AlbTimes
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
Home Botë

BE në “luftë” për Ballkanin/ Nga Tirana në Beograd, misioni diplomatik i Brukselit për stabilitetin dhe integrimin

by Alb Times
29/05/2026
in Botë, Kryesore
6
0
BE në “luftë” për Ballkanin/ Nga Tirana në Beograd, misioni diplomatik i Brukselit për stabilitetin dhe integrimin
6
SHARES
301
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian duket se kanë një pikësynim: të ruajnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, por edhe që Rajoni të ketë prosperitet. Gjithçka duket se lidhet me zhvillimet gjeopolitike, ku SHBA tregohet më e drejtëpërdrejtë teksa evidenton rrezikun rus dhe kinez në Ballkan.

Përmes një dokumenti, që përfaqëson një ridimensionim të rolit amerikan në rajon, Uashingtoni, e zhvendos fokusin nga ndërhyrjet politike dhe ndërtimi institucional drejt interesave konkrete strategjike, ekonomike dhe të sigurisë. SHBA e vendos Ballkanin Perëndimor në qendër të konkurrencës gjeopolitike mes Perëndimit, Rusisë dhe Kinës, ndërsa administrata amerikane e konsideron rajonin një zonë kyçe për stabilitetin europian, sigurinë transatlantike dhe zgjerimin e interesave ekonomike amerikane.

Qasja e re amerikane është e drejtpërdrejtë: SHBA-ja nuk synon më të jetë garantuesi kryesor politik i rajonit, por partner strategjik që mbështet stabilitetin, sigurinë dhe ekonominë, në funksion të interesave reciproke.

Dokumenti e përcakton qartë se “epoka e ndërtimit të shteteve” ka përfunduar dhe se administrata amerikane nuk kërkon më të mbajë rol mbikëqyrës mbi zhvillimet e brendshme politike në Ballkan.

Në anën tjetër, Brukseli është vënë në lëvizje, teksa Presidentit i Këshillit Evropian, Antonio Costa, nis një turne në Ballkanin Perëndimor nga 1 deri më 5 qershor. Përmes këtij turi që do të mbyllet me Samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tivat, do të synohet ringjallja e perspektivës së pranimit të Rajonit mes sfidave në rritje ndërkombëtare dhe të brendshme.

Turi i Presidentit të Këshillit Europian po zhvillohet në një kohë kur ka një interes më të gjerë ndërkombëtar në rajon. Shtetet e Bashkuara kërkojnë një koordinim më të ngushtë me Bashkimin Evropian për çështjet që lidhen me stabilitetin, infrastrukturën dhe integrimin strategjik të rajonit në strukturat perëndimore.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç përmbylli me sukses një vizitë në Pekin, ku nënshkroi gjithashtu një seri marrëveshjesh, ndërsa e gjitha kjo u cilësua si një hapësirë që po i jepej Kinës, për të shtuar “tentakulat” drejt Ballkanit.

Në diskursin publik serb, vizita e Vuçiç u pa si një sinjal që Kina e konsideron Serbinë partner strategjik në Ballkan dhe një pikë të rëndësishme për zgjerimin e pranisë kineze në Evropë.

Dhe pas këtyre zhvillimeve Brukseli duket se ka nisur misionin diplomatik, duke hedhur në veprim një prej zyrtarëve më të lartë të Bashkimit Europian.

Antonio Costa do të vizitojë Bosnjën dhe Hercegovinën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi përpara se të bashkëkryesojë Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, i cili do të përqendrohet në “prosperitetin dhe stabilitetin e përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor”.

Zgjerimi i BE-së, integrimi gradual i vendeve kandidate, bashkëpunimi rajonal, si dhe siguria dhe stabiliteti politik pritet të dominojnë axhendën e takimeve.

