AlbTimes
Subscribe
SAVED POSTS
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
Home Opinion

Gënjejmë se na intereson!

by Alb Times
27/10/2026
in Opinion
6
0
Gënjejmë se na intereson!

Foto: Opinion

6
SHARES
301
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Nga Pëllumb Karameta

Në Shqipëri, ngjarjet kanë fat të çuditshëm. Ndodhin një herë, por rrëfehen njëqind herë. Dhe sa më shumë rrëfehen, aq më pak i ngjajnë vetes.

Një protestë fillon në rrugë, por përfundon në studiot televizive, portalet e lajmeve, tryezat e analistëve dhe laboratorët e organizatave që merren me gjithçka, nga demokracia te liria, nga të drejtat e njeriut te cilësia e ajrit politik.

Në rrugë ndodhin faktet. Në studio u caktohet kuptimi.

Dikur, për të gënjyer, duhej të shpikje diçka. Sot jemi bërë më ekonomikë. Marrim një fakt të vërtetë, lëmë mënjanë një tjetër që na prish punë dhe shpallim përfundimin. Nëse dikush na kundërshton, i tregojmë faktin e parë.

Ja ku e ke provën!

Për të dytin nuk na pyeti njeri.

Nuk gënjejmë sepse nuk e dimë të vërtetën. Gënjejmë sepse e dimë cilën pjesë të saj na intereson të tregojmë.

Dhe këtu fillon mrekullia shqiptare.

  1. Kori i të pavarurve

Nuk kemi dirigjent. Të gjithë këndojmë të lirë.

I pavarur analisti. I pavarur gazetari. I pavarur portali. E pavarur organizata. Aq shumë të pavarur jemi, sa pavarësia duket se është bërë profesioni më i përhapur në Shqipëri.

Secili ka zërin e vet. Rastësisht, të gjithë këndojmë të njëjtin refren.

Njëri për demokracinë, tjetri për diktaturën, i treti për Antifën, i katërti për fundin e regjimit. Ndryshojnë fjalët, kostumet dhe ngjyra e kolltukut. Refreni mbetet.

Nuk është e nevojshme të na ketë shpërndarë dikush tekstin e këngës. Ne dimë ta gjejmë vetë melodinë që na intereson.

Dhe kur na pyesin përse këndojmë njësoj, indinjohemi:

— Po na cenoni pavarësinë!

  1. Analisti gjitholog

Analisti ynë nuk ka nevojë të presë ngjarjen.

Ai e di paraprakisht çfarë do të ndodhë, kush e ka fajin, kush do të fitojë dhe çfarë do të thotë historia pas njëqind vjetësh.

Nëse faktet ia prishin përfundimin, aq më keq për faktet.

E ftojnë për ekonominë. Flet për regjimin. E pyesin për arsimin. Flet për diktaturën. E pyesin për një xham të thyer. Shpjegon krizën e demokracisë.

— Po xhami i kujt ishte?

— Mos u merr me hollësi! Këtu është në lojë demokracia!

Ne, analistët, i duam faktet. Sidomos ato që na japin të drejtë. Të tjerat i konsiderojmë provokime.

Nuk gënjejmë. Thjesht zgjedhim çfarë na intereson. Për pjesën tjetër heshtim.

Heshtja, fundja, është edhe ajo një e drejtë demokratike!

Dhe nuk gabojmë kurrë. Kur parashikimi nuk realizohet, fajin e ka realiteti, që nuk iu bind analizës.

III. Eksperti me vulë

Pastaj vijmë ne, ekspertët.

Nuk bërtasim. Kemi grafikë, përqindje, tabela dhe një organizatë me emër të bukur, mundësisht në anglisht.

Ne e studiojmë ngjarjen shkencërisht. Numërojmë titujt, fjalët, fotografitë dhe sekondat televizive.

Dhe nga kjo aritmetikë nxjerrim përfundime madhështore.

Numrat mund të jenë krejt të saktë. Problemi fillon kur nga numri i fjalëve nxjerrim, pa prova të tjera, numrin e të vërtetave.

