AlbTimes
Subscribe
SAVED POSTS
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
Home Opinion

Pushtetin sot. Aftësitë nesër. Po faturën kush e paguan?

by Alb Times
29/10/2026
in Opinion
6
0
Kur flakët prekin shtëpinë e arsimit

Foto: Opinion

6
SHARES
307
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Nga Pëllumb Karameta

Zonja Mirela Milori na e thjeshtoi punën. Sipas arsyetimit që parashtroi në një studio televizive, mëtuesve të pushtetit nuk duhet t’u kërkojmë ekspertizë shtetërore përpara se t’u besojmë drejtimin e vendit. Edhe Berisha e Nano vinin nga profesione të tjera dhe morën drejtimin e tij. Le t’u jepet mundësia edhe këtyre që kërkojnë sot qeverisjen; nëse nuk e bëjnë mirë, i largojmë me zgjedhje.

Ky arsyetim u vjen për shtat mëtuesve. Drejtimin na e besoni tani; aftësitë do t’i shihni më pas.

Mungesa e përvojës shtetërore nuk dëshmon paaftësi. Por as mundësia për t’ju larguar nesër nuk mjafton si arsye për t’ju besuar sot.

Zgjidhje me garanci. Ua besojmë drejtimin e shtetit, i shohim në punë dhe, nëse nuk bëjnë, i largojmë. Garancia mbulon ndërrimin e qeveritarëve. Për gjendjen në të cilën na kthehet shteti, nuk parashikon gjë.

Për ju që kërkoni të na qeverisni, oferta është bujare. Ne që do të qeverisemi kemi një pyetje: nëse prova juaj dështon, përse duhet ta paguajmë ne faturën?

Historia thirret si dëshmitare, por me kusht.

Berisha ishte kardiolog. Saktë. Por tani që dimë edhe çfarë ndodhi pasi u bë president, përse duhet ta ndërpresim biografinë e tij pikërisht te diploma? Përse na duhet profesioni që kishte përpara pushtetit dhe nuk na duhet bilanci që la pas tij?

Firmat piramidale dhe shembja e rendit më 1997 nuk mund të mungojnë kur shqyrtohet ai bilanc. As Gërdeci dhe 21 janari kur flitet për periudhën e tij si kryeministër. Përgjegjësitë duhen shqyrtuar një për një. Përjashtimi i pasojave nga biografia, megjithatë, është lehtësi që nuk na lejohet.

Edhe Nano përmendet për profesionin që kishte. Bilanci i qeverisjes së tij lihet për një bisedë tjetër. Kështu, nga të dyja biografitë marrim vetëm lajmin se erdhën në pushtet. Çfarë ndodhi më pas do ta ndërlikonte shembullin.

Për ju që kërkoni të qeverisni, shembulli është i volitshëm: ata e morën drejtimin e vendit, përse të mos e merrni edhe ju? Vetëm se ne po pyesim çfarë do të bëni me të.

E paguam shtrenjtë përvojën, pse të sillemi si fillestarë?

Në vitin 1992 kishim pasigurinë e fillimit. Shqiptarët po dilnin nga një sistem i mbyllur, me shpresën se ndryshimi do t’u sillte jetë më të mirë. Shumëçka duhej mësuar.

Sot kemi edhe çfarë kemi jetuar. Kemi parë se qeverisja e keqe nuk dëmton vetëm reputacionin e qeveritarit. Fatura nuk mbyllet ditën kur ai largohet. Megjithatë, na propozohet ta përsërisim provën me pafajësinë e herës së parë.

Kujtesa jonë, me sa duket, e ndërlikon procedurën.

Ju kërkoni t’ju shohim si fillim të ri. Ne nuk mund ta shqyrtojmë kërkesën tuaj me kujtesë të fshirë. Kemi paguar përvojën. Mos na kërkoni të heqim dorë edhe nga mësimi i saj.

Ata fitojnë përvojë në kurrizin tonë.

Askush nuk lind kryeministër. Dakord. Por midis lindjes dhe marrjes së detyrës ka kohë edhe për t’u përgatitur.

Me kë do të qeverisni? Çfarë zgjidhjesh propozoni? Me çfarë mjetesh do t’i realizoni?

Këto pyetje mund t’ju duken të parakohshme. Për ne do të ishte vonë ta zbulonim mungesën e përgatitjes suaj te pasojat e vendimeve tuaja.

Mund të keni plotësisht të drejtë për gabimet e qeverisë së sotme. Por duke renditur gabimet e saj, ende nuk na tregoni çfarë dini të bëni vetë. Aftësinë tuaj nuk mund ta dëshmojë paaftësia e tjetrit.

Për të na bindur, duhen përgjigjet tuaja. Përndryshe, kërkoni të përgatiteni duke qeverisur, me shpenzimet tona. Ju mësoni të qeverisni; ne mësojmë sa na kushton.

Pastaj largoheni me një rresht më shumë në jetëshkrim. Ne mbetemi me faturën e kualifikimit tuaj.

Herën tjetër mund të na kërkoni votën si njerëz me përvojë. Këtë herë do të keni të drejtë: përvojën jua kemi paguar ne.

Katër vjet kalojnë shpejt — sidomos në studio.

Në studio, nga dhënia e mundësisë te largimi me votë duhen pak sekonda. Në jetën tonë, ndërmjet tyre mund të ketë katër vjet qeverisje.

Gjatë tyre lidhen kontrata, shpenzohen para publike dhe merren vendime që hyjnë në jetën e njerëzve pa pritur fundin e mandatit. Për një fëmijë, ato janë vite shkollimi. Për një të sëmurë, koha kur duhej të merrte trajtimin. Për një familje, kursimet që mund të mos i mbledhë më.

