Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, ka dalë mbi drejtësinë. Edhe pse më 24 korrik mori në dorë vendimin e arsyetuar të Gjykatës Administrative, i cili parashikon rikthimin e menjëhershëm në detyrë të dekanes së Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Dr. Dorina Hoxha dhe ka fuqinë e një titulli ekzekutiv, dekania vijon të mos ushtrojë detyrën.
Fillimisht, rektori argumentoi se nuk mund të vepronte vetëm mbi bazën e dispozitivit të vendimit, pa marrë arsyetimin e plotë të gjykatës. Megjithatë, ky argument ra pasi vendimi i plotë iu komunikua zyrtarisht Universitetit më 24 korrik.
Gjykata Administrative, me vendimin e 16 korrikut, e shpalli të paligjshëm pezullimin e Dorina Hoxhës dhe urdhëroi rikthimin e saj të menjëhershëm në detyrë. Sipas vendimit, ekzekutimi nuk pezullohet nga ankimi dhe duhet të kryhet menjëherë.
Konflikti nisi më 20 maj, kur rektori Artan Hoxha pezulloi dekanen me argumentin se kandidimi i saj për anëtare të Këshillit të Lartë Gjyqësor krijonte konflikt interesi, pasi Fakulteti i Drejtësisë është pjesë e procedurës së përzgjedhjes së kandidatëve.
Megjithatë, ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” nuk parashikon pezullimin e dekanit në një rast të tillë. Neni 40, pika 5, përcakton se, nëse një dekan kandidon për KLGJ, ai nuk merr pjesë në mbledhjet dhe votimet për këtë procedurë, ndërsa detyrat ushtrohen përkohësisht nga një prej zëvendësdekanëve.
Edhe një udhëzim i firmosur më herët nga vetë rektori Artan Hoxha parashikon të njëjtën procedurë, duke përcaktuar se zëvendësimi i dekanit bëhet vetëm për procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve dhe jo përmes pezullimit të tij nga detyra.
Pavarësisht vendimit të gjykatës dhe mbërritjes së tij zyrtarisht në Universitetin e Tiranës, Dorina Hoxha vijon të mos rikthehet në zyrën e dekanes, ndërsa vendimi gjyqësor mbetet ende i pazbatuar.

