Pas Kuvendit të Shqipërisë, grupi iranian Homeland Justice ka kryer një sulm kibernetik ndaj Postës Shqiptare. Lidhur me këtë, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka informuar se incidenti kibernetik që ka prekur infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të Postës Shqiptare, ka ndodhur ditën e djeshme, më 25 mars.
“Bazuar në vlerësimin paraprak, nuk janë identifikuar të dhëna të enkriptuara apo të fshira, si dhe nuk janë konstatuar ndërprerje të shërbimeve si pasojë direkte e këtij incidenti.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, AKSK ka ndërrmarë të gjitha hapat e parashikuara nga procedurat operative të reagimit ndaj incidenteve, duke ngritur një grup të dedikuar pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike.”, sqarohet më tej në njoftim.
Grupi i ngritur ka nisur menjëherë punën në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të Postës Shqiptare për:
-analizimin e thelluar të incidentit dhe verifikimin e çdo komprometimi të mundshëm;
-identifikimin e indikatorëve të komprometimit (IOC);
-analizën e log-eve dhe event-eve në sistemet kritike;
-izolimin dhe sigurimin e sistemeve, me qëllim parandalimin e çdo ndikimi të mëtejshëm.
Në kuadër të masave parandaluese dhe për të mundësuar një analizë të plotë teknike, AKSK njofton se disa shërbime janë vendosur përkohësisht jashtë funksioni nga vetë Posta Shqiptare, me rekomandim të Autoritetit. Aktualisht, të gjitha shërbimet publike janë rikthyer dhe janë funksionale për publikun.
Ndërkohë, në burime të hapura janë publikuar disa të dhëna të dyshuara si të eksfiltruara, të cilat po verifikohen për autenticitetin dhe burimin e tyre. Deri në këtë moment, sasia e të dhënave të mundshme të ekspozuara vlerësohet e kufizuar.











