Prokurori i Napolit, Nicola Gratteri, ka ngritur alarmin për rrezikun që paraqet fentanyli, duke e cilësuar atë si një nga substancat më tërheqëse për grupet kriminale për shkak të fitimeve të larta dhe lehtësisë së transportit dhe fshehjes.
Në një intervistë për gazetën italiane La Stampa, Gratteri komentoi edhe vjedhjen e 80 ampulave me fentanyl nga farmacia e Spitalit Israelitik në Romë, sasi nga e cila, sipas raportimeve, mund të përfitohen deri në 20 mijë doza.
Sipas tij, në këtë fazë nuk mund të përjashtohet asnjë pistë hetimore dhe asnjë grup kriminal. Prokurori theksoi se organizatat mafioze nuk duhet të konsiderohen automatikisht si autorë të ngjarjes, por as të përjashtohen, pasi sot ato veprojnë shpesh si financues, ndërmjetës, garantues logjistikë apo pastrues të parave, jo domosdoshmërisht si ekzekutues të drejtpërdrejtë.
Gratteri shpjegoi se interesi i grupeve kriminale për fentanylin dhe opioidët sintetikë lidhet me logjikën e tregut. “Ka vlerë shumë të lartë kriminale, kërkon sasi të vogla, fshihet lehtësisht dhe ka një logjistikë më të thjeshtë se kokaina”, u shpreh ai.
Megjithatë, ai theksoi se Evropa nuk ndodhet ende në të njëjtën situatë si Shtetet e Bashkuara, ku fentanyli ka shkaktuar një krizë të rëndë shëndetësore. Sipas Gratterit, agjencitë evropiane po sinjalizojnë një rritje të interesit për opioidët sintetikë me fuqi të lartë, si edhe rrezikun që këto substanca të depërtojnë në tregjet tradicionale të drogës.
Prokurori nënvizoi gjithashtu se, ndryshe nga kokaina, fentanyli mund të transportohet në sasi shumë të vogla, duke garantuar fitime të konsiderueshme për rrjetet kriminale. Ai shtoi se trafiku i kësaj substance zhvillohet përmes një kombinimi të rrjeteve tradicionale të shpërndarjes, dërgesave postare, platformave të koduara, rrjeteve sociale, tregjeve ilegale online dhe dark web-it.
Sipas Gratterit, pikërisht kombinimi i kanaleve dixhitale me shpërndarjen fizike e bën tregun e fentanylit veçanërisht të vështirë për t’u luftuar nga autoritetet.

