Arrestime të njëpasnjëshme nga Policia e Fierit për veprimtarinë kriminale të armëmbajtjes pa leje.
Policia bën me dije se një 52-vjeçar është arrestuar për posedim të armës së zjarrit që iu gjet në banesë. Në pranga ka rënë dhe një 34-vjeçar i cili ishte shpallur në kërkim për konflikt me armë zjarri.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, bazuar në informacionet se një shtetas posedonte armë zjarri tip pistoletë, organizuan punën për kapjen e tij.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi D. L., 52 vjeç, banues në Fier.
Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri tip pistoletë, një fishek arme zjarri, si dhe një palë pranga të ngjashme me ato të Policisë.
Gjithashtu, nga këta specialistë u bë arrestimi i shtetasit R. Ç., 34 vjeç, banues në Fier.
Gjykata e Fierit ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest me burg”, pasi dyshohet se gjatë një konflikti të ndodhur më datë 21.11.2025, ka qëlluar në ajër me armë zjarri tip automatik.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.











