Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka rritur tonet ndaj Iranit, duke paralajmëruar se vendi i tij do të vazhdojë sulmet nëse Teherani nuk pranon të ulet në tryezën e negociatave për t’i dhënë fund luftës.
Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, Trump këmbënguli se Irani duhet të negociojë një marrëveshje paqeje, duke deklaruar se në të kundërt SHBA-të do të vazhdojnë ta “hedhin në erë” vendin.
Komentet e tij kanë ngritur pikëpyetje të reja mbi ekzistencën e bisedimeve indirekte mes dy vendeve. Presidenti amerikan vijon të pretendojë se Irani dëshiron një marrëveshje, ndërsa zyrtarët iranianë e mohojnë kategorikisht se ka negociata me Uashingtonin.
Ndërkohë, Irani ka refuzuar një plan paqeje të propozuar nga SHBA, i cili parashikonte heqjen dorë nga programi bërthamor dhe kufizimin e raketave balistike.
I dërguari special i Trump, Steve Witkoff, konfirmoi se Uashingtoni i ka paraqitur Teheranit një plan me 15 pika, por pa dhënë detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e tij.
Në deklaratat e tij, Trump nuk përmendi refuzimin fillestar të planit nga Irani dhe as vendimin për vendosjen e trupave tokësore në Lindjen e Mesme. Ai theksoi se tashmë “topi është në fushën e Iranit” dhe paralajmëroi pasoja të rënda nëse nuk arrihet një armëpushim.
“Nëse nuk e bëjnë këtë, ne jemi makthi i tyre më i keq. Ne thjesht do të vazhdojmë t’i shkatërrojmë, pa u ndalur”, u shpreh Trump.











