Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka anuluar planin për transmetimin e drejtpërdrejtë të ekzekutimit të Nidal Hasan, ish-psikiatrit të ushtrisë amerikane, i dënuar për vrasjen e 13 ushtarëve në bazën ushtarake Fort Hood, në Teksas, në vitin 2009. Hasan pritet të ekzekutohet me pushkatim më 3 dhjetor 2026, por ceremonia nuk do të transmetohet për publikun, pas kritikave të shumta që kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar.
Trump kishte shprehur më herët mbështetjen për transmetimin e ekzekutimit, duke argumentuar se një veprim i tillë mund të shërbente si paralajmërim për këdo që kryen akte terroriste. Megjithatë, të enjten, presidenti njoftoi se kishte vendosur të hiqte dorë nga kjo ide, duke pranuar se shumë njerëz me qëllime të mira nuk dëshironin të shihnin një person të vritej drejtpërdrejt në ekran.
Në një deklaratë, Trump argumentoi se transmetimi mund të kishte shërbyer si një mjet i fortë parandalues, përmes të cilit bota do të shihte sesi Shtetet e Bashkuara i trajtojnë terroristët dhe personat që kryejnë krime të rënda. Megjithatë, ai theksoi se vendimi për anulimin e transmetimit nuk ndryshon fatin e të dënuarit. “Ai do të vdesë, sipas planit, me pushkatim, por kjo ngjarje nuk do të transmetohet”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump shtoi se familjarët e viktimave do të kenë ende mundësinë të jenë të pranishëm personalisht në ekzekutim, nëse dëshirojnë.
Vendimi fillestar për të transmetuar ekzekutimin në internet ishte bërë publik javën e kaluar nga Pentagoni, i cili kishte njoftuar se Hasan do të ekzekutohej më 3 dhjetor 2026 me pushkatim. Njoftimi shkaktoi reagime të forta nga organizatat e të drejtave të njeriut, juristët dhe komentues të shumtë, të cilët e konsideruan transmetimin publik të një ekzekutimi si një praktikë të papranueshme.
Burimi: Lajme ndërkombëtare
