AlbTimes
Subscribe
SAVED POSTS
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
Home Opinion

Keqardhja si biznes …ose kur “VIP”-at qajnë vetëm aty ku ka followers

by Alb Times
18/10/2026
in Opinion
6
0
Kur dështimi trashëgohet si armë

Foto: Opinion

6
SHARES
301
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Nga Flogert Muça

Gazi lotsjellës ende nuk ishte shpërndarë në bulevard kur nisi protesta e dytë, ajo që nuk ndodhi në rrugë, por në Instagram dhe në studiot televizive. Një këngëtar poston foton e një të riu të shtrirë në asfalt, pas tij vjen një “influencere” me një video ku zëri i dridhet pikërisht në kohën e duhur, e pastaj një aktor, një moderator dhe një tjetër “VIP”, të gjithë me të njëjtën fotografi, me të njëjtën muzikë në sfond dhe me të njëjtën fjali: “Nuk mund të hesht më.”

Në mbrëmje, i njëjti imazh del në ekran, i zmadhuar dhe i përsëritur pa pushim, ndërsa disa gazetarë e komentojnë me zërin e prokurorit dhe me sytë nga shifrat e audiencës. Natyrisht që edhe unë ndiej shumë dhimbje dhe keqardhje për çdo të ri që u plagos në përplasjet me policinë dhe dënoj çdo akt barbar të policisë ndaj protestuesve, sepse kushdo që e ka kryer duhet të përgjigjet para ligjit. Por me të njëjtën forcë dënoj edhe goditjen pa mëshirë të policëve me molotov, me gurë, me hekura dhe me çdo mjet që mund të vrasë, sepse edhe ata janë tanët, janë vëllezër, baballarë dhe djem të dikujt, dhe një plagë në kokë nuk dhemb më pak kur ndodhet nën një kaskë. Nuk duhet të ketë debat për këtë, pasi do ishte hipokrizi e populizëm pa limit.

Por nuk kam qëllim këtu për ta shprehur këtë keqardhje publikisht që të mbledh like nga adoleshentët dhe të rinjtë/studentët që i ndjekin këto ngjarje në telefon. Jam për të demaskuar, me analizë faktesh e shkencash komunikimi, një fenomen të epokës digjitale, i cili humanizmin e ka lënë pas dore dhe është përqendruar vetëm te biznesi, por duke theksuar gjithashtu se jo të gjithë e kanë bërë llogarinë që do të përshkruaj. Ka artistë/influencerë që kanë folur gjithmonë, edhe kur nuk u sillte asgjë, dhe ka gazetarë që e kanë bërë punën e tyre me ndershmëri, duke treguar plagën pa e shitur.

Ky shkrim nuk është për ta, por për një pjesë të madhe të të tjerëve.

Këta të fundit kanë një problem me kohën, sepse “nuk mund të hesht më” e thanë pasi kishin heshtur tri-katër ditët e para. Gjatë atyre ditëve nuk u ndien fare, jo se ishin të zënë, por sepse po shikonin dhe po masnin pulsin, duke pritur të kuptonin nga do të frynte era, sa njerëz do të dilnin dhe kush do të fitonte në ekran. Vetëm kur përplasja arriti kulmin dhe qyteti mori flakë, u kujtuan papritur. Po të ishte për parimin, do të kishin folur ditën e parë, poe u kujtuan sepse tani e dinin me siguri në cilin krah ishin followers-at dhe shikuesit e tyre, pra klientët e tyre të nesërm.

Kanë edhe një problem tjetër, me zgjedhjen, sepse dhimbja e tyre është selektive. Nga qindra pamje të atyre ditëve, ata kanë zgjedhur vetëm një lloj: çdo incident, çdo goditje dhe çdo sjellje të paligjshme të një apo disa policëve e kanë marrë dhe e kanë kthyer në monument. Janë monumente të vogla digjitale, të ngritura mbi plagët e protestuesve, me një pllakë poshtë ku shkruan numri i followers-ave.

