Më 15 prill 2026, SPAK mbylli një operacion ndërkombëtar që kishte nisur si procedim penal në vitin 2023. Në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe autoritetet e Francës, Holandës dhe Britanisë, Prokuroria e Posaçme goditi një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik kokaine dhe pastrim parash. Në krye të tij, sipas hetuesve, qëndronte Jetmir Pepa, 34 vjeç, i njohur si Mir Pepa ose Marashi.
Gjykata e Posaçme lëshoi 11 urdhër-arreste dhe vendosi sekuestro preventive mbi 232 pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro. Në pranga ranë vetëm tre persona: Lulzim Pepa, 51 vjeç, vëllai i kreut të grupit, Anton Kola, 33 vjeç dhe Florian Marku, 34 vjeç.
Jetmir Pepa dhe vëllai tjetër, Aleks Pepa, 38 vjeç, u shpallën në kërkim ndërkombëtar. Dosja ka një peshë të jashtëzakonshme për shkak të provave të mbledhura në katër shtete dhe përfshirjes së agjencive më të rëndësishme ligjzbatuese në Europë.
Tetë episode, 7.5 tonë kokainë
Akti i akuzës dokumenton tetë episode trafikimi nga Amerika Latine drejt Europës veriore, të gjitha brenda vitit 2020. Sasia e sekuestruar arrin 7.5 tonë kokainë, por hetuesit besojnë se totali real është shumë më i lartë.
Në prill 2020, 1,018 kg kokainë udhëtuan nga Peruja drejt Roterdamit me vlerë rreth 1.3 milionë euro. Në qershor, 2,020 kg nga Ekuadori mbërritën në të njëjtin port, të kamufluara si mall për një kompani hungareze. Të njëjtin muaj, 516 kg u bllokuan në portin Callao të Perusë. Më pas erdhën 500 kg të fshehura në konserva peshku nga Kolumbia, me destinacion formal Gjermaninë. Në gusht, 1,238 kg të fshehura midis bananeve nga Ekuadori, drejt një kompanie në Hagë. Dhe në tetor, 531 kg në rrush të thatë, drejt Suedisë. Një zinxhir industrial që e rendit grupin Pepa mes operatorëve më të mëdhenj shqiptarë në tregun e kokainës.
Perandoria e ndërtuar nga kokaina e Mir Pepës
Nga trafiku në beton, skema e pastrimit mbështetej mbi një strukturë biznesi të ndërtuar me durim që nga viti 2014. Në qendër qëndron Pepa Group, shoqëria flamur e themeluar në tetor 2014 me seli në zonën industriale të autostradës Tiranë-Durrës.
Nën këtë ombrellë u krijuan shtatë shoqëri tregtare. B.I.V në Rubik, Shëngjini 2013 në Lezhë, Oxford Hotel në qendër të Tiranës, klinika e estetikës Maison Nuve Aesthetics në kompleksin River Residence, klubi i natës Soluna në Shëngjin dhe 33.30% e aksioneve të hidrocentralit Arsti në Fierzë të Fushë-Arrëzit, një HEC me fuqi të llogaritur mbi 10 mijë kW.
Sekuestro preventive përfshiu 60 pasuri të paluajtshme; toka, godina, hotele dhe apartamente; të shpërndara me strategji në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Shëngjin, Sarandë dhe Himarë. Zonat urbane më të shtrenjta dhe bregdeti turistik ishin të mbuluara. Listës i shtohen 89 automjete, përfshirë makineri të rënda ndërtimi dhe autovetura luksoze, plus 72 llogari bankare në emra personash fizikë dhe juridikë.
Vlera totale e perandorisë kap 69 milionë euro. Por ajo që i shqetëson më shumë hetuesit është ajo që nuk u kap. Në javët para goditjes, Mir Pepa ka tentuar të shpëtojë çfarë të mundej nga sekuestrimet, duke lëvizur miliona euro drejt personash që hetimi ende nuk i ka evidentuar. Kjo pistë mbetet e hapur dhe mund të zgjerojë ndjeshëm përmasat e dosjes.
Shkollat, tenderat dhe konkurrenca false
Pjesa më shqetësuese e kësaj historie nuk është trafiku i drogës, por mënyra se si paratë e dyshuara u pastruan përmes prokurimeve publike, me paratë e taksapaguesit shqiptar.
Pepa Group fitoi kontrata publike me vlerë totale mbi 69 milionë euro. Rreth 50 procedura prokurimi mbajnë emrin e kësaj kompanie, 14 prej tyre e fituara e vetme dhe 36 në bashkim operatorësh. Shumica dërrmuese e tenderave erdhën nga Bashkia e Tiranës.
Kronologjia flet vetë. Në vitin 2019, tenderi për shkollën “Kosova” u fitua pasi u eliminuan 9 nga 10 konkurrentë. Në prill 2024, shkolla “Pjetër Budi” me fond 3.7 milionë euro u fitua pas eliminimit të 10 nga 19 garuesve. Në korrik 2024, Bashkia e Tiranës i dha kontratën 10 milionë euro për qendrën TEDA. Në nëntor 2024, Bashkia e Durrësit nën drejtimin e Emirjana Sakos i besoi tenderin 2.7 milionë euro për shkollën Vadardh në Sukth. Më herët, në Fushë-Arrëz, palestra e shkollës “70-Vjetori” u fitua pas eliminimit të 2 nga 3 ofertuesve.
Portofoli i plotë përfshin gjithashtu Varrezat e Dëshmorëve, Maternitetin e Fierit, Godinën e Anatomisë pranë Universitetit të Mjekësisë në Tiranë dhe qendrën kulturore “Ten”. Programi i Rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019 u bë burimi më i pasur, me procedura emergjente që kufizonin konkurrencën dhe hapnin rrugën për fitues të përhershëm. Banesa individuale në Ndroq, Krrabë, Pezë, Shëngjergj dhe godina shumëkatëshe te “5 Maji” dolën të gjitha nga e njëjta kompani.
Bisedat SkyECC dhe njerëzit pas perdes që mbrojnë Mir Pepën
Platforma e koduar SkyECC, e depërtuar nga autoritetet evropiane në vitin 2021, zbuloi komunikime të drejtpërdrejta midis vëllezërve Pepa. Në to flitej për tendera rindërtimi dhe leje ndërtimi në zonën e “21 Dhjetorit”, një nga më të lakmuarat e Tiranës. Sipas hetuesve, bisedat përmbajnë negociata me përfaqësues institucionesh për tregtimin e lejeve. Këta emra SPAK ende nuk i ka bërë publikë.
Po ashtu, përgjimet zbuluan transaksione monetare të ndërsjella mes Pepës dhe figurave të njohura të ekranit, si dhe konflikte financiare me personazhe të caktuara.
Dosja Pepa nuk mbyllet me 11 urdhër-arrestet dhe 232 pasuritë e sekuestruara.
Hetimi ka filluar të ekspozojë një shtresë më të thellë, atë të bordit të mbrojtjes që e bëri të mundur këtë perandori. Në periferi të kësaj dosjeje po shfaqen emra drejtuesish të krimit ekonomik, shefa policie, prokurorë dhe politikanë të njohur. Për të cilët do të flasim në vijim.

