Nga Jakin Marena
Në hapësirën mbarëshqiptare ka me të vërtetë zhvillime politike, që fillojnë nga ato më normalet dhe përfundojnë tek ato më të çuditshmet. Madje dhe për syrin e pastërvitur të një qytetari që nuk i interson politika fare dhe ka si qëllim në vetvete, marrjen me punët e veta!
Ama, Shqipëria duket se i ka dhënë fund periudhës së tensionuar të protestave, të cilat nisën që në maj të këtij viti dhe teksa ato kanë kaluar nëpër dy faza, tashmë me sa duket qetësia ka nisur t’u buzëqeshë edhe qytetarëve të kryeqytetit! E themi këtë, sepse rrethet kishin kohë që ishin rikthyer në qetësinë e nevojshme, pasi protestat vijuan disa ditë dhe pastaj u shuan vetë!
Në fillim protesta nisi si ‘revolucion Flaming’, me pjesëmarrjen e mijëra vetëve, për t’u shuar më pas dhe për t’u katandisur në sherre mikrofoni, akuza për përvetësim parash e përplasje të tjera të këtij lloji, pa mundur të nxjerrin një kokë apo trupë drejtuese, që do ta konsolidonte këtë lëvizje për të vënë në vështirësi klasën politike aktuale në Shqipërisë, sikurse dhe pretendonin e hidhnin parulla ditë pas dite! Ishte një mund, shpresë dhe lek i shkuar dëm mund të themi!
Por teksa ‘revolucioni’ u katandis njësoj si këto foltoret e Berishës, ku më shumë ‘protestohej’ në rrjetet sociale se sa në shesh, e ku shfrenohej fantazia dhe gjuha ndaj të gjithë atyre që nuk ishin në një mendje me ta, u shkatërruan madje edhe miqësi mes kolegësh duke filluar nga gazetaria e përfunduar te profesionet e tjera që përfaqësoheshin në këtë revolucion ‘fluid’, u gjet një ‘formulë’ tjetër e re për t’i dhënë sërish zë në mediat ndërkombëtare sidomos por dhe në ambientin politik shqiptar në Shqipëri dhe në rajon! Pa hequr dorë, të kuptohemi, nga linçimi që bëhej nëpër rrjetet sociale!
Kështu, nën ‘etiketën’ e lëvizjes studentore, në ‘skenën’ e Tiranës dolën maskat, teksa këtë të hënë kemi hyrë në ditën e 21-të të protestës së dhunshme, që startoi me sulmin ndaj forcave të policisë me molotovë, gurë, llastiqe me sfera metalike, fishekzjarre e mjete të tjera rrethanore! Nuk u kursyen as kokat e policëve, shumë prej të cilëve përfunduan të plagosur nëpër spitale, madje dhe me kafkë të çarë, ndërkohë që thyen, grabitën dhe dogjën që nga institucionet e shtetit shqiptar e deri te bizneset, bankat e nivelit të dytë, duke e vënë kryeqytetin nën terror!
Pavarësisht se Berisha e mori përsipër inicimin e kësaj proteste të dhunshme duke deklaruar se ishin anëtarët e FRPD ata që hodhën gurin e parë në drejtim të godinës së ministrisë së Arsimit, që ‘guerrilet’ e Berishës ishin pjesë e dhunës kjo nuk ha më as diskutim pasi jo vetëm që e pranoi vetë një gjë të tillë por u panë dhe me zë dhe figurë kapuçonët që hynin e dilnin nga selia e PD për t’u mbrojtur dhe për t’u furnizuar me molotov dhe lënë piroteknike që të qëllonin mbi policinë, institucionet dhe bizneset, kishte dhe grupe të tjera pjesëmarrëse në këtë dhunë! Vetëm studentë nuk kishte për hir të së vërtetës, ata ishin kthyer në minorancë, e ndonjë tek tuk kishte mbetur, më shumë për të bërë ndonjë video apo foto se sa për të protestuar!