Polici me kokë të çarë nga guri apo ai që u dogj nga molotovi nuk ka asnjë monument, jo se plaga e tij nuk dhemb, por se nuk shitet. Audienca e tyre nuk e do atë pamje, dhe kur audienca nuk e do, dhimbja nuk ekziston. Gazetarët populistë e kanë përsosur këtë mekanizëm më herët se influencerët, sepse e njohin prej vitesh tregun e fatkeqësisë. Disa prej tyre kanë llogaritë e veta politike, të tjerë kanë interesat e veta personale apo të pronarëve, por të gjithë luajnë mbi të njëjtën gjë, mbi fatin e atyre që janë në shesh. Për ta, i riu i plagosur nuk është histori që duhet verifikuar, por argument që duhet përdorur. E nxjerrin në ekran kur u shërben, e harrojnë kur nuk u shërben më dhe e zëvendësojnë me fatkeqin e radhës, pa e pyetur kurrë si e ka mbyllur plagën.

Algoritmi i rrjeteve sociale dhe matësi i audiencës në televizion shpërblejnë dy ndjenja më shumë se të tjerat, zemërimin dhe keqardhjen. Një postim apo një emision për një të plagosur, në orën e duhur dhe me imazhin e duhur, sjell brenda një nate atë që një vit punë nuk e sjell dot, followers të rinj, shpërndarje, reklama dhe emër. Loti nuk vlen kur derdhet, por kur derdhet në momentin kur tregu është gati ta blejë. Thënë shkurt, keqardhja është bërë biznes, dhe si çdo biznes serioz ka studimin e vet të tregut, i cili në këtë rast zgjati tri-katër ditë.

Guy Debord e kishte parashikuar këtë që në vitin 1967, në “Shoqëria e spektaklit”, kur shkruante se “gjithçka që jetohej drejtpërdrejt, është larguar në një përfaqësim”. Te ne kjo nuk është më teori, sepse i plagosuri jeton plagën ndërsa VIP-i dhe gazetari populist jetojnë përfaqësimin e saj, dhe i pari shkon në urgjencë ndërsa të tjerët në trend.

Byung-Chul Han, filozofi gjermano-korean që ka shkruar më shumë se kushdo për shoqërinë e ekranit, thotë në “Shoqëria e transparencës” se sot gjërat nuk vlejnë më për atë që janë, por vetëm për atë që ekspozojnë. Çdo gjë që nuk shfaqet nuk ka vlerë, dhe çdo njeri është bërë reklama e vetvetes. Plaga nuk i shpëton dot këtij rregulli. Ajo ka dy vlera: një vlerë përdorimi, që i përket atij që e mban dhe që dhemb, dhe një vlerë ekspozimi, që i përket atij që e poston dhe që fiton.

Këtu mund të tregohet një fabul e vogël, e vjetër sa qyteti: “Në një rrugë rrëzohet një i ri. I pari që kalon ulet dhe e ngre, por nuk e sheh njeri, sepse nuk ka telefon në dorë. I dyti ndalet dhe e filmon. I treti nuk ndalet fare, sepse ka marrë videon e të dytit, i ka vënë muzikë dhe e ka postuar me fjalët “nuk mund të hesht më”. Pas një jave, i pari ka harruar gjithçka, i dyti ka disa shikime, i treti ka njëzet mijë followers më shumë. I riu që ra është ende në shtrat dhe nuk e di që është bërë i famshëm.

Në këtë qytet medalja nuk i jepet atij që e ngriti, por atij që e shiti.

Prova është e lehtë, mjafton të hapësh të njëjtat profile apo të shohësh të njëjtat emisione pas dy javësh. I plagosuri nuk përmendet më dhe askush nuk ka shkuar ta vizitojë, askush nuk pyet nëse u identifikua polici që e goditi, nëse familja pagoi spitalin apo nëse djali e humbi vitin shkollor. Kamera ka ikur te tema tjetër, te dhimbja tjetër që shitet më mirë, dhe ka mbetur vetëm grafiku, që ngjitet në çdo protestë dhe nuk zbret kurrë.

