• Rreth nesh
  • Kontakt
  • Puno me ne
  • Privatësia
No Result
View All Result
AlbTimes
  • Politikë
  • Kronikë
  • Botë
  • Sociale
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
  • Home
    • Home – Layout 1
    • Home – Layout 2
    • Home – Layout 3
    • Home – Layout 4
No Result
View All Result
AlbTimes
No Result
View All Result
Home Botë

Perandoria e Messina Denaro-s: harta e thesarit të bosit të fundit të madh të Cosa Nostra-s!

21/05/2026
in Botë, Kryesore
Perandoria e Messina Denaro-s: harta e thesarit të bosit të fundit të madh të Cosa Nostra-s!

Harta e thesarit të Matteo Messina Denaro-s nuk të çon në bunkerë të fshehtë, as në kasaforta të mbushura me para apo në depo të ruajtura nga “burra nderi”. Gjurmët e saj shpërndahen në mënyrë të qëllimshme dhe të gjerë: Verona dhe Londra, Belfast dhe Dublini, Toskana, Qipro dhe Malta, deri në kompani në emër të të tretëve, investime në energjinë e rinovueshme, tregti të mallrave kulturore, supermarkete, gjetje arkeologjike dhe kapital të shpërndarë brenda ekonomisë legale.

Kjo është gjeografia që del nga hetimet dhe nga dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët po përpiqen të rindërtojnë sistemin ekonomik të “ù Siccu”-s, i cili vdiq më 25 shtator 2023, pas 33 vitesh në arrati.
Prokuroria e Palermos, e drejtuar nga Maurizio de Lucia, po ndjek pasuritë e fshehura duke kaluar përmes kompanive të huaja, personave fasadë dhe kapitalit të mbrojtur me struktura komplekse financiare.

Edhe pas vdekjes së tij, Messina Denaro mbetet një figurë që vazhdon të gjenerojë debat. Përveç rolit të tij pranë Salvatore Riina-s gjatë periudhës së masakrave që goditën Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, ai mbahet mend edhe për transformimin e Cosa Nostra-s së Trapanit nga një organizatë e dhunshme në një fuqi të mirëfilltë ekonomike, e aftë të depërtojë në sektorët e ligjshëm.

Një nga fushat kryesore të këtij transformimi ishte biznesi i energjisë së erës. Hetuesit kanë identifikuar sipërmarrësin Vito Nicastri si një figurë kyçe në këtë sistem, përmes një rrjeti kompanish, turbinash me erë dhe investimesh të mbështetura nga fonde publike që qarkullonin në mënyrë të ndërlikuar.

Ky mekanizëm e shndërroi energjinë e rinovueshme në një nga kanalet kryesore të qarkullimit të kapitalit mafioz. Nicastri, i cili ndërroi jetë në korrik 2024, ishte akuzuar për bashkëpunim të jashtëm me mafian, por më vonë u lirua nga akuzat në apel në dhjetor 2023, ndërsa u hoqën masat e sekuestrimit të pasurive të tij.
Ai gjithmonë i ka mohuar akuzat. Megjithatë, hetuesit theksojnë se ndjekja e parave të parqeve të erës çon përtej Siçilisë dhe kalon nëpër Toskana e Veneto, duke u shtrirë deri në Irlandë, në Belfast dhe Londër.

Në këtë kuadër, merr një kuptim tjetër edhe prania e fotove të Messina Denaro-s në Verona, përpara Arenës, të realizuara më 20 maj 2006, vetëm pak javë pas arrestimit të Bernardo Provenzano-s. Ato imazhe tregojnë një burrë të qetë, pothuajse sfidues, ndërsa kërkimi për të vazhdonte me intensitet të lartë.

U Siccu i ruante këto foto në ditarët e tij, të destinuara për vajzën Lorenza. Verona nuk është vetëm një vend kalimi në arrati, por për disa bashkëpunëtorë edhe një nyje e rëndësishme në hartën ekonomike të rrjetit.
Megjithatë, kapitali mafioz nuk qarkullon vetëm përmes sektorit të energjisë. Një pjesë tjetër e sistemit lidhet me shpërndarjen ushqimore në shkallë të gjerë dhe me strukturat turistike. Në këtë fushë spikat Giuseppe Grigoli, i konsideruar një nga figurat kyçe të rrjetit, i cili ndërtoi një perandori supermarketesh në Sicili, më pas të sekuestruar nga shteti.

Këto struktura nuk shërbenin vetëm si biznese fitimprurëse, por edhe si mjete për pastrimin e parave dhe shndërrimin e tyre në kapital të ligjshëm. Njëkohësisht, ato krijonin një formë kontrolli shoqëror përmes punësimeve, favoreve dhe varësive ekonomike, duke zëvendësuar në disa raste edhe funksione të shtetit.

Një tjetër kapitull i rëndësishëm lidhet me artin dhe arkeologjinë. Në këtë kontekst shfaqet një ekspert arti që jeton jashtë Italisë, i cili sipas rindërtimeve hetimore bëhet qendër e një rrjeti ndërkombëtar trafiku objektesh arkeologjike dhe veprash arti, nga Selinunte në Zvicër, Shtetet e Bashkuara dhe Angli.

Hetimet e lidhin këtë rrjet edhe me një plan të dështuar për vjedhjen e “Satirit Vallëzues” të Mazara del Vallo. Në këtë sistem, një zbulim arkeologjik mund të ketë vlerë të barabartë me një llogari bankare të huaj, një pasuri e padukshme, lehtësisht e zhvendosshme dhe e vështirë për t’u gjurmuar.

