Fundi i konfliktit të Iranit nuk duket i afërt, sipas një analize të së përditshmes britanike The Guardian. Në një analizë të saj, thuhet se Republika Islamike po reziston për të treguar se është gati të sakrifikojë gjithçka, vetëm për të mos e lëshuar pushtetin.
Paqja duket një horizont i largët në konfliktin e SHBA-të dhe Izraelit kundër Iranit, ndërsa Teherani po përdor përshkallëzimin si armën e tij kryesore. Sipas The Guardian, regjimi iranian është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka, përfshirë ekonomitë e fqinjëve arabë, vetëm për të mos lëshuar pushtetin.
Një nga pengesat kryesore për një armëpushim të shpejtë është dëmi i madh ekonomik që është bërë deri tani. Me naftën që ka kapur 125 dollarë për fuçi dhe shkatërrimin e impianteve të gazit në Katar që kushtojnë miliarda, palët e kanë të vështirë të ulen në bisedime. Ata mendojnë se një paqe e thjeshtë nuk i mbulon dot këto humbje marramendëse, ndaj zgjedhin të luftojnë më fort për të mposhtur plotësisht kundërshtarin.
Ndarjet mes planeve të Presidentit Trump dhe kryeministrit Netanyahu, i cili kërkon një fitore totale mbi Teheranin, e bëjnë diplomacinë pothuajse të pamundur. Pa një besim minimal, opsionet mbeten të zymta: ose një luftë e gjatë deri në kapitullimin e Iranit, ose një largim i njëanshëm i Amerikës që do ta linte rajonin në kaos total, pa asnjë shpresë për qetësi.