Vizita vjen ndërsa Brukseli përpiqet të ruajë besueshmërinë e perspektivës evropiane për Ballkanin Perëndimor, duke pranuar ndërkohë se vonesat në procesin e pranimit kanë kontribuar në rritjen e pasigurisë politike dhe lodhjes nga reformat në të gjithë rajonin. Mesazhi i Antonio Costas se “angazhimi i BE-së ndaj rajonit është real, po aq real sa edhe mundësia për zgjerim” pasqyron përpjekjen e institucioneve evropiane për të përforcuar besimin në strategjinë e BE-së për Ballkanin.

Turi i Costa-s nis në Sarajevë të hënën (1 qershor), ku ai do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Denis Beqiroviq, Zheljka Cvijanoviq, Zheljko Komshiq dhe kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Kristo.

Të martën, më 2 qershor, Costa do të jetë në Tiranë, ku do të takohet me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin e Republikës Bajram Begaj dhe studentët e Kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë. Më pas ai do të vizitojë Shkupin, për t’u takuar me Kryeministrin Mickoski.

Të nesërmen, të mërkurën, më 3 qershor, Costa do të shkojë në Prishtinë, për t’u takuar me Presidenten në detyrë Albulena Haxhiu, Kryeministrin në largim Albin Kurti dhe kryetarët e partive opozitare.

Vëmendje e veçantë i kushtohet vizitës së António Costas në Beograd më 4 qershor, ku ai pritet të takohet me Presidentin Aleksandar Vuçiç, Kryetaren e Parlamentit Ana Brnabiç dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Zyrtarët evropianë kanë treguar tashmë se diskutimet do të përfshijnë reformat, çështjet e sundimit të ligjit dhe përafrimin me politikën e jashtme të BE-së, duke nënvizuar se progresi në procesin e pranimit mbetet i lidhur me kritere specifike politike dhe institucionale.

Turneu i Costa-s përkon gjithashtu me një debat në rritje brenda Bashkimit Evropian mbi të ardhmen e zgjerimit dhe modelet e reja të mundshme për integrimin e vendeve kandidate. Në qendër të diskutimit është propozimi i Kancelarit gjerman Friedrich Merz për “zgjidhje inovative” në lidhje me integrimin evropian të Ukrainës, Moldavisë dhe Ballkanit Perëndimor.

Friedrich Merz argumentoi se, megjithëse anëtarësimi i plotë në BE mbetet objektivi strategjik, procesi i zgjerimit po përparon shumë ngadalë, duke propozuar modele të ndërmjetme si qasja e privilegjuar në tregun e vetëm, pjesëmarrja graduale në institucionet evropiane dhe integrimi me faza i vendeve kandidate në politikat e BE-së përpara pranimit të plotë.

Një mesazh i ngjashëm erdhi nga Komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, e cila argumentoi se Bashkimi Evropian duhet të marrë në konsideratë modele më fleksibile të integrimit në mënyrë që t’i përgjigjet realiteteve të reja gjeopolitike, veçanërisht pas aplikimit të Ukrainës për anëtarësim. Në një intervistë me Financial Times, Marta Kos theksoi se BE-ja “duhet të jetë inovative”, ndërsa e bëri të qartë se nuk mund të ketë kompromis mbi sundimin e ligjit, pavarësinë gjyqësore dhe luftën kundër korrupsionit.

Komisionerja e Zgjerimit shprehu mbështetje për debatin e nxitur nga propozimi i Merz mbi pjesëmarrjen graduale të vendeve kandidate në proceset evropiane para anëtarësimit të plotë, duke vënë në dukje se disa udhëheqës evropianë tani po kërkojnë një ekuilibër midis progresit të bazuar në meritë dhe integrimit gradual. Siç paralajmëroi ajo, zgjerimi nuk është më thjesht një proces institucional, por një çështje e lidhur drejtpërdrejt me të ardhmen strategjike dhe kohezionin e vetë Bashkimit Evropian.

Këto propozime kanë krijuar tashmë reagime të përziera si brenda BE-së ashtu edhe midis vendeve kandidate. Disa e shohin integrimin gradual si një mekanizëm praktik për të përshpejtuar rrugën evropiane të shteteve kandidate, ndërsa të tjerë kanë frikë se modele të tilla mund të krijojnë një “status të ndërmjetëm” të zgjatur pa një afat kohor të qartë për pranim të plotë.