Një përqindje nuk gënjen vetvetiu. Por mund ta vëmë të tregojë një histori që nuk e provon.

Prandaj për metodologjinë flasim gjatë, ndërsa për kufijtë e përfundimit, shkurt.

Publiku kërkon siguri. Dhe çfarë sigurie më të madhe ka sesa një përqindje me dy shifra pas presjes?

Nëse përfundimi na intereson, numrat marrin kuptim. Nëse jo, kërkojmë një tregues tjetër.

Shkenca, fundja, ka shumë tregues!

Publiku sheh tabelën dhe mendon se ka parë të vërtetën.

  1. Gazetari kirurg

Ne, gazetarët modernë, kemi një detyrë të vështirë: të fusim një ngjarje të tërë në një titull.

Prandaj operojmë.

Heqim rrethanat. Shkurtojmë shpjegimet. Zmadhojmë një fjali. Nxjerrim nga konteksti një gjest. Dhe ngjarja bëhet aq e bukur për titull, sa mezi njihet.

Një protestues hedh molotovin. Një polic përdor forcën. Të dyja ngjarjet ndodhin në të njëjtën rrugë.

Por në ekranin tonë ka vend vetëm për njërën.

Jo se tjetra nuk është lajm. Është lajm, madje i rëndësishëm. Por për ekranin e kundërshtarit.

Kështu, të gjithë tregojmë të vërtetën. Secili gjysmën që i intereson.

Nëse protestuesi hedh një gur, një ekran sheh zemërimin popullor, tjetri dhunën. Nëse polici përdor forcën, njëri sheh shtypjen e lirive, tjetri rivendosjen e rendit.

Të dy mund të kemi kapur një pjesë të realitetit. Por nuk kënaqemi me pjesën. E shpallim të tërën.

Ky është operacioni ynë më i suksesshëm: pacienti del nga studioja i transformuar, ndërsa ne shpallim se vetëm e kemi fotografuar.

Nuk gënjejmë për atë që tregojmë.

Gënjejmë me atë që nuk tregojmë.

  1. Televizioni si lavatriçe

Në mbrëmje fillojmë ciklin e larjes.

Fusim protestën. Hedhim detergjentin e interpretimit. Shtojmë pak zemërim, pak histori, pak dramë dhe shumë patriotizëm.

Makina rrotullohet për dy orë.

Në fund, faktet dalin të pastra nga çdo rrethanë që mund t’ua prishë mesazhin.

Në njërin ekran, protestuesi është hero edhe kur thyen. Në tjetrin, fajtor edhe kur kërkon. Njeriu konkret zhduket pas figurës që na duhet.

Ne nuk e mohojmë dhunën. Thjesht vendosim cilën dhunë do të dënojmë sot.

Kur goditet protestuesi, flasim për të drejtat e njeriut. Kur goditet polici, për zemërimin popullor.

Në ekranin tjetër ndodh e kundërta.

Të gjithë mbrojmë parimet tona, pa rrezikuar interesat tona.

Dhe kur na akuzojnë për njëanshmëri, përgjigjemi:

— Ne vetëm informojmë!

Publikut i mbetet të ndërrojë kanalin për të dëgjuar një version tjetër të së njëjtës metodë.

  1. Qytetari me stomak

Qytetari shqiptar ka duruar shumë.

Premtime, reforma, kriza, zgjedhje, revolucione të paralajmëruara dhe fitore historike që të nesërmen shpallen përsëri.

Tani i kërkojmë të gëlltisë edhe interpretimet që ia ofrojmë përditë si të vërteta.

Ai nuk ka laborator, studio, organizatë apo grafikë me ngjyra.

Ka vetëm sytë, kujtesën dhe aftësinë për të dalluar kur diçka nuk shkon.

Sheh një ngjarje. Dëgjon një përshkrim që nuk i ngjan. Hap një portal tjetër. Gjen një përshkrim edhe më të çuditshëm. Ndez televizorin. Një ekspert i shpjegon se ajo që ka parë nuk është ajo që ka ndodhur.

Dhe qytetari fillon të dyshojë jo te ngjarja, por te stomaku i vet.

