Deputetja australiane Helen Haines ka humbur të dyja këmbët pasi u përplas nga një automjet jashtë zyrës së saj politike në qytetin Wangaratta.
Policia po e heton ngjarjen si një sulm të mundshëm të qëllimshëm, ndërsa personi i akuzuar për përplasjen është paraqitur për herë të parë para gjykatës.
Lajmin për gjendjen e deputetes e bëri të ditur bashkëshorti i saj, Phil Haines, i cili deklaroi se ajo ka pësuar dëmtime shumë të rënda, por mbetet e vendosur për t’u rikuperuar.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Melburn, ku bashkëshortja e tij po merr trajtim mjekësor, ai e cilësoi ngjarjen si të tmerrshme dhe theksoi se familja shpreson për përmirësimin e gjendjes së saj.
“Rruga drejt rikuperimit do të jetë e gjatë dhe e vështirë, por ne e dimë se ajo është një luftëtare”, u shpreh Phil Haines, duke shtuar se deputetja do të ketë mbështetjen dhe dashurinë e familjes gjatë gjithë procesit të rehabilitimit.
43-vjeçari Brendan Nugent, i dyshuar se e përplasi qëllimisht deputeten me automjetin e tij, u paraqit të mërkurën para një gjykate lokale.
Sipas autoriteteve, ai u arrestua pak pas ngjarjes, e cila ndodhi jashtë zyrës politike të Helen Haines në Wangaratta.
Nugent përballet me tri akuza, përfshirë drejtimin e rrezikshëm të automjetit që ka shkaktuar dëmtime të rënda, shkaktimin e qëllimshëm të dëmtimeve të rënda trupore dhe shkaktimin e dëmit ndaj një zyrtari publik federal.
Burimi: Lajme ndërkombëtare
