Policia Rrugore e Durrësit ka intensifikuar monitorimin e qarkullimit rrugor, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë. Si rezultat i kontrolleve të shtuara, ka shkuar në 6 numri i shtetasve të arrestuar, të cilët drejtonin automjetet në gjendje të dehur dhe tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë për t’iu shmangur testit të alkoolit dhe arrestimit.
Gjatë fundjavës, në kuadër të planit të masave “Fundjava”, janë vënë në pranga 5 drejtues automjetesh, të cilët u konstatuan duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi. Dy prej tyre kanë tentuar të shmangin procedurat ligjore duke u ofruar shuma parash punonjësve të Policisë Rrugore.
Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Durrës, gjatë kontrolleve në rrugët “Petrit Llaftiu” dhe “Taulantia”, konstatuan dy automjete që kryenin manovra të rrezikshme. Pas ndalimit, drejtuesit e tyre, shtetasit N. N. dhe H. M., tentuan të korruptonin efektivët e Policisë.
Nga testet e alkoolit rezultoi se shtetasi N. N. drejtonte automjetin me 1.62 mg/l alkool, ndërsa shtetasi H. M. me 1.57 mg/l alkool në gjak. Gjatë muajit janar, janë arrestuar gjithashtu 4 drejtues automjetesh për të njëjtën vepër penale dhe tentativa korrupsioni ndaj Policisë Rrugore.
Po gjatë monitorimeve, u arrestuan edhe shtetasja D. M., e cila rezultoi me 1.22 mg/l alkool, dhe shtetasi D. Ç., me 2.21 mg/l alkool në gjak. Ndërkohë, në rrugën “Hysen Kertusha” u arrestua shtetasi R. D., banues në Durrës, i cili drejtonte automjetin pa leje drejtimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Policia Rrugore e Durrësit u bën apel drejtuesve të automjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos drejtojnë mjetet në gjendje të dehur, të respektojnë sinjalistikën dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit.











