Nga Eljanos Kasaj*
Moskë, Rusi-70 vite më parë, më 25 shkurt 1956, Sekretari i Parë i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Nikita Sergejeviç Hrushov mbajti fjalimin e tij skandaloz dhe historik, të njohur ndryshe si “fjalimi sekret”, gjatë Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ku për herë të parë dhe zyrtarisht, kritikoj kultin e individid të Josif Visarionoviç Stalinit dhe krimet e kryera kundër popujve sovjetik prej aparatit shtetëror stalinian (veçanërisht prej NKVD-së), gjatë implementimit të programit të indurstrializimit të viteve 1930′ ose fushatës kundër kulak-ëve (fshatarëve që i kishin rezistuar kolektivizimit të tokës së tyre), pa përmendur këtu spastrimet e kryera gjatë viteve të Terrorit të Madh (1937-1938), të cilat panë ajkën e inteligjencias politike, shkencore, artistike dhe ushtarake sovjetike të pushkatuar ose të deportuar në komapet e GULAG-ut në Siberi ose Kazahistan (nëse sigurisht, kishin pasur fatin që të mos mernin një plumb pas koke).
25 vite më pas, me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik (1991), kur qeveria demokratike ruse e Presidentit Boris Jelcin vendosi që të hapi arkivat sekrete shtetërore dhe njëkohësisht edhe diskutimet publike për të kaluarën, duke ekspozuar plotësisht rolin personal të Stalinit në krimet e epokës sovjetike, u duk për një moment se Rusia gjithashtu kishte hyrë në rrugën e vendeve të ish-Bllokut Lindor, duke u munduar që ta pastronte veten prej dogmatikës ideologjike sovjetike pothuaj se mbi 70-vjeçare, duke i treguar publikut rus atë çka vërtet kishte ndodhur gjatë periudhës së diktaturës së proletariatit në Rusi.
Duhet theksuar se aso kohe kjo iniciativë politike e Presidentit Jelcin pati gjithashtu edhe mbështetjen e gjerë të inteligjencias ruse-akademikëve, shkrimtarëve, kinematografëve, muzikantëve, artistëve, piktorëve, etj.
Por sot në Rusinë e Presidentit Vladimir Putin, diktatori gjeorgjian është duke kaluar në një proces të ngjashëm me purgatorin e Dantes ose atë çka ekspertët dhe historianët evropian, por edhe rusë, e kanë quajtur me të drejt si përpjekje për rehabilitim politik.
Kampet e GULAG-ut, Terrori i Madh, deportimet masive të popujve të konsiduar si “armiq ose tradhëtar” (si baltikët, gjermanët, çeçenët, tatarët e Krimesë, kallmikët, etj) sot janë gjithmonë e më pak duke u përmendur ose diskutuar prej medias (televizioneve, gazetave), botës artistike (kinematografisë, letërsisë, arteve figurative) ose prej qarqeve akademike/skolastike ruse.
Ndërsa diskutimet publike me karakter intelektual, bazuar në materaliet historike, dokumentacionet ose procesverbalet që sot ende ruhen në arkivat shtetërore ruse (dhe të cilat sigurisht që mund të interpretohen më pas prej specialistëve ose historianëve bazuar dhe në kontekstet historike), duket se janë diçka që i përkasin të shkuarës tashmë.
Mjafton të hedhim një sy se çfarë gazetat ruse shkruajnë për këtë datë historike, për të kuptuar pozicionin zyrtar të Kremlinit mbi këtë tematikë fort kontraversiale:
Kolumnistët e “Rasiskaja Gazjeta” në artikujt e tyre e kanë krahasuar periudhën e terrorit stalinist të viteve 30′ kundër popujve dhe inteligjencias sovjetike me periudhën e Mbretërimit të Terrorit (shatator 1793-korrik 1794) që nodhi gjatë Revolucionit Francez, ku Komiteti i Sigurisë Publike dhe Maximilien Robespierre, ndërmorën ekzekutime masive pa gjyq, spastrime të armiqve politikë dhe burgosjen dhe torturat çnjerëzore të mijëra qytetarëve të akuzuar si armiq të revolucionit…praktika pak-a-shumë të njëjta me ato që Stalini ndoqi kundër popujve sovjetik ose kundërshatëve politike ose atyre që shikoheshin prej diktatorin gjeorgjian si potencialisht të rrezikshëm për pushtetin e tij absolut.