Këtu qëndron edhe ironia më e hidhur, sepse ata që thonë se janë zëri i viktimave janë të vetmit që fitojnë prej tyre. Policia del e akuzuar, protesta del e diskredituar dhe i plagosuri mbetet me plagën, ndërsa VIP-i del me më shumë followers dhe gazetari me më shumë audiencë se më parë.

Por problemi nuk është vetëm moral, është edhe politik. Kur dhimbja bëhet mall, shoqëria mëson ta matë drejtësinë me like dhe me shikueshmëri, ku një plagë që nuk u fotografua nuk ekziston dhe një plagë që nuk i përshtatet audiencës nuk numërohet. Kështu protesta, që lindi si kërkesë për ndryshim, përfundon si shfaqje.

Solidariteti i vërtetë nuk pret tri-katër ditë për të parë nga fryn era dhe nuk zgjedh se cila plagë meriton lot. Ai shkon në spital kur kamerat janë fikur dhe e kujton të plagosurin edhe kur emri i tij nuk sjell më asnjë follower dhe asnjë pikë audience.
Gjithçka tjetër është treg. Dhe në këtë treg keqardhja nuk është ndjenjë, por investim, një investim i vogël në lot, që e rikthen fitimin brenda pak orësh, me followers, me audiencë dhe me emër, ndërsa humbjen e paguan gjithmonë dikush tjetër, ai që mbetet në shesh.

Burimi: Opinion

Tags: KryesoretOpinion
SendShare2Tweet2

Lajmet e fundit

“Shyqyr që dole gjallë!”/ Momenti kur Policia shpëton qytetarin e dhunuar nga protestuesit e maskuar

18/10/2026

Protestuesit hedhin molotovë, përfshihet nga flakët një efektiv policie, detajet e para

18/10/2026

FOTO / Protestuesi dhunon me shkop druri policin, ç’po ndodh te sheshi “Skënderbej”

18/10/2026

Mos përdorni studentët si dekor romantik për djegjen e vendit!

18/10/2026

Luftë guerile në Francë: Mbi 1800 të arrestuar, një person humb jetën gjatë protestave, 1 500 dyqane të plaçkitura

18/10/2026

IDU reagon për protestat në Shqipëri: Të ndalet dhuna!

18/10/2026

Gjykata e Durrësit jep masat e sigurisë për 22 të rinjtë e ndaluar gjatë protestave

18/10/2026

“Godoja” le ta thotë çfarë kërkon!

18/10/2026

Protestuesit zhvendosen te “Zogu i Parë”, thyejnë xhama të bizneseve, djegin kosha dhe pengojnë ambulancën

18/10/2026

Protestat e dhunshme në Francë, Trump: Mbyllni kufinjtë!

18/10/2026

“Rrezikohet integrimi i Shqipërisë në BE”/ Analisti: Pas dhunës në Tiranë fshihet një skenar ndërkombëtar

18/10/2026

Ministria e Shëndetësisë: Tre persona të lënduar sot gjatë protestës, mes tyre një 15-vjeçar

18/10/2026

Protestuesit zhvendosen drejt Rrugës së Dibrës: Digjen kazanë mbeturinash

18/10/2026

Sulmi ndaj selisë së PS-së / Balla akuzon Berishën: Largo urgjent njerëzit që çove aty! Janë të paguar nga ti dhe duart e huaja

18/10/2026

Kur drejtësia ushqen populizmin

18/10/2026
Facebook Twitter Instagram LinkedIn
AlbTimes

Të fundit

  • “Shyqyr që dole gjallë!”/ Momenti kur Policia shpëton qytetarin e dhunuar nga protestuesit e maskuar
  • Protestuesit hedhin molotovë, përfshihet nga flakët një efektiv policie, detajet e para

Shfletoni

  • Botë
  • Dossier
  • Editorial
  • Jetë
  • Kronikë
  • Kryesore
  • Kuriozitete
  • Opinion
  • Politikë
  • Sociale

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
SAVED POSTS

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.