Kanë ‘futur’ duart për organizimin e kësaj proteste të dhunshme me sulme, shkatërrime, vjedhje e djegie të institucioneve, bizneseve, bankave dhe çfarë u dilte përpara, duke terrorizuar Tiranën përgjatë gjithë ditës, adoleshentë të ‘kontraktuar’ nga neokomunistët e të financuar nga Antifa, jo për të rrëzuar Ramën dhe qeverinë e tij por që në koordinim edhe me degët e tjera në Europë, kryesisht në Francë, Itali, Spanjë, Portugali e deri në Gjermani e Danimarkë, për të destabilizuar vendet respektive, pra dhe Shqipërinë! Po zbardhen dhe ‘borderotë’ për këtë punë, dita ditës!
Luftën kundër kapitalizmit, oligarkisë dhe investimeve të huaja e kanë deklaruar hapur që nga neomarksisti Qori, e deri tek Gonja i ‘djathtë’ e Lapaj pa përcaktim ideologjik, të cilët kanë qenë aktivë në mbështetje të këtyre ‘guerrileve’ që ua bënë ‘malore’ jetën qytetarëve të Tiranës, të cilët janë parë me sytë nga qielli duke u lutur se ‘çfarë të bëmë o Zot që na i solle këta njerëz nga kushedi nga ky, që po na e nxijnë jetën, duke folur e vepruar edhe në emrin tonë, të popullit’!
Ndërkohë që një ‘trupë’ e konsoliduar në protestat e zhvilluara në Tiranë që nga maji i këtij viti dhe në veçanti në protestat e dhunshme që shënuan dhe ‘vdekjen’ e revolucionit Flaming, pra të këtyre 21 ditëve të fundit, ka qenë islami politik, pjesëtarët e të cilit kanë ‘zbarkuar’ me shumicë nga Maqedonia e Veriut, nga Prizreni e qytete të tjera të Kosovës, në përpjekje për të ‘rikthyer në rrugën e zotit Shqipninë, që na ka dalë duarsh e për të rrëzuar vëllaun e Vuçiçit’, sipas tyre.
Me gjithë ndërhyrjen e rreptë të autoriteteve shqiptare, duke shpallur madje dhe ‘non gratat’ e para dhe bllokuar disa prej tyre kufirin me Shqipërinë, sidomos ndaj islamit politik radikal që vinte nga Maqedonia e Veriut, prezenca e tyre ka qenë tepër e madhe dhe kanë qenë ‘skuadronët’ më të konsoliduar dhe më të devotshëm në protestat kundër qeverisë së Ramës, në përpjekje për ta rrëzuar këtë qeveri përmes dhunës! Anipse në RMV ka plot gjëra për të protestuar për të drejtat e shqiptarëve, të cilat, duke filluar nga gjuha, kohët e fundit janë cënuar rëndë!
Me sa duket, edhe arrestimi i ish kreut të SHISH me urgjencë pak para se të shpërthenin këto protestat e dhunshme, ka qenë edhe rastësi themi, ka ndikuar fort në shtimin e këtyre përpjekjeve të islamit politik për t’u përzierë në punët e brendshme të Shqipërisë, pasi Vlora Hyseni i kishte të gjitha listat e radikalëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Sanxhaku e Sarajeva, jo vetëm për shkak se ka qenë drejtuese e shërbimit sekret në Kosovë dhe në ballë të përplasjes me shërbimet e BIA-s, por dhe pse ka qenë në kontakt të fortë me shërbimet inteligjente homologe partnere!
Tashmë islami politik po guxon akoma më shumë, duke u shfaqur jo vetëm në protesta, dallohen lehtë për hir të së vërtetës për shkak të veshjes, fjalorit e sjelljes së tyre, por edhe në panelet televizive! Madje në mënyrë mjaft të organizuar, aq sa të pretendojnë për një parti islamike, e cila me shpresë të Zotit nuk do të mundë të depërtojë në dyert e gjykatave shqiptare, por t’u formalizuar zyrtarisht! Deri më tani janë mjaftuar me një organizim të rregullt, nën atë që quhet rëndom tashmë “Rinia nacionaliste’, e cila thuhet se ka zgjedhur kryetaren e saj, ka shpallur 10 pikat e saj e ku në asnjë cep nuk zë vend integrimi në BE! Dihet ajo punë, duan sherihatin!