Në këtë strukturë ekonomike përfshihen edhe Guttadaurët, një familje nga Bagheria që sipas hetuesve përfaqëson krahun e sofistikuar ekonomik të Cosa Nostra-s. Një borgjezi e fshehtë e përbërë nga mjekë, avokatë dhe magjistratë, e integruar në jetën profesionale dhe institucionale.

Lidhja e tyre me Messina Denaro-n është edhe familjare: një nga motrat e tij ishte martuar me Filippo Guttadauro-n, duke e kthyer këtë raport në një rrjet interesash të qëndrueshme dhe të trashëguara.

Hetuesit flasin për “projeksione ekonomike jashtë Sicilisë”, nga Lazio në Toscana dhe deri në veri të Italisë. Në këtë kuptim, mafia nuk shfaqet më si një organizatë e mbyllur klanore, por si një strukturë që ngjan me një kompani asetesh financiare, e aftë të shpërndajë kapital dhe ndikim në shumë sektorë njëkohësisht.

Brenda këtij rrjeti familjar dhe ekonomik shfaqet edhe figura e mbesës së tij Lorenza Guttadauro, avokate. Në ditarët e tij, ù Siccu shkruante se ajo do të ishte përgjegjëse për funeralin dhe për dëshirat e tij të fundit, duke i atribuar asaj një rol të qartë dhe të shkruar me dorën e tij: “Isha unë që ia dhashë këtë autoritet”.

Kjo gjë daton më 1 qershor 2014, kur ai ishte ende në arrati. Më pas, pas arrestimit të tij, ajo u bë avokatja e tij e besuar dhe, pas vdekjes së tij, u largua nga Sicilia për të punuar në Romë, në një zyrë pranë Ministrisë së Arsimit.

Pasuria e një bosi të mafies mbështetet mbi një rrjet besnikërie familjare, ku sekretet, marrëveshjet dhe ndoshta edhe pjesë të trashëgimisë financiare kalojnë nga një brez te tjetri. Brenda kësaj historie hyn edhe vajza e tij Lorenza Alagna, e lindur në vitin 1996 nga lidhja me Francesca Alagna.

Për 27 vite ajo jetoi larg babait të saj, duke mbajtur vetëm mbiemrin e nënës. E takoi për herë të parë pas arrestimit të tij dhe më pas vendosi të marrë zyrtarisht mbiemrin Messina Denaro, duke hyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë histori familjare dhe publike.

Edhe një detaj i vogël. Në dorëshkrimet e tij, Messina Denaro duket se sugjeron mënyrën si ai e imagjinonte pasurinë: një qindarkë e ngjitur në faqen e fundit të një ditari. Një objekt i thjeshtë, por i vendosur aty me qëllim.

Në fund, një nga frazat e tij më të njohura e përmbledh këtë logjikë: “Nëse do të fshehësh një pemë, mbille atë në pyll!”.

Një përkufizim i saktë i mënyrës si ai e konceptonte thesarit e tij: jo si një pasuri e fshehur në një vend të vetëm, por si kapital i shpërndarë dhe i tretur brenda ekonomisë legale, i padallueshëm mes rrjetit të saj./“La Repubblica”

Më të lexuarat

  • Arsyet e ankthit të deputetëve të PD-së për “Portën e Alpeve”

    Arsyet e ankthit të deputetëve të PD-së për “Portën e Alpeve”

    332 shares
    Share 133 Tweet 83
  • Shqiptarët u “ngopën” me mish Brazili, ndërsa BE po e bllokon

    332 shares
    Share 133 Tweet 83
  • “Iku dhe nuk u kthye më!” Avokati Vishaj rrëfen betejën me sëmundjen e rëndë dhe braktisjen nga gruaja

    332 shares
    Share 133 Tweet 83
  • “Pres të më marrë ende në telefon…”, Ema Andrea trondit me rrëfimin për binjakun e saj

    332 shares
    Share 133 Tweet 83
  • Urdhri i ri, Mojtaba Khamenei i vendos vijën e kuqe SHBA-së për uraniumin!

    332 shares
    Share 133 Tweet 83
  • Fundi i një autokrati/ Orban nuk do të kthehet më kurrë, Magyar vendos kufi 8-vjeçar për kryeministrat

    332 shares
    Share 133 Tweet 83
  • Bleu mandatin te Shkëlzeni për 500 mijë euro, deputeti sheik i PD-së Ramadan Likaj pritet të kalojë në krahun e PS-së

    332 shares
    Share 133 Tweet 83
  • “Integrim gradual”, zbulohet letra e Merz për Shqipërinë: Zgjidhje inovative për vendet kandidate

    332 shares
    Share 133 Tweet 83
  • Ish-kandidati për kreun e PD-së: Edhe Meremja do ta mundte Berishën po ta lejonin të garonte, ajo parti nuk ka të ardhme

    332 shares
    Share 133 Tweet 83
  • Perandoria e Messina Denaro-s: harta e thesarit të bosit të fundit të madh të Cosa Nostra-s!

    332 shares
    Share 133 Tweet 83
AlbTimes

Lajme të vërteta!

Të tjera

  • Rreth nesh
  • Kontakt
  • Puno me ne
  • Privatësia

Na ndiqni

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Home
    • Home – Layout 1
    • Home – Layout 2
    • Home – Layout 3
    • Home – Layout 4

Lajme të vërteta!