Të paktën 68 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas përplasjes dhe daljes nga shinat të dy trenave me shpejtësi të lartë në Spanjë. Autoritetet dyshojnë se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një defekt në sistemin e komunikimit dhe gabimi njerëzor.
Aksidenti i rëndë ndodhi në linjën hekurudhore që lidh Madridin me rajonin e Andaluzisë, në zonën mes qyteteve Los Yebenes dhe Urda, në provincën e Toledos. Ngjarja konsiderohet ndër katastrofat më të rënda hekurudhore në historinë e vendit.
Sipas autoriteteve spanjolle, të paktën 58 persona kanë mbetur të plagosur, 15 prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike për jetën. Numri i viktimave mund të rritet, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet mes rrënojave të vagonëve të shkatërruar.
Treni AVE i kompanisë shtetërore Renfe ishte nisur nga Madridi në orën 08:00, në drejtim të Seviljes, kur u përplas me një tren të kompanisë Iryo. Më shumë se 540 pasagjerë mendohet se udhëtonin në të dy trenat.
Kompania Iryo bëri të ditur se treni i saj, me numër shërbimi 6076, u godit nga pas rreth orës 08:45, ndërsa shkaqet e sakta të përplasjes mbeten ende të paqarta.
Sipas informacioneve paraprake, një defekt në sistemin kompjuterik të komunikimit dhe një gabim njerëzor mund të kenë kontribuar në aksident. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave janë ende në vijim.
Ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, deklaroi se treni Renfe ishte autorizuar të vazhdonte lëvizjen, pavarësisht se në linjë ishte aktivizuar sinjali i kuq. Ky sinjal ishte dhënë për shkak të pranisë së një treni të ndaluar përpara.
Sipas ministrit, sinjali i kuq ishte aktivizuar nga një problem në sistemin kompjuterik, i cili ndalon automatikisht trenat në rrethana të caktuara. Më pas, dyshohet se është marrë një vendim i gabuar për t’i dhënë leje trenit Renfe të vijonte udhëtimin. Këto janë të dhëna paraprake dhe përgjegjësitë për aksidentin pritet të përcaktohen nga hetimi zyrtar.
Ndërkohë kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, deklaroi gjithashtu se çdo “dështim në sistemin e sigurisë” do të trajtohet dhe do të merren masat e nevojshme.
Duke iu referuar një aksidenti fatal hekurudhor, ku 48 persona humbën jetën në Spanjë në të njëjtën linjë në fillim të këtij viti, Sanchez u shpreh:
“Për momentin, duket se shkaqet e të dy aksidenteve nuk kanë asgjë të përbashkët, por nuk më takon mua, por hetimit, që ta përcaktojë këtë.”
Ai theksoi se do të duhet të bëhet gjithçka që është e mundur për të rikthyer besimin e publikut te rrjeti hekurudhor i trenave me shpejtësi të lartë.
“Është e papranueshme që një vend si Spanja të përjetojë dy aksidente hekurudhore me trena të shpejtësisë së lartë brenda të njëjtit vit”, deklaroi kryeministri.
Në përfundim, Sanchez njoftoi shpalljen e tri ditëve zie kombëtare, të cilat do të nisin nga dita e nesërme, në nderim të viktimave të tragjedisë.
