Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka vlerësuar se arrestimi dhe vendosja fillestare në paraburgim e Fredi Belerit në maj të vitit 2023 ishte e ligjshme dhe e mbështetur në arsye të mjaftueshme.
Në vendimin e publikuar më 10 nëntor, GJEDNJ thekson se në fazën fillestare të hetimit ekzistonin arsye relevante për paraburgimin, përfshirë rrezikun e largimit, ndikimit te dëshmitarët dhe përsëritjes së veprës penale.
Gjykata konstatoi se në këtë fazë nuk kishte shkelje të nenit 5, paragrafi 3, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Gjykata vendos se nuk ka pasur shkelje të nenit 5 § 3 të Konventës lidhur me vendosjen fillestare të kërkuesit në paraburgim,” thuhet në vendimin e GJEDNJ.
Megjithatë, GJEDNJ arriti në një përfundim tjetër për vazhdimin e paraburgimit. Sipas vendimit, nga të paktën 19 korriku 2023, kur Beleri u mor zyrtarisht i pandehur, gjykatat shqiptare nuk dhanë më arsye të mjaftueshme për vazhdimin e masës së arrestit në burg dhe nuk shqyrtuan në mënyrë të plotë masa alternative më të buta. Për këtë periudhë, Gjykata konstatoi shkelje të nenit 5 § 3.
GJEDNJ i akordoi Belerit 450 euro për dëm jopasuror dhe 5 mijë euro për shpenzimet gjyqësore.


