Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, nuk e ka fshehur acarimin ndaj kryeministrit Edi Rama pas shkarkimit të saj nga detyra. Në seancën e sotme plenare, ku u diskutua dekreti i presidentit për emërimin e ministrave të rinj, Spiropali i ka dërguar një mesazh të koduar Ramës, duke aluduar se Sali Berisha e kishte marrë vesh më herët vendimin për largimin e saj.
“Jam e qartë, jam e qetë. E vetmja gjë për të cilën më vjen keq është që largimin tim e paralajmëroi Sali Berisha në sallën e Kuvendit dhe jo ndonjë tjetër. Vetëm për këtë jam e habitur, që i doli fjala, për asgjë tjetër”, u shpreh Spiropali gjatë një replike në seancën plenare.
Ndërkohë, në një zhvillim të pazakontë në sallën e Parlamentit, deputetët e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe Jozefina Topalli votuan kundër shkarkimit të saj nga detyra, duke mos i dhënë votat për largimin e ministres. Opozita nuk kurseu kritikat dhe akuzat ndaj Spiropalit për mënyrën se si kishte drejtuar diplomacinë shqiptare, por në fund Berisha dhe Topalli i kanë dalë në mbrojtje, duke votuar kundër shkarkimit të saj nga detyra. Megjithatë, kjo votë nuk i shërbeu shumë Spiropalit, e cila u shkarkua me votat e socialistëve.











