Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka deklaruar se asnjë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës nuk mund të zbatohet pa përfshirjen e Bashkimit Evropian.
Pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të rajonit të Baltikut në Varshavë, Kallas theksoi se ende nuk dihet se kur dhe në çfarë kushtesh mund të arrihet një marrëveshje mes Moskës dhe Kievit. Megjithatë, ajo nënvizoi se roli i BE-së do të jetë i domosdoshëm në zbatimin e çdo marrëveshjeje të mundshme.
Deklarata e saj vjen në një moment kur janë shtuar përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, ndërsa në Evropë ka shqetësime për mundësinë e zhvillimit të negociatave pa përfaqësimin e vendeve anëtare të BE-së.
Edhe Gjermania ka kundërshtuar negociatat për Ukrainën pa pjesëmarrjen e partnerëve evropianë. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, bëri të ditur se kancelari Friedrich Merz dhe presidenti amerikan Donald Trump kanë diskutuar në një bisedë telefonike mbi ecurinë e negociatave dhe hapat e ardhshëm drejt përfundimit të konfliktit.
Sipas qëndrimit të Berlinit, lufta duhet të përfundojë përpara se të diskutohet për një rend të ri sigurie në Evropë, ndërsa çdo marrëveshje duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të marrë miratimin e të gjitha palëve.
