Vetëm pak javë më parë, opozita protestonte në rrugë kundër qeverisë, duke akuzuar Edi Ramën për kapje të shtetit, korrupsion dhe presion ndaj drejtësisë. Nga ana tjetër, mazhoranca vijonte sulmet ndaj Sali Berishës dhe Partisë Demokratike. Por ndërsa përplasja politike vazhdon në publik, në Kuvend po ndodh diçka tjetër: votat mes PS dhe PD po afrohen gjithnjë e më shumë.
Brenda pak ditësh, socialistët dhe demokratët kanë prodhuar dy dakordësi të rëndësishme politike. Më 14 maj, të dyja palët bashkuan votat për rezolutën e integrimit europian, duke shpallur integrimin në BE si objektiv strategjik kombëtar dhe duke rënë dakord për forcimin e dialogut politik dhe reformave të përbashkëta.
Ndërsa sot, PS dhe PD finalizuan edhe marrëveshjen për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, ku palët lëshuan nga pozicionet e tyre dhe ndërtuan një draft konsensual për funksionimin e Parlamentit.
Në pamje të parë, këto mund të duken si marrëveshje teknike. Por në politikën shqiptare, dakordësitë e mëdha rrallë mbeten vetëm teknike.
Në sfond po lëviz një debat edhe më i madh: ndryshimi i Kushtetutës.
Kryeministri Edi Rama ka hedhur publikisht idenë për reduktimin e numrit të deputetëve nga 140 në 100, ndërsa në Komisionin e Reformës Zgjedhore socialistët dhe demokratët kanë pranuar për herë të parë se ndryshimet në sistemin elektoral mund të kërkojnë ndërhyrje kushtetuese.
Damian Gjiknuri e tha hapur se një reformë e tillë nuk bëhet pa “dakordësi politike”, ndërsa Oerd Bylykbashi pranoi se sistemi aktual proporcional është “toksik” dhe ka deformuar pluralizmin politik.
Kjo është pika ku nis të ringjallet hija e vitit 2008.
Asokohe, Edi Rama dhe Sali Berisha votuan bashkë ndryshimet kushtetuese që prodhuan sistemin proporcional rajonal, një formulë që për vite me radhë forcoi dominimin e PS dhe PD dhe dobësoi partitë e vogla.
Sot, pas 18 vitesh, të njëjtët protagonistë po afrojnë sërish votat për tema që prekin direkt arkitekturën politike dhe institucionale të vendit.
Dakordësia për rezolutën e integrimit ishte sinjali i parë. Marrëveshja për Rregulloren e Kuvendit duket si sinjali i dytë. Të dyja së bashku po ushqejnë dyshimet se PS dhe PD mund të jenë duke përgatitur terrenin për një marrëveshje më të madhe politike.
Në qarqet politike po diskutohet gjithnjë e më shumë ideja se reforma zgjedhore, ulja e numrit të deputetëve dhe ndryshimet kushtetuese mund të bëhen pjesë e një pakete të re negociatash mes Ramës dhe Berishës.
Kjo do të kërkonte një shumicë të cilësuar votash në Kuvend, diçka që asnjëra palë nuk e realizon dot e vetme.
Në këtë klimë, afrimi i votave mes PS dhe PD po shihet nga kritikët si sinjal i një “normalizimi” të ri politik mes dy partive të mëdha, pavarësisht retorikës së ashpër publike.
Pyetja që po shtrohet gjithnjë e më fort është nëse Shqipëria po shkon drejt një tjetër marrëveshjeje të madhe politike si ajo e vitit 2008, ku PS dhe PD rishkruajnë bashkë rregullat e lojës.
Për momentin askush nuk e pranon publikisht një pazar të tillë. Por dy dakordësi të rëndësishme brenda pak ditësh kanë mjaftuar për të rikthyer dyshimet se negociatat reale mund të mos zhvillohen në sallën e Kuvendit, por larg kamerave. /Pamfleti