Prandaj, Samiti i Tivatit pritet të shërbejë si një moment i rëndësishëm për drejtimin e ardhshëm të politikës së BE-së në Ballkanin Perëndimor. Prania e Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, pritet të përforcojë mesazhin e Brukselit për angazhim politik ndaj rajonit.

Pavarësisht qasjeve të ndryshme brenda Bashkimit Evropian, debati për zgjerimin po zhvendoset përsëri në qendër të axhendës gjeopolitike të BE-së, me Ballkanin Perëndimor që shihet gjithnjë e më shumë si një faktor kyç për stabilitetin dhe kohezionin strategjik të Evropës.

Kë do të votoni për Bashkinë e Tiranës në Zgjedhjet e 9 Majit 2027?
1312 votaKliko mbi kandidatin për të votuar.
Rezultat ilustrues. Jo kampion përfaqësues i elektoratit.
SendShare2Tweet2
Kë do të votoni për Bashkinë e Tiranës në Zgjedhjet e 9 Majit 2027?
1312 votaKliko mbi kandidatin për të votuar.
Rezultat ilustrues. Jo kampion përfaqësues i elektoratit.

Lajmet e fundit

Vrasja e ish-policit Frrok Lleshaj në 2025, gjykata lë në burg Vinçesk Pirolin dhe Kristjan Ymerin

28/11/2026

VIDEO/ Disa efektivë të lënduar nga breshëria e gurëve dhe molotovëve

28/11/2026

Dita e Flamurit, Begaj: Ta bëjmë këtë moment historik mundësi për më shumë zhvillim

28/11/2026

Në Tiranë protestë e dhunshme, Rama reagon nga Vlora: Në këtë ditë të bekuar…

28/11/2026

VIDEO/ Polici merr flakë nga molotovët e protestuesve në Tiranë!

28/11/2026

Paditi Veliajn dhe zyrtarë të tjerë në SPAK, denoncuesi Nesti Angoni fshihet pas emrit të Monika Sojlit

28/11/2026

LIVE! Njerëz me maska në krye të protestës! Nisin aktet e dhunës në Tiranë, shkulen pllakat e bulevardit dhe semaforët!

28/11/2026

Prekazi shënon 28 Nëntori, nderohet Dita e Flamurit dhe ditëlindja e komandantit Adem Jashari

28/11/2026

Tabaku i bashkohet protestës te Sheshi Skënderbej: Shqipëria ndodhet në udhëkryq

28/11/2026

‘Gëzuar 28 Nëntorin’, Berisha: Sot protestë kombëtare, të gjithë në shesh

28/11/2026

Si duhet të jetë Kryebashkiaku i Tiranës 2030?!

28/11/2026

FOTO / Të rinjtë me maska dhe shkopinj nisin përgatitjen kundër Policisë: Gati për luftë!

28/11/2026

Ambasada gjermane uron shqiptarët për 28 Nëntorin: Mbështesim Shqipërinë në rrugën drejt BE-së

28/11/2026

Parzmoret me flamurin kuqezi, gjesti simbolik i policisë në ditën e protestës

28/11/2026

Meloni telefonon Zelenskyn, presidenti ukrainas kërkon falje për operacionin në Libi: Italia nuk u informua

28/11/2026
Facebook Twitter Instagram LinkedIn
AlbTimes

Të fundit

  • Vrasja e ish-policit Frrok Lleshaj në 2025, gjykata lë në burg Vinçesk Pirolin dhe Kristjan Ymerin
  • VIDEO/ Disa efektivë të lënduar nga breshëria e gurëve dhe molotovëve

Shfletoni

  • Botë
  • Dossier
  • Editorial
  • Jetë
  • Kosovë
  • Kronikë
  • Kryesore
  • Kuriozitete
  • Opinion
  • Politikë
  • Sociale

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
SAVED POSTS

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.