Nga Ylli Pata
Sot në Parlamentin shqiptar u zhvillua një nga polemikat më absurde që është parë prej kohësh në sallën e Kuvendit. Ndërsa në rendin e ditës ishte një projekt zhvillimi për veriun e vendit, ku një vend të rëndësishëm zë Shkodra, deputetët e PD-së nga ky qark, por jo vetëm, pasi iu bashkuan edhe disa prej figurave më agresive të opozitës pranë Sali Berishës, u vërsulën ndaj ministrit të Infrastrukturës, Enea Karakaçi, i cili po kërkonte mbështetje për këtë nisëm zhvillimore.
Bëhet fjalë për projektin “Porta e Alpeve”, një draft që parashikon një marrëveshje kredie me dy nga institucionet më prestigjioze financiare të kontinentit: Bankën Europiane të Investimeve dhe KfW-në gjermane. Këto institucione mbështesin qeverinë shqiptare në një nismë të rëndësishme për investime infrastrukturore në zonën turistike të Shkodrës, nga Velipoja deri në Alpe.
Ky projekt përfshin një program investimesh publike në infrastrukturë, ku parashikohet modernizimi i transportit publik dhe lidhja organike me zonat turistike alpine, me synimin për t’i dhënë rajonit një zhvillim të qëndrueshëm dhe jo vetëm sezonal.
Megjithatë, përmasat financiare të projektit nuk duket se përbëjnë ndonjë arsye reale shqetësimi për opozitën. Në Shkodër, qeveria e Edi Ramës ka investuar mbi 1.3 miliardë euro deri më tani dhe diferenca është e dukshme. Edhe pse zilia apo frustrimi politik mund të kenë qenë të pranishme, nuk ishte parë më herët një reagim kaq agresiv.
Ish-kryebashkiaku i Shkodrës, sot deputet, i kërkonte garanci ministrit Enea Karakaçi, sikur të bëhej fjalë për një marrëdhënie private borxhi mes individësh dhe jo për një marrëveshje sovrane që kërkonte miratimin e Parlamentit.
Në fakt, e gjithë kjo stuhi në “gotën” e seancës parlamentare kishte një objektiv të qartë: sfidimin politik të rivalit të tyre të ri, drejtuesit politik të PS-së për Shkodrën, Enea Karakaçit.
Karakaçi ka vetëm pak muaj që ka kaluar nga një rol ekzekutiv në një figurë të rëndësishme politike, si ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës dhe drejtues politik i qarkut të Shkodrës. Pikërisht ky ishte objektivi kryesor i sulmeve, të koordinuara politikisht nga Sali Berisha, i cili aktivizoi edhe Gent Strazimirin, përveç deputetëve të tjerë.
Logjika e kësaj polemike ishte e dobët. Deputetët e opozitës flisnin për mungesë garancish në një marrëveshje financiare që po shqyrtohej pikërisht në Parlament për miratim. Garanci më sovrane se vota parlamentare nuk ekziston për një marrëveshje të tillë.
Thelbi ishte i qartë: deputetët e PD-së nga Shkodra, të mbështetur edhe nga kolegë të ardhur nga Tirana, u vunë në dispozicion të një beteje politike kundër drejtuesit të ri politik të Shkodrës, Enea Karakaçit.
Ky i fundit jo vetëm mbrojti efikasitetin e projektit “Porta e Alpeve” për Shkodrën dhe veriun e vendit, por foli edhe për prioritetin politik të Partisë Socialiste për ta kthyer Shkodrën në një pol të qëndrueshëm zhvillimi dhe motor ekonomik të rajonit.
Përgjigjja e ministrit ndaj deputetes Gerta Bardeli u kthye në metaforën e gjithë kësaj përballjeje. Ndaj akuzës së saj se projekti nuk kishte garanci, pavarësisht mbështetjes nga Banka Europiane e Investimeve dhe KfW-ja, Karakaçi iu përgjigj:
“Më duket e çuditshme. Ju, zonjë deputete, duhet të jeni e para që ta mbështesni këtë masë. Ky projekt shkon ekskluzivisht për qarkun e Shkodrës. Është një paketë prej 100 milionë eurosh për qarkun e Shkodrës dhe ju duhet të jeni krenare. Ju thjesht nuk e doni këtë projekt dhe e përdorni për politikë. Nëse s’jeni dakord, s’ka problem, këto investime do të vijnë.”
Përballja e Karakaçit ishte në një dimension ndryshe nga ai i politikanëve klasikë që ushqehen me polarizim. Ai zgjodhi një qasje të qetë, argumentuese dhe qytetare, duke i ftuar rivalët të mendonin për Shkodrën dhe jo për interesat e ngushta politike.
Kur deputetët e Shkodrës u dukën në vështirësi, Sali Berisha aktivizoi edhe Enno Bozdon, deputet i qarkut Berat, i cili e zhvendosi debatin tek borxhi publik. Por Karakaçi iu përgjigj duke i kujtuar se Kuvendi kishte miratuar me dhjetëra marrëveshje të ngjashme financiare.
“Sugjeroj që kush është dashamirës për qarkun e Shkodrës ta votojë këtë projekt. Keni kaluar me dhjetëra marrëveshje huaje dhe tani ngrini çështjen e borxhit publik”, tha ai.
Më pas në debat u përfshi edhe deputetja Ina Zhupa, e cila ngatërroi projektin “Porta e Alpeve” me “Paketën e Maleve”, duke përzier investimet publike me ato private.
Karakaçi iu përgjigj qetësisht: “Paketa e Maleve ka të bëjë me investime private, ndërsa këtu kemi të bëjmë me investime publike. Do të bëj maksimumin si shkodran që këto investime të realizohen sa më shpejt për qarkun e Shkodrës.”
Kur u pa qartë se debati politik nuk po prodhonte efektin e pritur, në podium doli vetë Sali Berisha, duke tentuar ta zhvendoste përplasjen në sulme personale dhe retorikë politike. Por këtë herë, strategjia nuk duket se funksionoi. Përballë një qasjeje më qytetare dhe argumentuese, opozita humbi terren në një betejë që kishte nisur për të goditur drejtuesin politik të PS-së në Shkodër, por që përfundoi duke e ekspozuar vetë atë.

