Presidenti dhe CEO i Forumit Ekonomik Botëror të Davosit (WEF). Borge Brende, ka dhënë dorëheqjen të enjten, pas daljes në dritë të detajeve të reja mbi kontaktet e tij me financierin amerikan Jeffrey Epstein.
Brende, që drejtonte Forumin që nga viti 2017, njoftoi largimin disa javë pasi organizata me seli në Gjenevë ndërmori një hetim administrative mbi marrëdhënien e tij me Epstein. Sipas dokumenteve të publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, Brende kishte zhvilluar tre darka pune me Epsteinin dhe kishte komunikuar me të nëpërmjet emailit dhe mesazheve.
“Pas një reflektimi të kujdesshëm, kam vendosur të largohem nga posti i Presidentit dhe CEO të Forumit Ekonomik Botëror. Koha ime këtu, për më shumë se 8 vite e gjysmë, ka qenë thellësisht shpërblyese”, u shpreh ish ministri i jashtëm i Norvegjisë në deklaratën e publikuar nga forumi.
Në deklaratën zyrtare të WEF nuk përmendet emri i Epstein, por vetë Brende u tha mediave norvegjeze se i vjen keq për mënyrën si i ka trajtuar kontaktet me të dhe se nuk dëshironte që çështja të kthehej në pengesë për punën e forumit, i cili organizon samitin vjetor në Davos.
Ai ka deklaruar më herët se nuk ishte në dijeni të së kaluarës penale të Epstein kur u takua për herë të parë me të në vitin 2018 dhe se ndihej i penduar që nuk kishte bërë verifikime më të thelluara.
Një hetim i pavarur i porositur nga drejtuesit e forumit, Andre Hoffmann dhe Larry Fink, doli në përfundimin se nuk kishte shqetësime të tjera përtej atyre që tashmë janë bërë publike.
Megjithatë, mesazhet e publikuara nga dosjet e Epstein tregojnë një ton miqësor mes dy burrave në vitet 2018-2019. Në një prej tyre, Brende e cilësonte Epsteinin si “mikpritës brilant” ndërkohë që pas një darke ku ishte i pranishëm edhe ish-këshilltari i presidentit amerikan, Steve Bannon, ai i shkruante “më mungon, zotëri.”
Epstein u dënua në vitin 2008 për nxitje prostitucioni me të mitur dhe vdiq në vitin 2019 në burg, ndërsa priste gjyqin për akuza për trafikim seksual. Publikimi i mbi 3 milionë faqeve dokumente nga autoritetet amerikane ka rikthyer vëmendjen mbi lidhjet e tij me figura të njohura të biznesit dhe politikës, përfshirë presidentin Donald Trump, ish-presidentin Bill Clinton dhe drejtues të tjerë të lartë globalë.
Largimi i Brende vjen një vit pasi themeluesi i forumit, Klaus Schëab, u tërhoq gjithashtu nga drejtimi pas presioneve të brendshme dhe akuzave të ngritura nga një sinjalizues.
Deri në emërimin e një drejtuesi të ri të përhershëm, detyrën do ta mbajë përkohësisht drejtori menaxhues i WEF, Alois Zwinggi, ndërsa bordi i besuarve do të mbikëqyrë tranzicionin.











