Florian Zekja, si përfaqësues i biznesit, deklaroi se sulmi ndaj bizneseve private krijon precedent të rrezikshëm.
“Biznesi nuk është kundër protestave sepse flitet për studentët, të cilët janë e ardhmja e vendit, është një produkt që në fund të fundit i intereson biznesit. Por, ajo çfarë po shohim këto ditë është një një precedent i cili nuk ka fare lidhje me protestën, sepse të sulmosh bizneset nuk është goditje e vogël. Për më tepër, mosreagimi i policisë, mefshtësia e policisë dhe synimi i një pjese të kësaj proteste e cila është e drejtuar kundrejt biznesit, normalisht që na çon në disa situata që kanë lidhje me 1997 dhe kjo prodhon precedent të rrezikshëm”, tha Zekja në studion e “ÇdoKënd”.
Sipas tij, policia duhet ta mbrojë biznesin dhe gjithashtu duhet të identifikojë ata persona që e sulmojnë atë.
“Një neglizhencë e tillë mund të çojë atë që biznesi do vetëmbrohet. Disa biznese po rrinë deri në orët e vona për të mbrojtur bizneset e tyre, por edhe po tërheqin mallrat që kanë në dyqan, po i marrin në shtëpi dhe po i sjellin ditën e nesërme. Protesta duhet të ndahet nga ato grupime të cilat kanë qëllime që nuk kanë lidhje me studentët. Kështu që, përgjegjësia e policisë dhe e shtetit është e dyfishtë. Në radhë të parë duhet t’i mbrojë sepse biznesi, përderisa paguan taksa, duhet të jetë i mbrojtur. Dhe e dyta, nëse ka segmente të cilat kanë qëllime të caktuara, atëherë ato duhet të parandalohen dhe duhet të ndahen nga studentët”, shtoi Florian Zekja.
Burimi: Kronikë
