Nga Fatos Çoçoli
“Bluenami(cunami blu)” është një cilësim i përdorur dje nga mediat e majta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të karakterizuar fitoren e shumicës në Kongresin Amerikan, të Partisë Demokratike amerikane ndaj Partisë Republikane të Presidentit Donald Trump, në zgjedhjet e 4 nëntorit 2026 në mesin e mandatit të tij presidencial.
Pyetja që shtrohet dhe që mund të shqetësojë shumë prej nesh që i kanë për zemër dy investime strategjike me vlerë tërësore 4 miliardë dollarë tek ne është: a mund të ndikojë dobësimi politik i Donald Trump në Kongresin Amerikan, në të ardhmen e dy investimeve strategjike për turizmin shqiptar, duke qenë se në projektin e Sazanit është i përfshirë edhe dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner, ndërsa investimet në Zvërnec lidhen me interesat e dy vëllezërve miliarderë nga Katari, Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat, të lobuar po nga Kushner?
Përgjigjja është jo. Humbja e shumicës parlamentare nga republikanët në mesin e mandatit të Presidentit Trump nuk ka të bëjë me të ardhmen e dy projekteve të mësipërme private në Shqipëri.
Katër miliardë dollarë, një mundësi e jashtëzakonshme për ekonominë shqiptare
Shqipëria ka hyrë në një fazë ku turizmi është shndërruar në industrinë dhe sektorin numër një të vendit, me një xhiro 7.8 miliardë euro vitin e kaluar(5.5 miliardë euro pjesa formale dhe 2.3 miliardë euro pjesa informale) dhe që, për këtë vit parashikohej t’i kalonte 9 miliardë eurot, por të mos ishte pasiguria e sjellë nga protestat e dhunshme të gjysmës së dytë të tetorit në Tiranë.
Megjithatë, rritja e ndjeshme e numrit të vizitorëve të huaj, zgjerimi i kapaciteteve akomoduese dhe interesimi i investitorëve ndërkombëtarë kanë krijuar mundësi të reja për zhvillimin tonë ekonomik.
Në këtë kontekst, projektet në Sazan dhe Zvërnec kanë një rëndësi të veçantë. Bëhet fjalë për dy investime që, nëse realizohen, do të ndryshojnë ndjeshëm hartën turistike të Shqipërisë.
Përmasat financiare dhe ekonomike të tyre janë të jashtëzakonshme: rreth 4 miliardë dollarë vlerë e përgjithshme e deklaruar e investimit për të dy projektet, investime në struktura turistike të nivelit të lartë, zhvillim i infrastrukturës mbështetëse, krijim i mijëra vendeve të reja të punës dhe rritje e kërkesës për produkte dhe shërbime nga bizneset shqiptare.
Në qendër të interesit për projektin turistik në Zvërnec janë dy sipërmarrësit Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat, vëllezër me origjinë siriane, të cilët kanë ndërtuar një aktivitet të fuqishëm ekonomik në Katar dhe në tregjet ndërkombëtare.
Ata drejtojnë kompaninë “Power International Holding (PIH)”, një konglomerat me seli në Katar, me interesa në disa sektorë të ekonomisë, e cila ka ndërtuar pjesën më të madhe të strukturave sportive(stadiume, etj.) dhe turistike të mega-projektit “Katar Kupa e Botës 2022 në Futboll”.
Në Shqipëri, interesat e tyre lidhen me projektin e madh turistik në gadishullin e Zvërnecit, përmes strukturave të kompanive të rregjistruara tek ne “Albania Land Development” dhe “Zvernec South Adriatic Development sh.p.k.. Këto struktura korporative janë pjesë e një organizimi investimesh që kërkon transparencë për pronësinë përfundimtare, financimin, detyrimet kontraktore dhe përgjegjësitë e seicilit investitor.
Rëndësia e këtij projekti nuk qëndron vetëm te kapitali i huaj që do të sjellë në Shqipëri, por edhe te mundësia për të tërhequr një kategori turistësh me fuqi të lartë blerëse.
Në projektin për një resort turistik elitar në 8 përqind të sipërfaqes së ishullit të Sazanit, me vlerë të deklaruar deri 1.4 miliardë dollarë, investuese është edhe kompania “Affinity Partners”, kompani private e investimeve, e themeluar nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump.
Projektet në Sazan dhe Zvërnec: ekonomikisht të qëndrueshëm dhe institucionalisht të pavarur nga çfarëdo mbështetje politike
Në dy vitet e fundit, që nga nisja e presidencës së dytë të Donald Trup, Jared Kushner nuk ka mbajtur asnjë post zyrtar në administratën amerikane. Ai nuk duhet ngatërruar me të dërguarit zyrtarë të Presidentit, të cilët kanë kompetenca dhe përgjegjësi institucionale. Përfshirja e tij në iniciativa diplomatike apo këshillimore, si në procesin e paqes në Gaza apo në procesin për zgjidhjen e konfliktit të agresionit ushtarak të Putin në Ukrainë, nuk e shndërron atë kurrsesi në funksionar shtetëror dhe nuk përbën konflikt interesi në SHBA e në çdo vend tjetër.
Nga ana tjetër, fakti që ai është dhëndri i presidentit amerikan dhe një investitor privat krijon një lidhje të dukshme mes interesave të biznesit dhe rrethit familjar të kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Për Shqipërinë, investimi i Kushner ka një anë shumë pozitive, pasi përfshirja e një fondi të njohur investimesh amerikan i jep projektit të Sazanit një profil ndërkombëtar dhe tërheq kapital, partnerë, brende dhe operatorë turistikë ndërkombëtarë shumë të rëndësishëm. Edhe lobimi i tij dhe i së shoqes Ivanka Trump, vajzës së Presidentit Trump për Zvërnecin janë shumë të rëndësishëm po për të njëjtë faktorë të mësipërm, duke e lidhur Shqipërinë me interesat investuese të dy investuesve miliarderë që kanë ndërtuar shumicën e mrekullisë së mjediseve sportive dhe turistike të Kupës së Botës 2022 në Katar.
Kjo është arsyeja pse si Sazani, edhe Zvërneci janë projekte ekonomikisht të qëndrueshëm dhe institucionalisht të pavarur nga mbështetja politike e cilësdo administratë amerikane.
Zhvillimet politike në Shtetet e Bashkuara janë të rëndësishme për Shqipërinë, por nuk kanë të bëjnë me faktorët realë që përcaktojnë suksesin e dy investimeve turistike strategjike tek ne, si në Sazan dhe në Zvërnec. Faktori kryesor që përcakton të ardhmen e këtyre investimeve është ecuria e turizmit tonë. Qetësimi i situatës dhe mungesa e protrestave të dhunshme në ditët e fundit në Tiranë përbëjnë një ogur të mirë për to.
