Ermal Azizaj, vëllai i Dashuri Rrapaj, 75 vjeçe, e cila u vra dje me armë nga bashkëshorti Shefit Rrapaj, ka dhënë një rrëfim të dhimbshëm për kamerat, duke treguar momentet pas ngjarjes dhe sjelljen e dhunshme të burrit të motrës së tij.
“Më bie telefoni në drekë, por nuk e hapa për momentin. Nuk po rrija dot, mora telefonin, ishte nipi. Më thotë: “E ka vrarë, kanë vdekur të dy daje.” Mora vëllain e madh në telefon, për ta shpëtuar mos e gjenim gjallë. Nuk na la policia të hynim brenda.
Ai ka qenë problematik. 50 vjet motra jonë ka qenë gjithmonë mbulesë. Kishte hijen e prindit të rëndë. Para 10 ditësh Shefiti e denoncoi në polici djalin e tij, pse mbolli patate në tokën e tij. Ai ka qenë problematik.
Unë kam jetuar në Greqi. Nuk na është ankuar. Ka qenë burri i dhunshëm, por nuk e mendonim deri këtu. Para 20 vitesh ka tentuar vetëvrasjen. Në mars 2006 tentoi të vriste veten me armë.
Ne kemi marrë motrën tonë, do e varrosim ku kemi nën dhe babain, të jetë në mes të luleve. Për atë nuk më intereson fare, ta groposin në kanalin më të thellë”, shprehet vëllai”, tha ai.
Çifti Rrapaj kishte rreth 20 vite që jetonte në këtë zonë, pasi ishin zhvendosur nga Levani i Beratit. Ata ishin prindër të 9 fëmijëve, 3 vajza dhe 6 djem, shumica e të cilëve jetojnë në emigracion.











