Presidenti Bajram Begaj, ka reaguar pas aksidentit të rëndë të ndodhur mesditën e kësaj të diele në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë, ndërsa një i tretë ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Begaj shprehet se është thellësisht i tronditur nga ngjarja tragjike dhe lutet për shpirtrat e dy të miturve që humbën jetën, duke u shprehur ngushëllime të sinqerta familjarëve të tyre.
Postimi i Begajt:
I tronditur thellë për aksidentin e tmerrshëm në Durrës, ku humbën jetën dy vogëlushë dhe një tjetër u plagos shumë rëndë.
Lutem me përunjësi për shpirtrat e tyre!
Ngushëllimet e mia më të sinqerta për prindërit dhe familjarët e dy engjëjve të vegjël.
Uroj shërim për fëmijën që ndodhet i shtruar në spital.
Institucionet përgjegjëse të marrin masa për rritjen e sigurisë në qarkullim, të bëjnë një hetim shterues për ngjarjen dhe qytetarët të rrisin përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit.
Jeta dhe siguria e qytetarëve është e shenjtë!

