Politologu Adri Nurellari komentoi në emisionin Now në Euronews Albania rezultatin e zgjedhjeve në Serbi me fitoren e Listës Studentore dhe largimin e Aleksandër Vuçiç pas 14 vjetësh në pushtet.
Sipas tij, një element shumë i rëndësishëm që i kontribuoi fitores së lëvizjes studentore dhe largimit të vucicit ishte qëndrimi i opozitës tradicionale serbe, që u largua tërësisht dhe nuk tentoi të infiltronte njerëzit e vet në protestë, krejt e kundërta që po bën opozita në Shqipëri.
“Ka shumë elementë, që nga gjendja ekonomike, niveli i lartë i kriminalizimit, por thelbi kryesor që i vlen edhe Shqipërisë është që zgjedhjet janë prapë instrumenti më i mirë për të siguruar rotacion dhe për të hequr autokratët. Protesta mobilizoi një elektorat të ri, ishte një protestë që gradualisht u bë lëvizje, u organizua në strukturë dhe më tej në alternativë politike, me kandidatura dhe vizione.
Është aftësia e kësaj proteste dhe elitës që, ndryshe nga ne, që i ndenjën jashtë protestës së flamingove, atje i ndenjën në krye që në start, por edhe një gjë shumë e rëndësishme është se si ka vepruar opozita tradicionale. Kjo është një shuplakë për opozitën tradicionale shqiptare, që e përdor kapjen e shtetit si alibi për dështimet e panumërta. Opozita atje u largua dhe e vuri në dispozicion gjithë infrastrukturën e vet dhe nuk infiltroi njerëzit e vet brenda protestës. Ajo që bën opozita në Shqipëri është krejt e kundërta e asaj që bëjnë serbët”, tha Nurellari.
