërisë, dërgesat valutore nga emigracioni arritën vjet shifrën rekord 1 miliard e 120 milionë euro. Duke gjykuar nga vrojtimi i mësipërm statistikor, gjasat janë që shumica dërrmuese e këtyre dërgasave valutore nga emigracioni të kenë ndihmuar për mbijetesën e familjeve me 1 deri 750 euro të ardhura mujore.
