Presidenti Donald Trump, duket se e ka të vështirë të mbajë mend jo vetëm numrin e vendeve me të cilat ka nisur luftë kohët e fundit. Por gjithashtu edhe emrat e liderëve.
Ditën e hënë, gjatë një konference për mediat, ai u duk sikur harroi emrin e lideres që vetë kishte vendosur në krye të Venezuelës, vetëm pak më shumë se dy muaj pasi urdhëroi ushtrinë amerikane të arrestojë ish-presidentin Nicolás Maduro.
“Venezuela, që ka qenë fantastike, marrëdhënia me Venezuelën ka qenë e shkëlqyer,” tha Trump gjatë një konference për shtyp mbi mbylljen e Qendrës John F. Kennedy për Artet e Skenës për një rinovim prej 200 milionë dollarësh.
“Presidenti ka bërë një punë shumë të mirë. Unë shkoj shumë mirë me të,” shtoi Trump. Mirëpo, Venezuela nuk ka një president burrë.
Presidentja në detyrë e Venezuelës është një grua, të cilën ai vetë e ka zgjedhur, Delcy Rodríguez. Ajo është ish-zv.presidentja e Maduros, e cila mori pushtetin menjëherë pas operacionit amerikan ushtarak në janar, ku Maduro u kap dhe u dërgua në SHBA për t’u gjykuar.
Më herët, Trump e kishte lavdëruar Rodríguez-in, duke anashkaluar lideren e opozitës María Corina Machado, e cila madje i kishte dhuruar presidentit amerikan medaljen e Çmimit Nobel për Paqe që kishte fituar për rolin e saj në kundërshtimin e regjimit të Maduros.
Megjithatë, Trump duket se ka harruar kush drejton vendin latin-amerikan, edhe pse nuk ka harruar interesin për naftën e tij.
Javën e kaluar, ai i tha NBC News se nuk donte të diskutonte nëse SHBA-të duhet të konfiskojnë naftën e Iranit, por pranoi se “sigurisht njerëzit e kanë përmendur këtë.”
Komentet e tij erdhën ndërsa çmimi i naftës u rrit mbi 100 dollarë për fuçi, pasi lufta me Iranin ka bllokuar transportin përmes Ngushticës së Hormuzit. Lufta e përbashkët e SHBA-ve dhe Izraelit kundër Iranit është aktualisht në qendër të vëmendjes, pasi Trump nisi sulmet më 28 shkurt, duke vrarë Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei.
Trump on Venezuela: “The president has done a very good job. I get along with him really well”
(The president of Venezuela is a woman ) https://t.co/xNBCiBCLia pic.twitter.com/ATTjze1Zny
— NEXTA (@nexta_tv) March 17, 2026











