Kryeministri Edi Rama dënoi incidentin e ndodhur në rezidencën artistike “Vila 31 x Art Explora” në Tiranë, ku artistë ndërkombëtarë u gjendën nën një sulm me mjete shpërthyese artizanale gjatë protestës së opozitës.
Gjatë një vizitë të zhvilluar në mjediset e ish-rezidencës së diktatorit, Kryeministri bisedoi me drejtoren ekzekutive të programit të Fondacionit Art Explora, Bisej Kapo, e cila ndodhej së bashku me artistët, në rezidencë gjatë kohës së sulmit nga protestuesit.
Kreu i qeverisë tha se ajo situatë mund të kishte sjellë edhe një tragjedi.
“Prej disa kohësh kjo rezidencë e diktatorit dikur, është kthyer në një rezidencë artistësh që vijnë nga gjithë bota këtu në Tiranë, në një destinacion që jep vlerë dhe e bën të çmuar Tiranën dhe Shqipërinë edhe në këtë drejtim dhe erdha për t’u takuar me artistët dhe për t’ju shprehur atyre të gjithë ndjenjën time të keqardhjes, për t’ju kërkuar falje për atë çka ndodhi mbrëmë kur u gjendën nën një sulm bombash artizanale, që largqoftë, mund të kishin sjellë edhe tragjedi këtu dhe ata janë të traumatizuar, nuk janë në gjendje të flasin për publikun. I mirëkuptoj krejtësisht dhe kjo që ka ndodhur është një turp shumë i madh, është një dëm shumë i madh, është një plagë e hapur në atë që është fytyra e Shqipërisë së re dhe të cilën e përfaqëson dhe ko rezidencë, të cilën e mishërojnë dhe këta djem dhe këto vajza të talentuara që vijnë nga të katër anët e botës, këtu”, tha Rama.
Kreu i qeverisë hodhi akuza ndaj organizatorëve të protestës se frymëzojnë akte të tilla.
“Pra, atyre që i simpatizojnë, dua t’i them që nga kjo, nga këto humbasin të tërë ata që duan të bëjnë punë, që duan të kenë turistë, që duan të zhvillojnë ekonominë e tyre të vogël, me biznesin e tyre të vogël apo që duan të rrisin qetësisht fëmijët këtu sepse Shqipëria e hapur nuk mund të mbyllet dhe këto kërcitje thjesht dhe vetëm e çojnë ujin totalisht në mullirin e së shkuarës dhe nuk kanë të bëjnë fare me të ardhmen”, tha Rama.
Ndërsa drejtoresha e programit, Bisej Kapo, tha se situata mund të kishte përshkallëzuar edhe për faktin se vila është e ndërtuar me dru.
“Për mua fakti që nuk e dinin që është rezidenca e arteve, nuk është fare skuzim, madje më duket e turpshme që ta përdorësh si një element që padija të justifikojë veprimin”, tha ajo.
Kujtojmë se në lidhje me këto akte janë arrestua katër protestues.











