Këshilli i Ministrave ka miratuar një Akt Normativ të ri, i cili synon “krijimin e një skeme kompensimi nga shteti për dëmet materiale të shkaktuara nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve”, të zhvilluara midis datave 13 dhe 22 tetor 2026.
Ky vendim, i propozuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, ka si qëllim dëmshpërblimin e plotë të subjekteve të prekura, “pa ndryshuar kushtet materiale të përgjegjësisë civile të shkaktuesit të dëmit”.
Sipas dokumentit zyrtar, përfitues të kësaj skeme do të jenë ekskluzivisht “personat fizikë ose juridikë privatë, që kategorizohen si biznese/tatimpagues, me kufi të qarkullimit deri në 14 milionë lekë, bazuar në deklaratën vjetore të vitit 2025”.
Një kusht thelbësor i vendosur në akt është se kompensimi do të ofrohet vetëm për asetet e pambuluara nga polica e sigurimit. Në rastet kur subjektet kanë kontrata sigurimi që nuk e mbulojnë dëmin specifik nga trazirat, ose kur e mbulojnë atë vetëm pjesërisht, akti specifikon se “pjesa e pambuluar kompensohet sipas rregullave të këtij akti normativ”.
Procedurat e aplikimit dhe afatet e pagesës
Procesi i aplikimit kërkon që të dëmtuarit të paraqesin kërkesën pranë administratës tatimore, e cila pasi verifikon dokumentacionin paraprak, ia përcjell atë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Kjo e fundit do t’i kërkojë Policisë së Shtetit që brenda 30 ditëve të verifikojë “nëse rezulton që dëmi të jetë shkaktuar gjatë tubimit të dhunshëm dhe nga protestuesit”.
Nëse konfirmohet nga forcat e rendit, ministria pranon kërkesën dhe, “brenda 30 ditëve nga përfundimi i evidentimit, vendos kalimin e shumës në llogarinë bankare” të subjektit. Është e rëndësishme të theksohet se ky dëmshpërblim ndaj qytetarëve dhe bizneseve realizohet menjëherë, “pavarësisht faktit, nëse është arritur të identifikohet subjekti që ka shkaktuar dëmin apo organizata që e ka urdhëruar atë”.
E drejta e regresit, shteti kërkon mbrapsht paratë nga shkaktuesit
Akti normativ parashikon një mekanizëm të qartë ligjor përmes të cilit buxheti i shtetit do të rimbursohet nga autorët e dhunës. Dokumenti thekson se me kryerjen e pagesës në favor të të dëmtuarit, “shtetit i lind e drejta për t’i kërkuar subjektit që ka shkaktuar dëmin kthimin e shumës”.
Në këtë proces, rol kyç merr Avokatura e Shtetit. Fillimisht u kërkohet autorëve kthimi vullnetar i shumës brenda 30 ditëve. Nëse kjo nuk ndodh, Avokatura është e autorizuar “për të ngritur padinë e regresit ndaj subjektit që ka shkaktuar dëmin”. Kjo padi civile do t’u drejtohet si individëve të identifikuar, ashtu edhe “personit juridik/organizatës që ka organizuar protestën/tubimin e dhunshëm”, të cilët mbajnë përgjegjësi solidare.
Për rastet e të miturve apo personave të pazotë për të vepruar, përgjegjësia financiare kalon te prindërit ose kujdestarët ligjorë.
Gjithashtu, krahas përgjegjësisë civile, Akti Normativ ashpërson masat administrative, duke theksuar se ndaj personave të arrestuar ligjërisht gjatë këtyre tubimeve, “drejtoria vendore përkatëse e Policisë së Shtetit vendos gjobë”, duke u lënë atyre të drejtën e zakonshme të ankimit në rrugë gjyqësore.