Ju mund të kërkoni edhe një mandat tjetër për të ndrequr gabimet. Qytetari nuk mund të kërkojë edhe një herë të njëjtat vite të jetës.

Po sikur të dëmtojnë edhe mekanizmin e largimit?

“I heqim me votë” funksionon nëse zgjedhjet mbeten të lira dhe vota respektohet. Po nëse mëtuesit e sotëm, pasi marrin pushtetin, manipulojnë zgjedhjet dhe nënshtrojnë institucionet që duhet t’i kontrollojnë? Ndërsa ne presim zgjedhjet për t’i larguar, ata punojnë që zgjedhjet të mos i largojnë.

Zgjedhjet e vitit 1996 na kujtojnë se ky mekanizëm mund të cenohet nga vetë pushteti. Prandaj nuk mjafton të na thuhet se kemi të drejtën t’ju largojmë. Duhet të dimë si do ta respektoni kontrollin mbi ju gjatë gjithë kohës që do të qeverisni.

Për këtë rrezik, historia e Berishës ka çfarë të na tregojë. Por në arsyetimin e studios na u paraqit vetëm kardiologu. Presidenti që pasoi do ta ndërlikonte garancinë.

Garancia mbulon ndërrimin e qeveritarëve. Po dëmet?

Le ta pranojmë skenarin më të mirë: zgjedhjet funksionojnë, qytetarët votojnë dhe ju largoheni. Garancia u zbatua.

Tani kush e shlyen faturën?

Me votë mund të sjellim edhe ata që do të riparojnë dëmet. Por riparimi kërkon kohë, punë dhe para që do të mund të përdoreshin për të ecur përpara. Pasi paguam provën tuaj, do të paguajmë edhe riparimin.

Qytetarit që ka humbur kursimet nuk i kthehen paratë bashkë me shpalljen e rezultatit. Vitet nuk rikthehen kur dorëzohen zyrat. Të vdekurit nuk ngjallen kur ndryshojnë ministrat.

Disa humbje mbeten përgjithmonë. Për këto të fundit, oferta e mëtuesve hesht.

Drejt Europës, gjithmonë nga e para.

Ndërkohë, kërkoni të drejtoni një vend që synon të përmbushë standardet europiane. Kjo kërkon institucione që funksionojnë edhe kur ndërrohen qeveritarët, administratë që e njeh punën dhe drejtues që dinë çfarë përgjegjësish po marrin.

Në këtë rrugëtim, çdo qeveri duhet të ndërtojë mbi atë që është arritur. Nuk kemi në dispozicion një Shqipëri për çdo provë të pasuksesshme.

Vendit i kërkohet të jetë gati për Europën; për drejtuesit na thuhet se kemi kohë t’i shohim në punë. Nëse nuk bëjnë, i heqim me votë dhe e nisim përsëri.

Fundja, Europa aty është. Vetëm jeta jonë kalon.

Tags: KryesoretOpinion
SendShare2Tweet2

Lajmet e fundit

Sekuestrohen 265 kg kanabis dhe 2 mina antitank në Shkodër, 4 të arrestuar dhe 3 në kërkim

29/10/2026

Deputetët e PD hedhin sende drejt Ramës, Kryeministri largohet pas votimit për projektiligjin për BSH

29/10/2026

Deputetët e PD ndezin tymuese në Kuvend dhe bllokojnë foltoren, përjashtohen katër prej tyre

29/10/2026

“Në izolim me tre vrasës serial”, pas letrës së Veliajt, e ëma shkon për ta takuar në burg

29/10/2026

Kush do ta drejtojë qeverinë serbe?

29/10/2026

Përplasje fizike mes deputetëve në Parlamentin e Armenisë, ndërhyn sigurimi (VIDEO)

29/10/2026

Sherri në Kuvend: Deputeti i PD tenton të kalojë shkallët dhe t’i afrohet Peleshit, ndalohet nga Garda

29/10/2026

130 vende kundër embargos ndaj Kubës, Shqipëria abstenon! SHBA-të humbin mbështetjen e disa aleatëve

29/10/2026

KUVENDI LIVE! Berisha: Protestuesve iu çanë kafkat; Peleshi i ndërpret fjalën: Bëre thirrje për dhunë!

29/10/2026

Buxheti i Shqipërisë mbi dyfishin e Kosovës, zgjerohet edhe diferenca në PBB

29/10/2026

Vance i dërgon letër Iranit, kushti i Trump për të shmangur sulmin e ri ushtarak

29/10/2026

Gjendet tritol i paplasur në derën e një lokali në Kamëz, rrethanat ende mister

29/10/2026

Aksion në burgun e Bradasheshit, pas Veliajt transferohet edhe Ergys Agasi

29/10/2026

OKB: Më shumë se 280,000 njerëz janë zhvendosur nga luftimet në Jemen

29/10/2026

Përplasja e trenave në Spanjë, ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për të mbijetuarit poshtë vagonëve

29/10/2026
Facebook Twitter Instagram LinkedIn
AlbTimes

Të fundit

  • Sekuestrohen 265 kg kanabis dhe 2 mina antitank në Shkodër, 4 të arrestuar dhe 3 në kërkim
  • Deputetët e PD hedhin sende drejt Ramës, Kryeministri largohet pas votimit për projektiligjin për BSH

Shfletoni

  • Botë
  • Dossier
  • Editorial
  • Jetë
  • Kosovë
  • Kronikë
  • Kryesore
  • Kuriozitete
  • Opinion
  • Politikë
  • Sociale

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
SAVED POSTS

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.