Nga Bjorn Runa
Sinqeriteti është zakonisht virtyt, ose i të paditurve, ose i atyre që nuk kanë shumë për të humbur. Përballë fundit, nevoja për të llogaritur se ç’do të thonë apo ç’do të mendojnë të tjerët zhbëhet gradualisht për t’ia lënë vendin një lloj transparence brutale, por praktike, që lind pikërisht kur pritshmëritë tona bien.
Diçka e ngjashme duket se po ndodh me televizionin në Shqipëri, ku dy raste të ditëve të fundit shenjojnë kulmin e simptomave të sëmundjes nga e cila TV-të lëngojnë prej kohësh. I pari është ai i një dating show, ku një aktor i njohur më tepër për rolet e tij në programe të ndryshme – nga ai i patriotit që di vetëm të bërtasë, tek ai i shtytësit të teorive konspirative – se sa për rolet e tij në skenë, puthi me forcë një prej konkurrenteve, duke e shndërruar situatën e inskenuar në studio në shfaqje të hapur dhune. Rasti tjetër është ai i një emisioni kryesisht politik, ku një debat i nxehtë përfundoi me një gazetar që ngrihej për të goditur një shkrimtar, duke e kthyer studion realisht në arenë dhe duke zhbërë kështu iluzionin se ajo që shohim mbrëmjeve është hapësirë debati dhe argumentash.
Është tunduese t’i shohësh të dyja rastet si anomali të izoluara, apo gabime që ndodhin në transmetim direkt. Por, nuk është kështu. Të dyja rastet bëjnë pjesë në trajektoren që televizioni në Shqipëri po ndjek prej vitesh. Numri dhe larmishmëria e programeve është ulur ndjeshëm, ka gjithnjë e më pak prodhime origjinale dhe gjithnjë e më shumë dëshirë për konfrontim “live” si e vetmja mënyrë për të mbajtur sytë e sa më shumë njerëzve të mbërthyer para ekranit. Megjithatë, ajo që shpesh duket si teprim, mund të jetë pasoja logjike e një sistemi që po përshtatet me fundin e tij. Në këto grahmat e fundit, është interesante të shohim se në çfarë mediumi transformohet TV, në momentin kur i mbaron oksigjeni narrativ, por ka ende nevojë të mbushë orët e transmetimit, të shesë hapësirë për reklama dhe të ruajë ndikimin e vet në shoqëri?
Fundi i televizionit përshkruhet shpesh në termat e rënies së shikueshmërisë, çka është vetëm gjysma e të vërtetës, pasi ndryshimi real është në fakt ajo që humbja e shikuesve i shkakton logjikës së brendshme të programacionit. Sa kohë që një kanal televiziv ka audiencë të gjerë, ai mund ta përballojë një programacion divers. Thënë kjo, mund të financojë formate që jo domosdoshmërisht sjellin përnjëherë mijëra shikues: dokumentarë, programe kulturore, seriale televizive, apo intervista serioze. Por, në momentin kur vëmendja e audiencës përçahet dhe TV i duhet të konkurrojë me mediat sociale, Youtube, apo platformat streaming, ai fillon të sillet si një institucion nën rrethim. Nga ky çast, prioritet marrin ato programe që sjellin menjëherë vëmendje, pasi kjo e fundit është vetmja gjë që mund të matet dhe monetizohet.
Për këtë arsye programacionet e televizioneve shqiptare sot janë thuajse identike. Blloqet ditore përbëhen nga transmetime maratonë që zgjasin disa orë dhe përpiqen të mbulojnë gjithçka, nga politika te krimi, shoubizi, ekonomia, gjeopolitika dhe këshillat astrologjike. Pak a shumë, gjithçka që mund të përfshihet në hapësirën kohore mes blloqeve të reklamave.
Ndërkaq, programet e mbrëmjes, të cilat do duhej të përbënin kulmin e ambicies editoriale, në shumicën e rasteve shndërrohen në shfaqje konfrontimesh, kryesisht verbale dhe hera-herës – kur fjala nuk mjafton – në përleshje fizike. Të njëjtat fytyra që riciklojnë të njëjtat argumente, ndonjëherë të përditësuara me skandale të reja, por shumë rrallë me mënyra të reja të kuptuari.
Në anën tjetër, spektaklet reality zënë të gjithë hapësirën e argëtimit, jo vetëm sepse pëlqehen nga audienca, por mbi të gjitha sepse zgjidhin një problem thelbësor prodhimi. Ndërsa një film, apo serial televiziv kërkon skenaristë, aktorë, sete, prova dhe një ushtri të tërë stafi teknik, një format i tipit reality kërkon vetëm një hapësirë të mbyllur, kamera që regjistrojnë 24 orë në ditë dhe pjesëmarrës që gjenerojnë përmbajtje thjesht nëpërmjet reagimeve të tyre emocionale. Në momentin që një format i tillë fiksohet, ai mund të riprodhohet, me ndryshime të vogla, pafundësisht sezon pas sezoni.
