“Meksika është shumë e rrezikshme dhe Europa shumë antisemitike”, më shkruajti një mik ndërsa, me proces eliminimi, po diskutonim se ku mund të shkonim me pushime në muajt e ardhshëm. Disa ditë më vonë, dëgjova dy gra në një studio fitnesi në Upper East Side duke pyetur nëse duhej të shmangnin Greqinë, një ndalesë e zakonshme në itinerarin sezonal të elitës së pasur, për shkak të raketave të lëshuara drejt Qipros në mars. (Mykonos ndodhet rreth 480 milje larg Nikozisë.)
Nga lufta me Iranin, që aktualisht ndodhet në një armëpushim të brishtë, deri te situata e pasigurt në Ngushticën e Hormuzit, nga ku kalon 20% e naftës dhe gazit të lëngshëm në botë dhe që ka detyruar linjat ajrore europiane të shkurtojnë itineraret, nuk është çudi që situata aktuale gjeopolitike po krijon një ndjenjë të fortë ankthi.
Megjithatë, ajo që shumë njerëz jashtë rrethit të më të pasurve mund të mos e kuptojnë është se ata që janë mësuar të udhëtojnë lirshëm nëpër botë po e përjetojnë këtë frikë në një mënyrë shumë specifike: duke u shqetësuar se si do t’i kalojnë pushimet në kulmin e sezonit veror, ndërsa shumë pjesë të botës përballen me bombardime dhe zhvendosje masive të popullsisë.
Disa prej tyre mbetën të bllokuar në rajonin e Gjirit pasi hapësira ajrore u mbyll në fillim të luftës. Të tjerë nuk mundën të largoheshin nga Karaibet në janar, menjëherë pas sulmit amerikan ndaj Venezuelës. Tani, muaj më vonë, pasiguritë janë më të mëdha se kurrë dhe frika për të mbetur të izoluar po ndryshon hartën e destinacioneve ku të pasurit janë të gatshëm të udhëtojnë.
Sipas “Exclusive Resorts”, një platformë rezervimesh për individë me pasuri shumë të lartë, pesë destinacionet më të rezervuara për këtë verë janë brenda SHBA-së; në vitin 2025, dy prej destinacioneve kryesore ishin jashtë vendit.
Stuart McNeill, drejtues i “Knightsbridge Circle”, një kompani globale për menaxhimin e stilit të jetesës luksoze, thotë se nuk po sheh panik për destinacione specifike, por një ndjenjë të përgjithshme pasigurie dhe paparashikueshmërie. Sipas tij, klientët e tij, shumë prej të cilëve kanë shtëpi të treta apo të katërta, nuk thonë domosdoshmërisht se ndihen të pasigurt në Europë apo Lindjen e Mesme, por kanë humbur besimin tek sistemet e udhëtimit, linjat ajrore, infrastruktura dhe lehtësia e lëvizjes. Një klient madje hoqi dorë nga biletat për Ëimbledon sepse ndihej i shqetësuar nga përvoja në aeroport dhe kontrollet e sigurisë.
Nga ana tjetër, Dr. Melissa Doft, kirurge plastike në Park Avenue, nuk dëshiron të heqë dorë nga pushimet e saj tradicionale në hotelin “Il San Pietro”. Megjithatë, ajo thotë se po kërkon të udhëtojë në vende që i konsideron të sigurta nga sulmet terroriste dhe miqësore me Amerikën. Itinerari i saj veror përfshin Australinë, Zelandën e Re dhe Balin, ndërsa planifikon të qëndrojë në zona më të izoluara larg qyteteve të mbipopulluara.
Nëse ekziston një filozofi që bashkon elitën e pasur, ajo është kontrolli me çdo kusht. Në kohë normale, paratë mund të krijojnë njëfarë mbrojtjeje nga pasiguritë e botës. Por kjo është më pak e vërtetë në një epokë të dominuar nga luftëra të vazhdueshme.
Megjithatë, ekzistojnë alternativa për ata që janë të gatshëm të paguajnë më shumë për itinerare të caktuara. Gjatë pushimeve të pranverës, Dr. Doft dhe familja e saj udhëtuan drejt Tajlandës duke zgjedhur qëllimisht një kompani ajrore aziatike për të shmangur ndalesat në Lindjen e Mesme, një strategji që planifikojnë ta ndjekin edhe këtë verë.
Në mënyrë të ngjashme, koleksionistja e artit Tianyue Jiang thotë se do të shmangë fluturimet me lidhje dhe do të përdorë kompani ajrore më të mëdha për të reduktuar rrezikun e anulimeve, ndërsa për lëvizjet mes qyteteve dhe ishujve do të përdorë trena dhe anije.
Edhe pse kostot e udhëtimit po rriten për shkak të çmimeve të karburantit, ekspertët e industrisë besojnë se kjo nuk do t’i ndalojë klientët shumë të pasur. Matt Butler, këshilltar udhëtimesh për pushime luksoze, thotë se këtë vit klientët po analizojnë më shumë kostot dhe rreziqet.
“Mes fluturimeve të shtrenjta, hoteleve me 2 mijë dollarë nata dhe temperaturave ekstreme në Mesdhe, klientët po pyesin nëse ia vlen. Dhe kur shton edhe ankthin për politikën globale, destinacione si Nantucket, Haëaii apo Jackson Hole duken alternativa shumë tërheqëse”, thotë ai.
Për këtë arsye, shumë amerikanë të pasur po zgjedhin destinacione brenda vendit. Hotelet luksoze në Florida dhe Utah po raportojnë rritje të rezervimeve edhe gjatë muajve që zakonisht konsideroheshin sezon i ulët.
Megjithatë, destinacionet tradicionale europiane si Ibiza, Capri, Santorini, Positano dhe Saint-Tropez pritet të mbeten të mbushura me turistë amerikanë gjatë verës. Në Bregun Amalfi, disa dhoma hoteli po kushtojnë deri në 6 mijë dollarë nata.
Ndërkohë, Shqipëria po shfaqet gjithnjë e më shumë si destinacion për elitën globale. Sipas kompanisë private të aviacionit “VistaJet”, interesi për fluturime private drejt Shqipërisë është rritur me 211% këtë vit. Shqipëria përmendet si destinacion i preferuar i ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut Eric Adams dhe si vendi ku pritet të ndërtohet një resort luksoz i mbështetur nga kompania e Jared Kushner.
Pavarësisht tensioneve globale, eksperti i turizmit Anant Sharma beson se të pasurit nuk do të ndalojnë së udhëtuari.
“Të pasurit nuk shqetësohen për një shtesë në çmimin e biletës business class. Mbi të gjitha, ata kërkojnë arratisje nga realiteti”, tha ai.

