Nga Flogert Muça
Në pamjet e këtyre ditëve ka një detaj që nuk e kapin dot as kamerat live, as ne komentatorët që i “zbërthejnë” sipas vaftit deri natën vonë në studio. Fytyrat pas maskës janë të vogla, të njoma, të papjekura. Po po, janë shumë të vogla. Një pjesë e mirë e atyre që hedhin gurë te libraria, Muzeu, te bashkia apo te xhamat e një banke në mes të Tiranës, e kanë ende çantën e shkollës të hedhur diku në shtëpi, ose e mbajnë bosh në krah, sepse rrjeti social është manuali i tyre.
Qyteti digjet copë copë. Dyqane të thyera, vitrina të shkatërruara, institucione të sulmuara me gurë, por ka një detaj që thotë më shumë se gjithë kronika e ditës. Thyen një dyqan dhe marrin telefonat. Thyen një librari dhe nuk marrin asnjë libër. Asnjë.
Ai raft i paprekur me libra në fakt është pasqyra jonë. Është dështimi ynë si shoqëri, si qeveri, si komb shqiptar. Kemi rritur fëmijë që e dinë sa kushton një telefon, por nuk e dinë sa vlen një faqe e shkruar.
Por ky nuk është dështimi më i madh, pasi sështimi më i madh vjen pas tij. Ështē momenti kur të rriturit nuk dinë më të luftojnë me një ide dhe ua japin “armën” fëmijëve, dhe e quajnë guxim atë që është veç frikë e tyre.
Kjo po ndodh sot në Shqipëri. Për hir të dështimit tonë, ne të rriturit u kemi dhënë fëmijëve rolin e të rriturve. Fëmijë që nuk kanë as të drejtë vote, që askush nuk i ka pyetur kurrë për asgjë në këtë vend, janë vënë në rreshtin e parë. Të nxjerrë aty përpara, që ata që i nxorën t’i shmangen përgjegjësisë vetë dhe që dobësinë e tyre, frikën e tyre, po e përdorin si armë.
Kjo nuk ndodh vetëm këtu. Në verën e 2023, kur periferitë franceze digjeshin natë pas nate, mosha mesatare e të arrestuarve ishte rreth shtatëmbëdhjetë vjeç. Në Bruksel, rrjetet e drogës kanë vite që rekrutojnë adoleshentë për pak qindra euro, sepse një i mitur rrezikon më pak para gjykatës dhe kushton më lirë.
Kontekstet ndryshojnë, por mekanizmi është po ai. Atje ku të rriturit dështuan të ndërtojnë një ide, fëmija bëhet zgjidhja më e lirë.
Çdo qeveri e ka përgjegjësinë e vet, dhe çdo klasë politike po ashtu. Kjo nuk diskutohet. Por do ishte shumë e lehtë ta mbyllnim llogarinë këtu, duke ia hedhur gjithë faturën pushtetit apo opozitës. Faturën e kemi ne, si shoqëri, si adult
Kanë dështuar intelektualët, që heshtën kur duhej të flisnin dhe folën vetëm kur duhej të zgjidhnin anë. Kanë dështuar të mëdhenjtë, prindër, mësues, njerëz me zë, që nuk ndërtuan dot një ide për të cilën ia vlente të dilje në shesh. Dhe si për ta vulosur vetë këtë dështim, nxorën fëmijët në rrugë. Asgjë nuk e dëshmon më qartë frikën e një brezi se vetë fakti që e fsheh atë pas brezit që vjen.
Protesta duhet të ketë. Protesta mund të jetë e zhurmshme, mund të jetë e ashpër, mund të dalë edhe nga kontrolli, sepse këtë e njeh çdo demokraci. Por kur fëmijët janë në brezin e parë, kjo nuk tregon thjesht disa të rinj të indinjuar apo një shoqëri të indinjuar. (Sepse që jemi të indinjuar e dimë prej kohësh.)
Kjo tregon diçka shumë më të rëndë në fakt, fatkeqësisht. Tregon një vend që po kthehet prapa, drejt asaj që njohëm në 97-ën. Tregon që po rrisim një brez të ri të dhunshëm, i cili nuk e njeh idenë, por njeh vetëm hurin dhe litarin.
Kjo duhet ndalur. Jo nesër, sot. Sepse të rriturit që dështuan me idetë e tyre dhe nuk patën qëndresë t’i mbronin vetë, tani po përdorin fëmijët për politikë e nesër do ta pyesin veten pse i humbën fëmijëve besimin se lufta fitohet me qëndresë e jo me dhunë.
Burimi: Opinion
