Policia e Pogradecit ka zbardhur dy ngjarje kriminale të ndodhura së fundmi në qytet, duke vënë në pranga autorin e dyshuar të djegies së qëllimshme të dy automjeteve.
Operacioni i koduar “The last fire” çoi në arrestimin e 38-vjeçarit me iniciale J. T., i cili akuzohet se ka vënë zjarrin në dy raste të ndryshme, konkretisht në dhjetor të vitit të kaluar dhe vetëm tri ditë më parë në lagjen numër 1 të qytetit.
Nga hetimet intensive ka rezultuar se këto akte nuk kanë qenë të rastësishme, por të porositura nga një person tjetër, shtetasi E. F., po ashtu 38 vjeç nga Korça, i cili tashmë është shpallur në kërkim nga autoritetet.
Përveç ekzekutorit dhe porositësit, policia ka nisur procedimin penal edhe për një 21-vjeçar nga Korça, i cili akuzohet për moskallëzim krimi.
Automjetet e dëmtuara ishin në pronësi të shtetasve A. M. dhe E. M., ndërsa materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.











