Kryedemokrati Sali Berisha, pas përfundimit të protestës, iu drejtua qytetarëve me një fjalim nga selia e PD.
Ai tha se nuk ka forcë në botë që të mund të ndalojë kryengritjen paqësore të shqiptarëve.
Sa i përket dhunës, ai akuzoi policinë se ka plagosur qytetarët dhe vetë uniformat blu me molotovë, ndërsa nuk ndali akuzat ndaj drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit.
“Qëndruat të pamposhtur ndaj një terrori të një regjimi që u soll si pushtues barbar. Zëri juaj u shndërrua në tmerr të vërtetë për narkoregjimin e Edi Ramës. Sot, me urdhër të Edi Ramës, Skënder Balluku, Sokol tradhtari, besëpreri Bizhga dhe Enton Allushi, Dashamir, shefi i njësisë operative, kanë treguar fytyrat e vërteta prej kriminelësh profesionistë. Nuk kanë asgjë të përbashkët me punonjësit e policisë, por janë kriminelë të certifikuar, të cilët mendojnë se do të zbrapsin një popull të tërë në mbrojtje të dyshes Rama-Balluku. Deklarova para pak, po deklaroj përsëri: dosja Rama-Balluku nuk mbyllet deri ditën e fundit të jetës së tyre. Ata janë të regjistruar në analet e këtij populli si hajdutët më të mëdhenj. Nuk ka forcë në botë t’i mbrojë ata. Sot, Skënder Balluku, që mori drejtimin e narkopolicisë, shënjestroi dhe goditi drejtuesit kryesorë të PD. Luçiano Boçi është në spital, Flamur Noka pësoi goditje, por vazhdon detyrën. Klevis Balliu në spital; në spital janë drejtues të tjerë. Gazetari Aulon Kalaja u godit personalisht, në hakmarrje për qëndrimet e tij ndaj regjimit. Drejtues të tjerë të PD janë të plagosur. Sot, Sokol Balluku ka përdorur bomba kundër protestuesve, granata zhurmuese, siç quhen, dhe kanë plagosur disa prej tyre. Kanë hedhur shishe molotov dhe kanë plagosur edhe protestues, edhe policë, sepse u duheshin si dëshmitarë të gjoja akteve të protestuesve. Forcë në botë që të ndalojë kryengritjen tonë paqësore nuk ka”, tha Berisha.
I pyetur nga mediat se kur do të jetë protesta e radhës, Berisha tha se do të jetë shumë shpejt, por pa dhënë një datë.