Sepse ka një kufi edhe tretja.

Dikur propaganda përpiqej ta fshihte të vërtetën.

Sot mund ta lëmë në mes të sheshit. Mjafton ta mbulojmë me aq shumë analiza, ekspertiza dhe tituj, sa askush të mos dallojë më çfarë ka ndodhur.

Nuk i kërkojmë qytetarit të besojë një gënjeshtër të plotë. I japim gjysmën e së vërtetës dhe kërkojmë të na falënderojë për ndershmërinë.

Për gjysmën tjetër heshtim.

Kori vazhdon të këndojë. Ekranet vazhdojnë të ndriçojnë.

Dhe qytetari, përpara një tjetër analize që i shpjegon çfarë duhet të ketë parë me sytë e vet, kërkon telekomandën.

Jo për të ndërruar kanalin.

Për ta fikur.

Sepse, kur e vërteta përtypet njëqind herë dhe të ofrohet si e re, të vjen për të vjellë!

Tiranë, më 27.10.2026

Tags: KryesoretOpinion
SendShare2Tweet2

Lajmet e fundit

A pendohet për marrëveshjen me Ramën në 2008? Berisha: Ai na u imponua, sot mbështes listat e hapura

27/10/2026

Sula: Jemi në rrugën drejt Bashkimit Evropian

27/10/2026

“Ndërkombëtarët e përgëzuan Policinë në 21 Janar”, Berisha: Balliun e hodhi në Lanë një agjente sekrete

27/10/2026

EMRI/ Tragjedi në Itali, 20-vjeçari shqiptar humb jetën gjatë punimeve për asfaltimin e rrugës, ruli e zuri poshtë vetes!

27/10/2026

“Nuk kemi çfarë mësojmë nga protestat serbe”- Ish-ministri Bajrami: Gjëja më pozitive, mbyllja e kapitullit për politikanët e kohës së Millosheviçit!

27/10/2026

“Macron, shkaktar për situatën në Francë”- Bejko: Fitorja e Le Pen ndikon në integrimin e Shqipërisë në BE! Nëse rreziku shkon përtej Europës…

27/10/2026

“PS do marrë pjesë në konsultime”- PD refuzoi ftesën e Begajt mbi datën e zgjedhjeve vendore, Balla: ‘Depoja e molotovëve’ të SHQUP-it qenka kundër! Uroj që…

27/10/2026

Zgjedhjet në Francë/ Avokatët e Marine Le Pen dorëzojnë ankesë në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit ndaj magjistratit!

27/10/2026

Shiste kokainë dhe heroinë afër shkollave, “Kontigjenti” prangos 31-vjeçarin në Lushnjë!

27/10/2026

Shifrat e INSTAT: Tirana, Lezha dhe Durrësi me numrin më të lartë të aksidenteve gjatë muajit shtator!

27/10/2026

Lufta me Rusinë/ Paketat e reja të ndihmave, Zelensky: Javën e ardhshme takime me partnerët europianë!

27/10/2026

15 vite në arrati, arrestohet në Ugandë i dyshuari për vrasjen e 38 personave dhe kanibalizëm

27/10/2026

Përse Saliu përkrah protestën…?

27/10/2026

Zv/kryeministrja Koçiu nga Gjinari: Paketa e Maleve, një mundësi për sipërmarrje dhe turizëm!

27/10/2026

Berisha urdhëron PD-në të zbresë përsëri në shesh dhe thërret tjetër protestë kombëtare të shtunën!

27/10/2026
Facebook Twitter Instagram LinkedIn
AlbTimes

Të fundit

  • A pendohet për marrëveshjen me Ramën në 2008? Berisha: Ai na u imponua, sot mbështes listat e hapura
  • Sula: Jemi në rrugën drejt Bashkimit Evropian

Shfletoni

  • Botë
  • Dossier
  • Editorial
  • Jetë
  • Kosovë
  • Kronikë
  • Kryesore
  • Kuriozitete
  • Opinion
  • Politikë
  • Sociale

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
SAVED POSTS

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.