S’kishin si të mungonin në këtë plan ‘përmbysjeje’ të qeverisë së Ramës në Tiranë ‘pasdaranët’ e Vetëvendosjes së Albin Kurtit, të cilët nën drejtimin e ‘pedagogut’ e ideologut neomarksist të qeverisë së Kurtit, Elvis Hoxhës, apo të drejtuesve të tjerë të Vetëvendosjes me orientim lindor dhe islamik, Hysamedin Ferraj bashkë me ‘trupën e patriotëve dixhitalë’, ngritën ‘çadrat’ në Tiranë dhe u përfshinë në protestë, me ‘dorë’ edhe në aktet e dhunshme! Madje kanë shtuar fort radhët, duke ‘përfaqësuar’ dhe diasporën, e cila me gjithë thirrjet deri në përgjërim, nuk erdhi kurrë për të marrë rolin e saj në protestë, sikurse pretendonin zërat flakë të ‘revolucionit’!
As Albini nuk ka munguar që të flasë për këto protestat në Tiranë, si për të thënë se ka qenë ‘dorëjashtë’ si qeveri, paçka se foli pikërisht në momentin kur i kishte ardhur vetë atij ‘veza’ në Kosovë, për shkak të protestës disaditore që ka nisur në Prishtinë dhe qytete të tjera, si reagim ndaj vrasjes së paralajmëruar të Arlinda Zekajt, e cila kishte lajmëruar policinë, prokurorinë dhe gjykatën se, ndaj saj kishte kërcënime me jete dhe se do ta vrisnin ata që e kishin ndarë nga djali!
Kurti, ka deklaruar se zhvillimet politike e protestat në Shqipëri po përcillen me shqetësim, duke theksuar se Kosova nuk duhet të shihet si rivale e Shqipërisë, teksa ka nënvizuar se protestat në Shqipëri, të cilat sipas tij për rreth 4 muaj ishin paqësore, në tetor u shoqëruan edhe me përplasje më të forta mes protestuesve e forcave të rendit. “Shqipërinë e duam gjithmonë dhe pavarësisht rrethanave. Ajo është pjesë e pandashme e qenies sonë kombëtare. Prandaj zhvillimet atje i përcjellim me shqetësim, me kujdes, me përgjegjësi e gjithsesi me dashuri”, ka thënë Kurti. Duke dalë në pikëpamjen tipike neomarkiste, ndërsa ka deklaruar se “është e rëndësisë jetike që ne shqiptarët t’ia dëshmojmë vetes se dimë të ndërtojmë drejtësi e demokraci që i qëndron trysnisë së kapitalizmit dhe qeverisje që nuk i përkulet oligarkisë”.
Teksa është përpjekur të komentojë zërat që, sipas tij, kanë tentuar ta lidhin LVV me protestat në Shqipëri, ai tha para militantëve të vet se “unë kam parë me habi zëra të ndryshëm që janë përpjekur t’ia faturojnë dhe Vetëvendosjes këto protesta që zhvillohen në Republikën e Shqipërisë. Por, ne sot jemi forcë qeverisëse dhe nuk jemi forcë protestuese. Ne jemi në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës e Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë rivale e motrës së saj. Ne gëzohemi për avancimet e Shqipërisë drejt BE apo për arritjet e ekonomisë dhe të turizmit në Shqipëri”.
Pra, Albini e bën nënën Shqipëri ‘motër’, pavarësisht se deri më tani Shqipëria është cilësuar si ‘shteti amë’, për shqiptarët e Kosovës dhe mbarë hapësirat në rajon ku jetojnë! Hajde merre vesh Kurtin, i cili edhe ka folur, tamam si neomarksistët e Qorit dhe përfaqësuesit e Antifës! Duke u shprehur për përplasjet gjatë protestave, ai ka thënë se dhuna e lëndimet e njerëzve janë shqetësuese, porse duhet të analizohen edhe shkaqet që çojnë në përplasje, Albini nënvizoi se ‘nuk mjafton të përcaktohen vetëm përgjegjësit penalë të dhunës. Duhet të kuptohen edhe rrënjët e saj, kushtet që ushqejnë atë dhe arsyet që i shndërrojnë kundërshtitë në përplasje. Rendi publik dhe liria e protestës duhet të mbrohen njëkohësisht”.
