Aktorja italiane Ornella Muti dhe vajza e saj Naike Rivelli po formalizojnë kërkesën për të marrë shtetësinë ruse. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Naike, e cila ka thënë se kjo është një dëshirë që të dyja e kanë prej kohësh.
“Prej një kohe të gjatë po mendojmë për këtë, edhe sepse unë dhe nëna ime jemi gjysmë ruse”, është shprehur Rivelli. Ajo ka sqaruar se kanë lidhje të forta me Rusinë përmes punës, miqve dhe familjarëve.
Sipas saj, origjina ruse vjen nga ana e familjes së nënës së Ornella Mutit. “Gjyshja e nënës sime ishte nga Shën Petersburgu, ndërsa gjyshja ime ishte estoneze. Ne jemi gjysmë ruse dhe duam të kemi shtetësi të dyfishtë”, ka deklaruar Naike.
Gjyshja nga nëna e Ornella Mutit ishte me origjinë nga Shën Petersburgu dhe më pas u zhvendos në Estoni së bashku me bashkëshortin, ku lindi nëna e aktores, skulptorja Ilse Renate Krause, e cila u nda nga jeta në vitin 2020 në moshën 91-vjeçare.
Disa vite më parë, Ornella Muti kishte treguar se dëshironte të udhëtonte në Rusi për të kërkuar gjurmët e historisë së familjes së saj dhe për të shkruar një libër mbi origjinën dhe jetën e saj. Libri u botua më pas me titullin “Kjo nuk është Ornella Muti”.
Vendimi për afrimin me Rusinë vjen pas një historie të gjatë lidhjesh të aktores me këtë vend, por edhe polemikash. Muti është kritikuar në të kaluarën për afërsinë e saj me Vladimir Putin.
Në vitin 2010 ajo anuloi një shfaqje në Itali duke pretenduar probleme shëndetësore, ndërsa më pas rezultoi se kishte marrë pjesë në një darkë gala në Shën Petersburg ku ishte i pranishëm Putin dhe aktori Kevin Costner. Për këtë arsye ajo u përball edhe me akuza për mashtrim.
Në vitin 2023, aktorja mori pjesë në Moskë në një takim mbi markat kombëtare, ku deklaroi se ndodhej atje “nga dashuria” dhe se shpresonte të rikthehej së shpejti për të punuar në Rusi.

