Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkoi sot 70 miliardë euro shtesë nga aleatët e tij evropianë në samitin e G27 në Bruksel.
“Lufta do të kushtojë 155 miliardë euro vitin e ardhshëm. Dhe na duhen të paktën 70 miliardë euro më shumë nga ju”, tha ai para krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian.
” Është një shumë realiste. Dhe ju kërkoj ta gjeni atë mbështetje. Do të na ndihmojë të përmbajmë Rusinë “, këmbënguli ai, në një fjalim që e bëri publik në X.
Mbështetja ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën është siguruar për vitin 2026, por për vitin 2027 është mbuluar vetëm pjesërisht , pranuan udhëheqësit evropianë.
Bashkimi Evropian dha një kredi prej 90 miliardë eurosh për periudhën 2026-2027, pra 45 miliardë euro për vitin pasardhës.
Por kjo shumë nuk do të jetë e mjaftueshme dhe evropianët po kërkojnë mjete të reja për të mbështetur përpjekjet e luftës së Ukrainës.
“Ne duhet të rrisim përsëri fondet në mënyrë që të mund ta mbështesim vërtet Ukrainën në planin afatgjatë”, tha kancelari gjerman Friedrich Merz të enjten, përpara fillimit të samitit të BE-së.
The post Ukrainë, Zelensky kërkon 70 miliardë euro shtesë nga BE-ja appeared first on Euronews Albania.
Burimi: Botë
Burimi: Lajme ndërkombëtare
