Papa Leo XIV është autorizuar të dalë nga spitali pas një operacioni për të hequr një tumor kanceroz nga mushkëria e tij. Kështu njoftoi Vatikani të shtunën.
“Pas vlerësimit të mjekëve këtë mëngjes, Papa Leo XIV do të dalë sot nga Spitali Gemelli, ku ishte shtruar për një ndërhyrje kirurgjikale në mushkërinë e djathtë”, thuhet në një deklaratë nga zyra e shtypit e Vatikanit.
“Ai do të largohet nga spitali në orët e para të pasdites dhe do të kthehet në Vatikan. Nesër, ai do të udhëheqë lutjen Angelus nga dritarja e apartamentit papnor”, shtoi Vatikani.
Mjekët thanë se vendimi ishte marrë pasi analizat e gjakut dhe një radiografi e kraharorit konfirmuan se ai ishte i mirë dhe se mund të dilte nga spitali.
Papa 71-vjeçar është duke u shëruar në spitalin Gemelli të Romës që kur iu nënshtrua operacionit të martën.
Vatikani tha më parë këtë javë se “lobi i poshtëm i mushkërisë së djathtë u hoq” gjatë procedurës, ndërsa konfirmoi gjithashtu diagnozën e një “adenokarcinome pulmonare, siç dyshohet nga testet para operacionit”.
“Ati i Shenjtë ishte në sallën e operacionit për rreth 3 orë dhe kohëzgjatja e vetë operacionit ishte rreth 90 minuta. Ndërhyrja kirurgjikale ishte e suksesshme dhe nuk pati ndërlikime”, shtoi ajo.
Të enjten, mjekët thanë se një grafi e kraharorit kishte treguar “rikuperim të mirë” të mushkërive të prekura.
The post Vatikani: Papa Leo do të dalë sot nga spitali pas ndërhyrjes kirurgjikale appeared first on Euronews Albania.
Burimi: Botë
Burimi: Lajme ndërkombëtare