Por, sigurisht që analistët e “Rasiskaja Gazjeta”nuk e kanë quajtur të nevojshme që të paraqisin të gjithë tablonë e ngjarjeve historike me të cilat ata kanë dashur që në mënyrë groteske të humanizojnë ndërmarjet politike të “Babait të Popujve” (siç quhej ndryshe prej propagandës shtetërore sovjetike Stalini).
Ndërsa gazeta “Komsomolskaja Pravda” shkon edhe më tej në përpjektjen për ta rehabilituar figurën e Stalinit, duke shkruajtur se “kulti i personalitetit ishte i dëmshëm, por Stalini solli fitoren e Luftës (Luftës ë Madhe Patriotike 1941-1945) dhe industrializimin (e Bashkimit Sovjetik në vietet 1930′)”, por pa përmendur kostot e mëdha në njerëz të këtyre dy momenteve kyçe të udhëheqjes së Stalinit, ose brutalitetin e treguar prej aparatit shtetëror sovjetik, ku njesitet speciale të NKVD-së ishin urdhëruar që të hapnin zjarr kundër të gjithë ushtarëve sovjetik që përpiqeshin të tërhiqeshin gjatë luftimeve me trupat naziste (edhe kur situata mund të kërkonte një tërheqje taktike) ose se shumë prej veprave industriale u ndërtuan duke e shtrydhur popullin sovjetik si limon, ashtu si dikur car Ivani i Tmerrshëm kishte arritur fitore të mëdha në luftërat kundër tatarëve, por gjithashtu e kishte terrorizuar popullin e tij dhe kishte ngritur aparatin e parë të sigurisë shtetërore, Opriçnik-ën (të njohur si paraardhësja e NKVD-së ose KGB-së).
Në kontekst të kulturës materiale, gjërat duken se kanë shkuar edhe më larg.
Në shkurt të vitit 2026, bashkia e qytetit të Moskës njoftoi se Muzeu i GULAG-ut, një prej muzeve më të mëdhenj dhe ikonik të kryeqytetit rus, por i mbyllur për arsye sigurie që prej 14 nëntorit të vitit 2024, do të shndërrohej në “Muzeun e Kujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Popullit Sovjetik”(duke u fokusuar në krimet e nazistëve në Bashkimin Sovjetik). Ndërsa në vitin 2025, gjatë javëve përkujtimore të Ditës së Fitores së Lufës së Madhe Patriotike (1941-1945), një monument bazoreliev i Stalinit, u zbulua në stacionin Taganskaja të Metrosë së Moskës, kopje e monumentit që u instalua gjatë përfundimit të stacionit në vitin 1950 dhe që u hoq gjatë procesit të de-stalinizimit të Nikita Hrushovit të fillimit të viteve 1960.
Duket qartë pra se vetë instancat qeveritare ruse (urbane, rajonale ose federale), me bekimin e Kremlinit, janë duke udhëhequr rrugën për çka duket si potencialisht në një përpjekje për të ri-formësuar qëndrimet sociale dhe kujtesën kolektive ruse.
Ndërsa ditët me rëndësi monumentale për demokracinë ruse, sot ose janë lënë në haresë (si ditët komemoruese të gushtit 1991) ose shikohen si ditë të cilat shikohen në mënyrë fort skeptike ose kritike (25 shkurti 1956), si ditë që më shumë se demokracinë, sollën poshtërimin dhe uljen e prestigjit të Rusisë-duke i bërë kështu jehonë traumës së viteve të egër 1990′, gjurma e të cilave duket se ende vijon që të ndihet në shoqërinë ruse, dhe të cilat qeveria ruse sot po i përdor për të hyjnizuar më tej sistemin e vjetër sovjetik dhe figurat kyçe politike që ky sistem prodhoj (si figura e Stalinit), të cilat sot ende vijojnë të dominojnë skenën politike, historike dhe mediatike ruse.
*Fakulteti i Shkencave Politike. Universiteti i Wroclaw (Uniwersytet Wrocławski), Poloni











