Në orët e para të mëngjesit të sotëm, 20 mars, është tentuar të vidhet një argjendari në qytetin e Pogradecit.
Siç raporton gazetarja e Klan News, Daniela Zisi, pronari i biznesit tregon se kjo nuk është hera e parë që argjendaria e tij bëhet objekt sulmi, ndërsa autorët ende nuk janë identifikuar nga policia.
Sipas tij, në rastet e mëparshme grabitësit kanë arritur të marrin sende me vlerë, duke shkaktuar dëme që kapin shifrën mbi 15 mijë euro.
Ndërsa këtë të premte, pas aktivizimit të alarmit, ata janë larguar pa marrë asgjë. Nga pamjet e kamerave të sigurisë, rezulton se tre persona të maskuar kanë hapur derën e dyqanit duke përdorur një kriko makine.
Pronari shprehet se shpreson që këtë herë policia të arrijë të identifikojë dhe të ndalojë autorët, pasi bëhet fjalë për raste të përsëritura.
“Rreth orës 03:30 është hapur dyqani me kriko dhe ka rënë sistemi i alarmit, ndaj ata janë larguar pa marrë asgjë. Dyqani im është vjedhur mbi tre herë që kur e kam hapur si biznes. Edhe dy herët e para autorët nuk janë kapur. Dëmi ka qenë i madh, mbi 15 mijë euro në vjedhjet e tjera. Kemi frikë për biznesin, nuk mund të punojmë dhe të vazhdojmë normalisht. Kamerat e sigurisë i kanë filmuar autorët, por ata ishin të maskuar. Ishin tre persona”, ka deklaruar ai.