Në një treg të vogël mediatik si ky i yni, ku buxhetet janë të kufizuara dhe të ardhurat nga reklamat jo gjithmonë të qëndrueshme, modeli i spektaklit reality bëhet i pashmangshëm për televizionet. Pra, televizioni e ka thjeshtuar veten, por njëkohësisht edhe e ka riorganizuar atë rreth formateve që mund të prodhohen në mënyrë të përsëritur me risk minimal dhe paqëndrueshmëri emocionale maksimale (debate, aleanca të papritura dhe çaste që tërheqin menjëherë vëmendje pikërisht për shkak se janë të paparashikueshme). Por, duke qenë se për shkak të përsëritjes të gjitha këto bëhen të parashikueshme me kalimin e kohës, nevojitet përshkallëzimi i intensitetit të spektaklit, që jo rrallë çon drejt dhunës si e vetmja gjë që mund të lindë kur ti shtyp të njëjtin buton dhe do që të vazhdosh të tronditësh shikuesit.
Një zhvillim më i ri dhe më i pak i zakonshëm, është zhvendosja e spektaklit nga konkurrentët dhe pjesëmarrësit tek njerëzit që supozohet t’i analizojnë dhe komentojnë ata. Panelisti, që dikur shërbente për të kornizuar spektaklin, është shndërruar me kalimin e kohës në personazhin kryesor të tij.
Hierarkia, sipas logjikës klasike televizive, kërkon që fillimisht të ndodhë një ngjarje dhe më pas, panelisti ta interpretojë atë. Por, duket kjo hierarki po zhbëhet, pasi interpretimi nuk qëndron më mbi ngjarjen. Përkundrazi, ai është pjesë e saj.
Kjo mund të shihet qartësisht në formatet reality ku opinionistët gjithnjë e më shpesh po dominojnë segmentet e diskutimit dhe të interpretimit. Analizat e tyre nuk vlejnë më aq sa vlen një pozicionim interesant i tyre me batuta që mbahen mend, apo qëndrimi emocional që përputhet me një identitet të caktuar të audiencës. Thënë ndryshe, opinionisti është kthyer tashmë në personazh më vete me fansat dhe fabulën e tij/saj. Ndonëse sjellja e konkurrentëve mbetet përmbajtja kryesore e spektaklit, ky i fundit mbështetet gjithnjë e më shumë tek reagimet e panelistëve.
Shembulli më i dukshëm i kësaj është crossover-i i Monika Kryemadhit nga politika në botën e spektaklit. Edhe pse politika ka patur gjithmonë tipare të spektaklit, kalimi i një figure politike në rolin e komentatores në një spektakël reality tregon se këto dy botë janë shkrirë tashmë, pasi kanë kuptuar se, si politika ashtu edhe spektakli, janë industri që jetojnë falë të njëjtit karburant: vëmendjes publike.
Për më tepër, dhënia e një roli më qendror ndaj panelistëve është efikase. Ndërsa konkurrentët zëvendësohen nga një sezon në tjetrin, opinionistët – emra tashmë familjarë për publikun – vijnë me fabula paraprake. Ata gjithashtu janë në gjendje të fshijnë kufijtë dallues mes interpretimit dhe pjesëmarrjes, duke rritur edhe më tepër vëmendjen sepse tani publiku jo vetëm sheh “realitetin”, por ka njëkohësisht mundësinë të vëzhgojë se si jeta publike shqiptare ha vetveten dhe e komenton këtë kanibalizëm në kohë reale.
Por, me gjithë dramën që mbartin, incidentet në studio nuk janë elementi më i rëndësishëm i kësaj historie. Ajo çfarë është shqetësuese është demografia e njerëzve që e sheh akoma televizionin si burim të realitetit. Ndonëse televizioni nuk përcakton më kulturën popullore si dikur, me të rinjtë që konsumojnë vetëm fragmente të tij në formën e videove të shkurtra në rrjete sociale, TV vazhdon të formësojë klimën emocionale të asaj pjese të popullsisë që e konsumon atë në mënyrë të vazhdueshme: 60-vjeçarë, apo më të moshuar se ata, mbeten audienca më e qëndrueshme dhe më e parashikueshme.
Kjo është e rëndësishme politikisht sepse të njëjtat grupmosha janë edhe më besniket jo vetëm ndaj proceseve elektorale, por edhe mënyrës se si votojnë dhe ata mbeten më të arritshmit përmes fushatave tradicionale zgjedhore. Për ta, televizioni nuk është vetëm çështje argëtimi rastësor, por pjesë e mjedisit të përditshëm në të cilin jetojnë dhe që iu strukturon kohën, bisedat dhe perceptimin, duke “i trajnuar” emocionalisht.
Ekspozimi i vazhduar ndaj paneleve të dhunshme dhe thjeshtësimi i narrativave nxit tek ta interpretime dhe sjellje të caktuara. Nuk është çudi që këto grupmosha i shohin problemet thuajse gjithmonë si konflikte mes individësh dhe jo si çështje strukturore. Ngjarje komplekse, për ta reduktohen në binome morale. Dhe kështu përfundon në tryezën e darkës me prindërit dhe gjyshërit që e kthejnë një diskutim për buxhetin apo një çështje sociale komplekse, në diskutim se kush e fitoi debatin në televizor dhe kush arriti ta poshtëronte më shumë tjetrin.
Ndoshta nuk jemi realisht përballë “vdekjes” së plotë të televizionit, por gjendemi padyshim përballë fazës së tij më të sinqertë: një sistem që zhvishet nga iluzionet me të cilat vetë na ka ushqyer prej kohësh rreth rolit të tij edukativ, duke pranuar funksionin e vet final, atë të mbushjes së ekranit, intensifikimit të emocioneve dhe mbajtjes së konfliktit gjithmonë të pazgjidhur.











