I dërguari amerikan Steve Witkoff do të takohet të mërkurën me presidentin rus Vladimir Putin, pas asaj që një zyrtar amerikan i cilësoi si bisedime “konstruktive” me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Norvegji. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ka ardhur koha që Ukraina t’i japë fund luftës.
Zyrtari amerikan tha se Ukraina paraqiti ide dhe propozime të reja gjatë bisedimeve në Oslo, ku morën pjesë gjithashtu udhëheqësit e Norvegjisë dhe Finlandës, si dhe përfaqësues evropianë dhe të NATO-s. Sipas tij, pjesëmarrësit shënuan “përparim domethënës” drejt një qasjeje të koordinuar për angazhimin e Rusisë.
Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se bisedimet përfshinë “elementë kyç të një kuadri gjithëpërfshirës paqeje”, duke përfshirë garancitë e sigurisë për Ukrainën, një plan ekonomik për periudhën pas luftës dhe një arkitekturë më të gjerë evropiane të sigurisë.
Witkoff do të synojë “të krijojë një rrugë drejt negociatave të drejtpërdrejta trepalëshe dhe negociatave më të gjera shumëpalëshe”, tha zyrtari.
Zelensky udhëtoi drejt Oslos me synimin për të përmirësuar marrëdhëniet me Uashingtonin, të cilat janë përkeqësuar edhe më tej, ndërsa Trump është afruar me Moskën. Kievi është ankuar se Uashingtoni ka ndërprerë mbështetjen dhe ndihmën jetike në fushën e inteligjencës ushtarake.
Pas takimit në Oslo dhe një telefonate të mëparshme me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, Zelensky tha në një konferencë për shtyp se Ukraina kishte rifilluar marrjen e paralajmërimeve të hershme për sulmet me raketa ruse.
“Tani funksionon, është shkëlqyeshëm”, tha ai, duke shtuar se me Rubion kishte diskutuar furnizimet me raketa interceptuese Patriot, si dhe sistemin satelitor Starlink. Kievi ishte ankuar se ky sistem kishte ndaluar së funksionuari kur pajisjet ishin montuar në mjete që lëviznin me shpejtësi, siç janë dronët.
Lëvizjet e fundit të Trump në raport me Moskën, përfshirë një marrëveshje për blerjen e naftës ruse dhe heqjen e kufizimeve që lidhen me sanksionet e reja, kanë shkaktuar reagime dypartiake në Kongresin amerikan dhe shqetësime në kryeqytetet evropiane.
Zelensky tha se kishte diskutuar garanci sigurie “të ngjashme me Nenin 5”, duke iu referuar parimit të NATO-s se një sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleancës.
“Jam mirënjohës ndaj palës amerikane që nënvizoi përsëri se do të jetë e fortë”, tha ai.
Zelensky përsëriti se Ukraina shpreson të diskutojë çështjet kryesore për përfundimin e luftës gjatë një takimi trepalësh mes udhëheqësve të Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së.
Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Støre, tha gjatë konferencës për shtyp se takimi në Oslo kishte qenë i mirë dhe konstruktiv. Ndërsa presidenti finlandez, Alexander Stubb, shtoi: “Mendoj se procesi (i paqes) është rikthyer në rrugën e duhur”.
Uashingtoni ka mohuar se po pengon qëllimisht përpjekjet e Ukrainës në luftë. Megjithatë, Trump e ka qortuar vazhdimisht Zelenskyn dhe ka kërkuar që ai të zëvendësohet.
Të martën, Trump i bëri thirrje Ukrainës të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, duke thënë se edhe Moska dëshiron një zgjidhje.
“Ukraina duhet të dëshirojë ta zgjidhë këtë luftë”, u tha ai gazetarëve.
Trump sugjeroi se Moska ka epërsinë në luftë, duke deklaruar: “Rusia është një makinë e madhe – ata thjesht vazhdojnë të ecin përpara dhe kjo është ajo që kanë bërë. Ata kanë marrë një copë shumë të madhe toke”.
Rubio thotë se raketat amerikane mund të mos jenë dorëzuar ende
Nën presidencën e Trump, SHBA-ja ka ndaluar kryesisht furnizimin e drejtpërdrejtë të Ukrainës me armë, por u lejon vendeve evropiane të blejnë armë amerikane në emër të Kievit, përmes një programi të njohur si Lista e Kërkesave të Përparësuara për Ukrainën (PURL). SHBA-ja ka ofruar gjithashtu inteligjencë dhe teknologji që Evropa nuk mund t’i sigurojë vetë.