Një deklaratë kjo që e vë zyrtarisht Kurtin në mbështetje të protestave në Shqipëri, teksa jep ‘leksione’ nga pozicioni si kryeministër i Kosovës, vendi më i izoluar në Evropë aktualisht, për Shqipërinë në prag të anëtarësimit në BE dhe anëtare e NATO-s se “ne duam një Shqipëri ku demokracia i mbijeton çdo qeverisjeje, ku institucionet janë më të forta se cilatdo forca të padrejtësisë e ku drejtësia është një konventë e aksion shoqëror në të cilën liria kombëtare merr kuptim përmes drejtësisë shoqërore”! ‘Porosi’ kjo përtej logjikës normale të një individi normal, por që nuk përbën aspak çudi për Albinin, i cili luftën ndaj qeverisë Rama dhe Shqipërisë e ka kthyer në një aset të vetin, madje duke e shpalosur dhe si platformë reale tek militantët e vet!
Dhe në fund të herës, situata është qetësuar! Revolucioni që nisi që në maj, me gjithë ulje-ngritjet e veta, herë i veshur si “Flamingo’ e herë i veshur me maska e i armatosur me molotov, kapsolla, fishekzjarre e mjete të tjera piroteknike, llastiqe me zara metalike, gurë e deri me qyski e varê për të shqyer dyert e dritaret e institucioneve të shtetit, bizneseve dhe bankave, me sa duket po shkon drejt shuarjes së plotë! Asnjë ‘injeksion’ nga Kosova, Maqedonia e Veriut, vendet e tjera të rajonit por dhe nga selia e PD, buzë Lanës, duket se nuk do të arrijë ta rindezë sërish! Thjeshtë do të vijojë të jetë sporadike, me kërkesa për dorëheqjen e Ramës, me thirrje ndaj atyre që nuk i mbështesin, por dhe me sherre mes tyre! Sherre me dhunë deri hedhje në Lanë të deputetit të PD, akuza për rrëmbim mikrofoni nga nekomunistët e deri akuza për vjedhje ndaj Gones!
Teksa Qori, Gonja, Lapaj e mbi të gjitha ‘konstruktori’ Berisha punuan fort që të mos lejohej kanalizimi i kësaj frymë proteste, sidomos në fillimet e vete drejt një lëvizjeje politike apo dhe drejt një partie politike që do të rrezikonte seriozisht opozitën sikurse ndodhi në Serbi me lëvizjen neto të studentëve që lindi nëpër auditore, duke futur duart e duke e shuar që në gjenezë krijimin e një opozite të re, tashmë gjithçka është kthyer në habitatin e vet!
Pra kemi revolucionin që kërkon popull për të realizuar ‘revolucionin’, qëndrimin sa më gjatë në bulevard, liderët e partive minore që llogarisin përfitimet dhe që janë nën frikën e shuarjes fare nga skena politike, dhe Berishën e trembur nga precedenti serb që pasi ‘vodhi’ protestën e studentëve përmes ‘guerrilieve’, tashmë po kërkon që të eliminojë të gjithë kandidatët rivalë opozitarë për 46 bashkitë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm! Megjithëse Gonja, Qori dhe islami politik po punojnë fort për të nxjerrë kandidatët e vet, nëse islami politik arrin të regjistrohet si parti politike në gjykatë. Ose së paku të vegjlit do të përpiqen për të bërë pazar me Berishën!
Dhe mbi të gjitha, gjithë kjo situatë politike në Shqipëri, e gërshetuar me situatën aktuale në Kosovë ka dhënë një rezultat domethënës për kreun e qeverisë së Kosovës. Albin Kurti është bërë me ‘motër’, duke e kthyer shtetin amë, Shqipërinë, në një shtet motër! Ngjarje e madhe kjo dhe për patriotët dixhitalë dhe krerët e tyre që lëvrijnë edhe në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Kështu e ‘afron’ më shumë Kosovën me Shqipërinë, me kilometra larg në fakt, sipas ‘kutit’ të Albinit! Për hajër i daltë. Shqipëria po shkon drejt BE, ku kufiri i fundëm i saj do jetë Morina!
