Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndryshuar institucionin e vuajtjes së paraburgimit për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili është transferuar nga IEVP Durrës në IEVP Fier.
Ky zhvillim shkaktoi reagime të shumta, teksa në një intervistë për Top Channel avokati i tij, Plarent Ndreca ka treguar edhe mbi prapaskenat në PS në lidhje me këtë vendim të marrë.
– Ka pasur deputetë të tjerë të PS që ju kanë kërkuar informacione për Veliajn? A i duket atyre situatë normale?
Ndreca: Jo, absolutisht. Dhe besoj se kjo është shprehur edhe sot në mbledhjen e grupit socialist, sepse nuk është vetëm z.Çuçi që e ka shprehur këtë, ai ndoshta ka qenë më i zëshmi.
Flas sipas informacionit që kam, sepse as unë nuk kam qenë prezent. Kanë qenë edhe anëtarë të tjerë të grupit parlamentar që e kanë mbështetur në këtë pikë.
Gjithashtu më kanë telefonuar më shumë se 7-8 kolegë shumë të shqetësuar, në gjendje mërzie përse ndodh kjo gjë dhe përse shkohet në këtë pikë. Sepse jemi të gjithë bashkë, një grup, dhe kjo është gjithë absurdi i kësaj historie.
Kur i bëhet kryetarit të bashkisë në detyrë, çfarë mund t’i bëhet një qytetari tjetër që ndoshta nuk e ka këtë vizualitet publik? Standardi është i njëjtë për çdo qytetar të Shqipërisë dhe nuk po kërkojmë privilegj për shkak të detyrës. Po kërkojmë t’i mundësojmë detyrën, duke e mbajtur afër.
Ti bëhet e mundur ushtrimi i detyrës, sepse është detyrim kushtetues. Është e drejtë që e ka çdo i paraburgosur, jo vetëm z.Veliaj. Aktualisht jemi në terr të plotë informativ. Që dje në 4 të pasdites kam dërguar e-mail zyrtar dhe nuk kam ende asnjë përgjigje.
