Kjo video tregon momentin kur hakerat iranianë HomeLand Justice depërtojnë në sistemin e Kuvendit të Shqipërisë.
Në materialin e publikuar në faqen e tyre në telegram shihet sesi ata fshijnë me qindra gigabyte të dhëna, mes të cilave duken skedarë procesverbalesh, regjistra të dhënash, urdhëra prokurimesh, por edhe emra deputetësh. Një skedar i tillë, i fshirë është ai që përmban emrin e Fatmir Xhafës.

Pasditen e kësaj të marte Kuvendi reagoi për herë të parë që nga momenti kur institucioni më i lartë i shtetit ra pre e këtij sulmi kibernetik, duke pranuar fshirjen e informacionit.
Kuvendi i Shqipërisë informon se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00, është konstatuar një akses i paautorizuar në infrastrukturën IT të institucionit. Gjatë verifikimeve është vënë re fshirja e një pjese të informacionit në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës.
Nga vlerësimi paraprak teknik Kuvendi pranoi se sulmi kibernetik është i sofistikuar dh ka patur si synim edhe cenimin e disa sistemeve të brendshme.
Nga analizat e para rezulton se infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur. Faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë dhe sistemet e tjera që mbështesin funksionimin e institucionit vijojnë të funksionojnë normalisht. Menjëherë pas konstatimit të incidentit janë marrë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe për neutralizimin e sulmit. Ndërkohë, ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve.
Partnerët ndërkombëtarë janë në krahun tone, mbyllet njoftimi i Kuvendit.
Ndërkaq, më herët gjatë ditës në Telegram,“Homeland Justice” ka shpërndarë një fotografi me emailet e disa deputetëve të Kuvendit.
Përshëndetje një fillimi të ri. Së shpejti anëtarët e korruptuar të këtij parlamenti do të turpërohen për veprat e tyre të urryera. Të gjitha bisedat dhe korrespondenca e anëtarëve të korruptuar të Kuvendit gjatë muajve të fundit janë në duart e Homeland Justice. Ne jemi shumë më afër jush sesa mendoni. A i keni strehuar vërtetë ata vrasës dhe vrasës fëmijësh? Ne do të sigurohemi që ky turp të mbetet me ju përgjithmonë.
Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria vihet në shënjestër të sulmeve kibernetike nga Homeland Justice. Më herët ata ndërhynë në sistemet e policisë, kamerat e sigurisë, sistemet e SHISH dhe të disa institucioneve të rëndësishme ku publikuan të dhëna sensitive, ndërkohë që masat parandaluese të shtetit shqiptar për parandalimin e sulmeve kibernetike në atë kohë, dështoi.











