Partia Likud e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka akuzuar partitë arabe për manipulim të zgjedhjeve parlamentare në Izrael, duke kërkuar nisjen e menjëhershme të një hetimi nga autoritetet ligjzbatuese.
Në një deklaratë pas votimeve të së martës, partia pretendon se procesi zgjedhor është cenuar nga parregullsi të rënda, përfshirë ryshfete, kërcënime, dhunë, falsifikim dhe manipulim të fletëve të votimit. Sipas Likud-it, këto veprime synonin të ndikonin në rezultatin e zgjedhjeve në favor të partive arabe.
Likud njoftoi se do ti dorëzojë Policisë së Izraelit, Shërbimit të Sigurisë së Brendshme, Shin Bet, dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve qindra dëshmi dhe materiale që, sipas saj, mbështesin akuzat për shkelje të shumta në qendrat e votimit në komunitetet arabe.
Ndër pretendimet e ngritura nga partia e Netanyahut janë gjetja e mijëra zarfeve që dyshohet se përmbanin para dhe fletë votimi për partinë Ra’am, kërcënime dhe akte dhune ndaj anëtarëve të komisioneve zgjedhore, hyrja e disa votuesve njëkohësisht në kabinat e votimit, si dhe votimi me identitete të dyfishta.
Likud pretendon gjithashtu se ka pasur mospërputhje mes numrit të zarfeve të votimit dhe votuesve të regjistruar, si dhe përdorim të programeve kompjuterike të ndaluara për mobilizimin e votuesve.
Megjithatë, deri më tani, këto akuza nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur dhe nuk janë bërë publike prova që të vërtetojnë se partitë arabe kanë manipuluar në mënyrë sistematike rezultatin e zgjedhjeve në Izrael.