Një burim i njohur me çështjen tha se shumica e dërgesave të armëve përmes programit PURL kishin vijuar, por sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, nuk kishte miratuar kërkesat e fundit të Ukrainës për raketa interceptuese Patriot.
Rubio pranoi të martën se një ngarkesë me raketa interceptuese, të blera nga vendet evropiane për Ukrainën, mund të mos ishte dorëzuar ende, por mohoi se SHBA-ja kishte ndryshuar politikën e saj.
“Nuk ka pasur ndonjë direktivë të qëllimshme politike për të dalë dhe për të dëmtuar Ukrainën”, tha ai gjatë një vizite në Indi.
Hegseth u tha gazetarëve se politika amerikane ndaj Ukrainës nuk kishte ndryshuar dhe theksoi nevojën për të ruajtur rezervat ushtarake të SHBA-së.
“Sigurisht, me gjëra si raketat interceptuese, ne duam të sigurohemi që djemtë tanë të kenë edhe sa më shumë të jetë e mundur”, tha ai.
Ai deklaroi gjithashtu se Uashingtoni nuk ia kishte hequr Ukrainës mundësinë për të përdorur Starlink, në pronësi të kompanisë SpaceX të Elon Musk. Hegseth la të kuptohej se problemi lidhej me kushtet e shërbimit të kompanisë, të cilat Kievi duhej t’i zbatonte.
Musk ka deklaruar se Starshield, versioni ushtarak i sistemit të komunikimit Starlink të SpaceX, kontrollohet nga qeveria amerikane dhe se çdo kufizim në përdorimin e tij varet përfundimisht nga Trump.
Të martën, gazeta The Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe persona të njohur me çështjen, raportoi se Musk kishte urdhëruar kufizimin e shërbimit pas konsultimeve me Trump dhe zyrtarë të tjerë të administratës. Reuters kishte raportuar më herët se urdhri për kufizimin e shërbimit kishte ardhur nga Shtëpia e Bardhë.
Ndërsa marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Ukrainës janë përkeqësuar, Rusia ka shtuar sulmet ndaj qyteteve ukrainase, duke shënjestruar veçanërisht termocentralet dhe objektet e furnizimit me karburant. Kjo ka ndodhur pavarësisht thirrjes së Trump që të dyja palët të shmangin goditjen e sistemeve energjetike të njëra-tjetrës.
Gjatë natës, Rusia bombardoi qytete në Ukrainën perëndimore, duke shënjestruar infrastrukturën elektrike dhe duke ndërprerë furnizimin me energji në pjesë të vendit që më parë ishin kursyer nga sulmet.
Ukraina u përmbajt për disa ditë javën e kaluar nga sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, në shenjë respekti ndaj kërkesës së Trump. Megjithatë, ajo i rifilloi sulmet pasi Rusia nuk tregoi shenja se do ta zbatonte këtë kërkesë. Të dyja palët kanë goditur gjithashtu qendra të të dhënave.
Trump ka dënuar vazhdimisht sulmet e Ukrainës ndaj Rusisë, ndërsa ka folur pak për sulmet shumë më të ashpra ruse ndaj Ukrainës.
Sulmet ruse
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi të martën se kishte goditur tre anije mallrash në portin e Renit, në Ukrainë, si dhe dy anije të tjera mallrash që po udhëtonin drejt Odesës. Sipas saj, forcat ruse goditën gjithashtu dy qendra logjistike.
Gjatë natës, objektet energjetike u sulmuan në shtatë rajone të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike. Rajoni perëndimor i Lvivit u godit sërish gjatë ditës.
Dronët rusë goditën gjithashtu një objekt energjetik në Kiev të martën, deklaroi kryebashkiaku Vitali Klitschko. Autoritetet njoftuan se furnizimi me energji elektrike ishte ndërprerë në katër rrethe të qytetit.
Përkeqësimi i marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Ukrainës nisi 10 ditë më parë, kur Trump hoqi sanksionet ndaj naftës ruse, në kuadër të një marrëveshjeje të arritur me Putinin. Trump tha se kjo masë do të ndihmonte në uljen e çmimeve të larta të karburanteve, të cilat kanë shkaktuar pakënaqësi te votuesit amerikanë përpara zgjedhjeve të mesmandatit, më 3 nëntor.
Gjatë fundjavës, Trump hoqi një sërë kufizimesh që lidhen me sanksionet më të ashpra ndaj Rusisë, të cilat pritej të hynin në fuqi këtë javë.
The post I dërguari amerikan Witkoff do të takohet me Putinin, Trump i bën presion Kievit appeared first on Euronews Albania.
Burimi: Botë
Burimi: Lajme ndërkombëtare
